Fier, abuzimi me tenderat, në hetim ish-drejtoresha OSSH
Ish-drejtoresha e Divizionit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Fier, e cila tashmë punon në drejtorinë qendrore të OSSH-së në Tiranë është vënë në hetim për abuzime me tenderat.
FIER Janë vënë dje në pranga të policisë tre inxhinierë elektrik të OSSH-së në Fier, të cilët janë të akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur një shumë prej 400 mijë lekësh. Burime zyrtare nga Policia e Fierit, thanë se nën hetim është vënë dhe ish-drejtoresha e Divizionit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Fier, Adelina Shati e cila tashmë punon në drejtorinë qendrore të OSSH-së në Tiranë, nën të njëjtën akuzë me atë të vartësve të saj. Teksa tre inxhinierët kanë provuar prangat, ish-drejtoresha Adelina Shati, me urdhër të gjykatës Fier ndalohet që të dalë jashtë territorit të vendit, pasi duhet të jetë në dispozicion të hetimeve në çdo moment.
ARRESTIMI
Burime zyrtare të policisë pohojnë se të arrestuarit dhe ish-drejtoresha akuzohen për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim . Ndërkohë arrestimet dhe marrja nën hetim, u parapri nga një hetim i prokurorisë dhe më pas përballja me togat e zeza për masën e sigurisë. "Sektori kundër krimit financiar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Fier, në bazë të urdhrit të prokurorit, dje në orën 10.00 ka bërë ekzekutimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë të rrethit gjyqësor Fier, që caktoi si masë sigurie "arrest me burg" për tre ish-zyrtarët e OSSH-së", - pohon për Gazetën zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë. Ndërkohë, ish-drejtoreshës Shati i është komunikuar masa e sigurisë për të mos u larguar jashtë vendit deri në përfundim të akuzës në ngarkim. Sipas policisë, të arrestuarit janë inxhinierët Gertian Bilero, Roland Saliu dhe Pajtim Halili. Ky i fundit, deri dje ishte ende në punë pranë OSSH-së Fier.
AKUZA
Akuza që rëndon mbi të arrestuarit është ajo e "shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim". Nga policia mësohet se për Bileron, Saliun dhe Halilin prokuroria e rrethit gjyqësor Fier ka filluar procedimin penal në bazë të shkeljeve të konstatuara nga grupi i Kontrollit të Auditit në Ministrinë Energjetike, në tenderin e vendosjes së matësve elektrikë. Hetimi për zyrtarët ka nisur që në nëntor 2006, vetëm pak javë pas përfundimit të kontrollit. Kontrolli që është bërë për periudhën 2004-2005, përfshiu dhe procesin e vendosjes së matësve elektrik. Nga burime pranë grupit hetimor mësohet se Bilero mbante rolin e drejtuesit të punimeve, Saliu atë të supervizorit dhe Pajtim Halili ishte në rolin e marrësit të punimeve. Pas fillimit të hetimeve, në nëntor të vitit 2006 e përcaktimit të pjesshëm të abuzimeve, inxhinierët Bilero e Saliu u larguan nga puna, ndërsa Halili u paralajmërua. Arrestimi i tre personave dhe vënia nën hetime e Shatit, është bërë pasi janë akuzuar për "vjedhje në bashkëpunim me shpërdorim detyre". Gjithçka ka nisur nga një tender i zhvilluar në këtë rreth, pasi dyshohet se ka pasur abuzime. Hetimet vazhdojnë dhe për 4 punonjës të tjerë, që dyshohet se janë bashkëpunëtor të tyre.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)