“Socialistët ende vetidentifikohen me ish-regjimin”
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi
TIRANE - Deputeti i Partisë demokratike, Astrit Patozi, gjatë fjalës së mbajtur ditën e djeshmë në Kuvend për projektligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë ka deklarur se “ligji është i domosdoshëm dhe jetik për vendin, por ai është shumë i vonuar dhe ne besoj duhet t’u kërkojmë ndjesë shqiptarëve për gjithë këtë kohë të humbur”.
Patozi theksoi se “jemi vonë, sepse kanë ikur 18 vjet dhe kemi mbetur të fundit, ndërkohë që duhet të ishim të parët dhe më të ashprit, sepse e tillë ka qenë diktatura në këtë vend”. Duke vijuar më tej Patozi u shpreh se “ne kemi pritur më kot dhe me shumë durim bashkëpunimin dhe përfshirjen e opozitës”, dhe arsyeja ishte, sipas Patozit se “kemi shpresuar se 18 vjet pluralizëm dhe reflektim mund të kishin bërë punën e vet edhe tek partia, që i ka rrënjët e zhytura thellë në të shkuarën komuniste të vendit”.
Duke argumentuar mungesën e konsensusit nga ana e opozitës për kalimin e këtij projektligji, Patozi u shpreh se “Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama, janë ende të mbërthyer në komplekset dhe lidhjet e vjetra që e identifikojnë atë me kamzhikët e ish-regjimit, dhe kjo e bëri të pamundur bashkëpunimin”.