E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fletëthirrja e Prokurorisë ndaj Lulzim Bashës, e jashtëligjshme

Vendos Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës

TIRANE - Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, rrëzoi dje, duke e quajtur të jashtëligjshme procedurën e  ndjekur nga Prokuroria e Përgjithshme për njoftimin e akuzës zyrtare ndaj ministrit Lulzim Basha për çështjen e rrugës “Durrës – Kukës”. 
Zef Nika, avokati i Ministrit Lulzim Bashës paraqit parregullsitë në procedurën e thirrjes së klientit të tij si të pandehur në prokurori.
Dy janë shkeljet që avokati mbrojtjes i Lulzim Bashës i vlerësoi si flagrante. Sipas avokatit Zef Nikaj në përmbajtjen e letër-thirrjes klientit të tij i kërkohej që, të paraqitet në prokurori në datën 27 nëntor ora 14.00, si dhe kërkohej të pyetej në cilësinë e të pandehurit.
“Të dyja këto kërkesa të Prokurorisë së Përgjithshme, si organ që hetoi çështjen konkrete janë shkelje ligjore, sepse, klienti im në cilësinë e personit nën hetim nuk mund të detyrohet të paraqitet në Prokurori, për të kryer ndonjë veprim procedural, përveçse, kur ai e sheh të arsyeshme, që me dëshirë të kryejë diçka të tillë", sqaroi mbrojtja.
Në kërkesën e tij, drejtuar nëpërmjet avokatit Gjykatës së Shkallës së Parë ët Tiranës, Lulzim Basha kërkoi pavlefshmërinë e fletëthirrjes në datës 24 nëntor në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe atë të aktit të njoftimit të akuzës.
Gjykatësja, Fatmira Hajdari, vendosi dje të konsiderojë të pavlefshme fletë-thirrjen e Prokurorisë së Përgjithshme për Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha si dhe veprimet e kryera pas datës 6 nëntor.
“Deklaroj të pavlefshme aktet procedurale të hetimeve paraprake, akt-njoftimin dhe njoftimin e akuzës për Lulzim Bashën”, u shpreh gjykatësja Fatmira Hajdari.
Me ndërprerjen e afateve të hetimit dhe me vendimin e fundit, çështja Durrës- Kukës, rezulton të jetë nisur drejt Gjykatës së Lartë, nga ana e Prokurorisë, mbi bazën e akteve të pavlefshme, çka ligjërisht shkakton pamundësinë e gjykimit të kësaj dosje në këtë institucion.
Vendimi u morr dje nga kjo Gjykatë, e cila pranoi  kërkesën e bërë nga mbrojtja ligjore e ministrit të Punëve të Jashtme Lulzim Basha për pavlefshmëri të procedurave të ndjekura ndaj tij, nga organi i akuzës.
Kërkesë-padia e avokatit të Ministrit Basha, në Gjykatën e Shkallës së Parë u bë në datë 26 nëntor 2008 ndërsa dosja e çështjes Durrës - Kukës u dorëzua në Gjykatën e Lartë në datën 5 dhjetor 2008.
Ministri Lulzim Basha dyshohet se ka abuzuar me detyrën, kur  ishte ministër i Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit gjatë procedurave për ndërtimin e rrugës Durrës - Kukës. Në procedim penal për këtë çështje është marrë nga prokuroria edhe ish drejtori juridik i kësaj ministrie Andi Toma.
Nga ana e tij Ministri i Jashtëm Lulzim Basha i ka cilësuar akuzat e Prokurorisë së Përgjithshme si “të stisura në zyrat e Edi Ramës”.

Kronologjia
18 nëntor 2008 – Gjyqtari Sokol Tona i Gjykatës së Shkallës së Parë e Tiranës, vendos se rishtyrja e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për dosjen “Durrës – Kukës” pas datës 6 nëntor 2008 është e pavlefshme.

24 nëntor 2008 – Prokuroi Arben Kraja, i Prokurorisë së Përgjithshme, i dërgon fletëthirrjen Ministrit Lulzim Bashës, për ta pyetur si të pandehur për dosjen “Durrës – Kukës, kundër vendimit të gjykatës të datës 18 nëntor 2008.

26 nëntor 2008 – Avokati i Ministrit Lulzim Basha, Zef Nikaj depoziton në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës një ankesë kundër fletëthirrjes së prokurorisë, për marrjen si të pandehur të klientit të tij, kundër vendimit të gjykatës.

27 nëntor 2008 – Ministri i Jashtëm Lulzim Basha refuzon dhe nuk paraqitet në prokuroi, duke e cilësuar flet-thirrjen ndaj tij si ta papajtueshëm me vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë ët Tiranës të 18 nëntor 2008.

05 dhjetor 2008 – Prokurori Arben Kraja, i Prokurorisë së Përgjithshme, dërgon në Gjykatën e Lartë dosjen në ngarkim të Ministrit Lulzim Basha, ndërsa avokati Zef Nikaj, kishte refuzuar nënshkrimin e mbylljes së hetimit.

11 dhjetor 2008 – Gjyqtari Altin Abdiu i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, rrëzoi kërkesën e prokurorit Arben Kraja, për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga gjykimi i ankesë së mbrojtjes së Ministri Lulzim Basha.

15 dhjetor 2008 – Gjyqtarja Fatmira Hajdari e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, vendosi pranimin e kërkesës së mbrojtjes së Minsitrit Lulzim Basha, duke e  quajtur të jashtëligjshme fletëthirrjen e prokurorisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›