E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Aksidentet, policia të jetë më e ashpër"

Eksperti i transportit rrugor, Gëzim Hoxha, renditi disa prej shkaqeve kryesore sipas tij të aksidenteve në vend

Drejtuesit e mjeteve, duhet të kenë kujdes, policia duhet të ndëshkojë pa tolerancë kundravajtësit e rregullave të qarkullimit rrugor që kanë tendenca të rrezikshme, për jetët e përdoruesve të rrugës. Ky është mendimi i Gëzim Hoxhës, ekspert autoteknik dhe specialist i aksidenteve rrugore.

Ai dje për "Shekullin", tregoi se shkaqet e aksidenteve në përgjithësi dhe në zonat urbane në veçanti mbeten të jenë shkujdesja në rrugë e drejtuesve të mjeteve duke abuzuar me fuqinë e automjeteve të tyre, si dhe shkujdesja e shoferëve në përdorimin e pijeve alkoolike.

"Ka një shkujdesje të tepruar në drejtimin e automjeteve në rrugë dhe përdorim i tepruar i pijeve alkoolike nga drejtuesit e mjeteve, në mënyrë të veçantë,- tha Hoxha. Sipas tij, kontrollet për pije alkoolike ndaj drejtuesve të ndryshëm të mjeteve duhet të jenë jashtëzakonisht të rrepta dhe procedimi i tyre duhet të jetë po kaq i rreptë, që nga bllokimi i patentës e deri në masa të tjera deri edhe penale.

Sipas tij, në mënyrë të veçantë në moshat e reja është krijuar idea e gabuar se pronarët e mjeteve janë edhe pronarë të rrugës. "Nëse dikush ka një autoveturë luksoze, nuk do të thotë se ai domosdoshmërisht është edhe pronari zotëruesi i rrugës dhe se askush tjetër nuk ka të drejtë të ecë në të".

Në këtë drejtim, sipas Hoxhës, policia duhet të shpeshtojë kontrollet dhe ndëshkimet ndaj atyre drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit që më vonë mund të kenë edhe pasoja të rënda.

Sipas tij ndëshkimi ndaj këtyre drejtuesve të mjeteve duhet të jetë i një niveli të tillë që të bëhet shembull për drejtuesit e tjerë të mjeteve që mendojnë se mund të ecet me shpejtësi në rrugë, tej normave të lejuara po me shpejtësi që kalon çdo limit. Sipas ekspertit Hoxha, mungesa prindërore ndaj fëmijëve është një tjetër shkak që ai e rendit ndër ata që sjellin aksidente.

"Ka prindër të pasur që iu blejnë fëmijëve të tyre automjete të shtrenjta, për t'iu bërë qejfin por në fakt ata i vrasin vetë me duart e tyre,- shton Hoxha. Sakaq eksperti që mban mbi shpatulla specializime në degën e transportit, dhe vite të tëra eksperiencë pune në transport dhe në çështjet autoteknike thotë se puna e policisë duhet të jetë më cilësore në zonat ku ka qarkullim të dendur gjatë natës, në zona janë vënë re aksidente të llojeve të ndryshme përsëritura dhe veçanërisht gjatë fundjavës në zona të tilla si ish- blloku që janë vende të frekuentimit të të rinjve dhe të përdorimit të alkoolit.

Sipas tij, orët e mbrëmjes dhe të natës duhet të kontrollohen më me rigorozitet nga Policia, për shkak se duke menduar se nuk ka trafik, njerëzit mendojnë se edhe policia nuk është e pranishme. "Nëse drejtuesit e mjeteve do të ndëshkohen në mënyrë rigoroze për shkeljet e tyre, do të ketë pak shanse të shohim aksidente me pasoja të tilla tragjike në akset apo rrugët e ndryshme të vendit,- përfundon Hoxha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›