E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flladitet të shtunën

Nga Express më 14 korrik 2011 në ora 12:04

Kosovarët duhet ta durojnë vapën tropikale deri të shtunën, kur pritet që temperaturat të ulen deri 7 gradë Celsius.

Mot i ngjashëm do të mbajë edhe të dielën, të hënën e të martën, me temperatura ndërmjet 25 e 30 gradë. Qendrat rajonale të parashikimit të motit kanë njoftuar se më freskët do të jetë nga 20 deri më 25 korrik, kur parashihet të bjerë edhe shi, ndërkaq temperaturat do të sillen ndërmjet 24 e 29 gradë.

Ditëve të fundit, temperaturat nën hije kanë arritur në 35, kurse në diell deri në 40 gradë Celsius. Por, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka ra ndërmend vetëm të mërkurën që mediave t’ua dërgojë një fllajer me udhëzime për qytetarët, se si duhet të mbrohen nga temperaturat e larta.

Në të thuhet se duhet qëndruar në ambiente të freskëta dhe të ajrosura sidomos nga ora 11 deri në orën 17, duhet veshur rroba pambuku me ngjyra të çelëta dhe duhet pirë rreth dy litra ujë.

Po ashtu, IKSHP udhëzon që të konsumohen sa më shumë fruta dhe perime të stinës, të kufizohen ushqimet e fërguara, sasitë e mëdha të mishit, sheqernave, brumërave dhe yndyrërave, ndërkaq shëtitjet jashtë të bëhen në orët e mëngjesit ose të mbrëmjes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›