Topi ngushëllon familjen Lizarralde
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi i ka dërguar një letër ngushëllimi familjes së përkthyesit spanjoll, Ramon Sanchez Lizarralde, duke e cilësuar si përkthyesin më të rëndësishëm të letërsisë shqipe në të gjithë hapësirën spanjishtfolëse.
“Talenti si përkthyes dhe përkushtimi profesional i Sanchez, i cili si kryetar i Shoqatës së Përkthyesve Spanjollë, si kryeredaktor i revistës së përkthyesve, si bashkëpunëtor i vjetër i gazetave ‘El Mundo’ dhe ‘El Pais’, e shndërruan në një personalitet të spikatur e të nderuar me çmime letrare e ndërkombëtare. Një vlerësim dhe mirënjohje e jashtëzakonshme për të ndjerin Sanchez vjen nga mbarë kombi shqiptar, për përpjekjet dhe kontributin e tij si një mbrojtës i vendosur i çështjes së Kosovës gjatë luftës dhe më pas - edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj. Për të gjitha këto virtyte dhe merita letrare, ai do të mbetet i paharruar në mendjet dhe zemrat e atyre që patën fatin ta njohin personalisht, si dhe anembanë trevave ku jetojnë shqiptarë, të cilët do t’i jenë gjithherë mirënjohës Ramon Sanchez Lizarraldes për jetën dhe veprën e tij dinjitoze, që afroi edhe më shumë dy kulturat e dy kombet tona”, thekson, mes tjerash, presidenti Topi në letrën e tij ngushëlluese.