E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa për pezullim të bisedimeve, konfrontim me SHBA dhe BE

Nga Express më 14 korrik 2011 në ora 13:38

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës se konkluzionet e arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk e cenojnë në asnjë mënyrë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ai ka thënë se pohimet se këto konkluzione e zhvlerësojnë pavarësinë e Kosovës, janë amatoreske. Madje, Thaçi vlerësoi se kërkesa për pezullim të bisedimeve është kërkesë për izolim të Kosovës dhe për konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Kjo ishte përgjigja e kryeministrit Thaçi ndaj opozitës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, me ç’rast sërish është përballur me shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri në një polemikë të gjatë.

Kreu i ekzekutivit të vendit, disa herë u është drejtuar deputetëve opozitarë, veçmas atyre të LDK-së me pyetjen: Urdhëroni deklarohuni, a jeni për apo kundër dialogut?.

Dialogun e zhvilluar me Serbinë, Thaçi e ka cilësuar si një sukses, duke thënë se për herë të parë zyrtarët e Kosovës ulen të barabartë me ata të Serbisë.

“Dialogu do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes së problemeve praktike që janë mbi supet e qytetarëve. Qeveria do të vazhdojë me përgjegjësinë më të lartë t’i kryej obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore, por edhe obligimet ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se nga konkluzionet e BE-së të pranuara nga pala e Kosovës dhe e Serbisë, qytetarët e Kosovës do të ketë përfitime konkrete.

Objektivi kryesor i këtyre bisedimeve, sipas Thaçit, është që qytetarëve të Kosovës t’u sigurohet qarkullim i lirë në tërë rajonin dhe në Evropë. Ai ka siguruar ligjvënësit dhe qytetarët se vijat e kuqe të përcaktuara edhe me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, do të respektohen dhe asnjëherë nuk do të lëvizet jashtë këtyre vijave.

“Kërkesa për pezullim të bisedimeve është kërkesë për izolim të Kosovës dhe për konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit është shprehur i gatshëm të debatojë për çfarëdo aspekti të dialogut dhe të konkluzave të arritura në bisedime, por ka kërkuar nga ligjvënësit opozitarë që politika ditore e tyre, mos të ndikojë mbi qëllimet madhore. (KosovaPress)

LDK kërkon pezullimin e bisedimeve

Kuvendi i Kosovës po diskuton në seancë të jashtëzakonshme për konkluzat që kanë dalë nga takimi i fundit më 2 korrik mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme ka ardhur nga tri grupet parlamentare opozitare - LDK, Vetëvendosje dhe AAK.

Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka akuzuar shefen e delegacionit kosovar për bisedime për mosinformim dhe anashkalim të Kuvendit të Kosovës. Ai ka kërkuar pezullimin e bisedimeve, derisa të përpilohet një platformë e qartë për bisedime, sikur është shprehur, në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë të Kosovës.

Kurse Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, u shpreh se këto janë konkluza që janë arritur ndërmjet dy shteteve dhe me to, Serbia e ka njohur de fakto pavarësinë e Kosovës.

Sot seanca e jashtëzakonshme për marrëveshjet me Serbinë

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për marrëveshjet apo konkluzat që kanë dalë nga takimi i fundit më 2 korrik mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Seanca e jashtëzakonshme është caktuar dy ditë më parë nga Kryesia e Kuvendit, duke respektuar kështu kërkesën e tri grupeve parlamentare, LDK, Vetëvendosje dhe AAK.

Opozita parlamentare ishte më e bashkuar se asnjëherë më parë për këtë çështje. Kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme opozita e ka dorëzuar me 40 nënshkrime të deputetëve.

Sipas kërkesës, sot në seancë duhet që kryeministri Hashim Thaçi ose kryenegociatorja Edita Tahiri, të raportojnë për marrëveshjet apo konkluzat dhe për aspektet tjera që kanë dalë nga takimet mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se me tri marrëveshjet e arritura, po cenohet sovraniteti dhe shtetësia e Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e pozitës shprehim bindjen se çdo marrëveshje do të jetë në dobi të shtetit të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›