“Nuk ka bashkëpunim mes grupit dhe partisë”
Bashkim Fino akuza ndaj kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj
TIRANE – Deputeti i PS-së Bashkim Fino, mësohet se gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PS-së, i është rikthyer kritikave për mungesë bashkëpunimi mes Partisë Socialistë dhe grupit parlamentar të saj, kritika që kryesisht, binin mbi kryetaren e grupit parlamnetar Valentina Leskaj.
“Ndryshe flasim ne në grup, ndryshe në debate e ndryshe te stenda e PS”, është shprehur Fino.
Deputeti Bashkim Fino, në mënyrë të përsëritur ka qenë ndaj punës së kryetares së grupit dhe në mbledhjet e zakonshme pakënaqësitë e tij kanë qenë të shpeshta. Një muaj më parë, kryetarja grupit Leskaj u kritikua për punën e saj si menaxhere e kohës në parlament. Deputetët të PS-ësë, pasi dështoi në mocionin me Kryeministrin Sali Berisha për çështjen “Fazlliç”, u shprehën të zhgënjyer për organizimin e këtij mocioni. Deputetët Bashkim Fino dhe Andis Harasani kërkuan të dinë dhe shprehën dyshim se si kishte qenë e mundur që mbledhja e grupit për mocionin ishte bërë vetëm 15 minuta para se të fillonte seanca dhe kush i kishte caktuar deputetët që do të flisnin. Ata u shprehën midis të tjerave se si kishte qenë e mundur që nuk u ishte bërë një ndarje më e mirë e kohës, për të folur në seancë në momentin që kërkesa për mocion u dorëzua një muaj më parë.
Përkundër pretendimeve të vetë deputetëve të PS-së, edhe mediatikisht, gjithsesi PS-ja u vlerësua për një performancë të dobët në këtë mocion.