Ja 13 paditë civile ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë
Të paditur në gjykatë kryeministri Berisha, kryetarja Kuvendit Topalli, PD-ja, ministri Olldashi e zv/ministri Pone
TIRANË- Sulmet e kryeministrit dhe zyrtarëve të PD-së ndaj biznesit, botuesve të medieve apo kundërshtarëve të tij politikë, kanë detyruar këta të fundit t'i drejtohen gjykatës për të pastruar figurën e njollosur nga foltorja e Kuvendit ku politikanët pretendojnë se "janë të papërgjegjshëm". Janë 12 padi civile dhe një penale ato që do të nisin në janar një kalvar gjyqesh.
Të paditurit janë kryeministri Berisha, kryetarja Kuvendit Topalli, PD-ja, ministri Olldashi dhe zv/ministri Pone. Paditësit janë kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, institucioni që ai drejton, biznesmen dhe botues të mediave si Koço Kokëdhima e Artan Dulaku, si dhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.
Gjashtë prej këtyre padive janë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në cilësinë e kreut të këtij institucioni dhe njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit. Katër padi janë ndaj Partisë Demokratike, një drejtuar të paditurit, kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe një padi ndaj zv/ministrit të Brendshëm, Ferdinand Pone.
Ndërkohë, institucioni i Bashkisë së Tiranës ka depozituar dy padi civile ndaj të paditurve: kryeministrit Sali Berisha dhe Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi.
Tre padi civile janë depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet nga presidenti i kompanisë "2K Group" njëkohësisht edhe botues i gazetës "Shekulli" Koço Kokëdhima, ku të paditur janë: kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi.
Përveç këtyre padive, pranë togave të zeza në kryeqytet ka deponuar një padi civile edhe kreu i Partisë Demokristiane (PDK) Nard Ndoka ndaj kryeministrit Sali Berisha, duke kërkuar nga ky i fundit të përgënjeshtrojë deklaratën ndaj emrit të tij duke i kërkuar gjykatës që ta dëmshpërblejë me një euro.
Të gjitha këto padi civile të llojit shkaktim dëmi kanë për objekt: detyrimin për përgënjeshtrimin e deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shuma të ndryshme si dhe detyrimin e të paditurve të shpërblejnë dëmin jo pasuror të shkaktuar nga këto deklarata shpifëse dhe fyese.
Sipas padive civile të depozituara në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, nëse cilësohen shpifëse deklaratat e Partisë Demokratike, kjo e fundit në total është e detyruar të paguajë 60 milionë lekë të reja.
Gjithashtu, nëse Gjykata i cilëson deklaratat e kryeministrit Sali Berisha shpifëse dhe të pavërteta, ky i fundit detyrohet të paguajë ndaj paditësve shumën prej 50 milionë lekë të reja dhe një euro ndaj kreut të PDK-së Ndoka.
Po sipas padive, i padituri Sokol Olldashi nëse cilësohet fajtor për ato deklarata detyrohet të paguajë rreth 30 milionë lekë të reja. Kurse zv/ministrit Pone, sipas padisë, i kërkohet të paguajë 20 milionë lekë. Dhjetë milionë lekë duhet të paguhen nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Të gjitha këto padi janë hedhur në short elektronik ku janë caktuar edhe gjyqtarët që do t'i shqyrtojnë. Ndaj kryeministrit Sali Berisha është bërë edhe një padi penale në Gjykatën e Lartë për "shpifje", e depozituar nga shoqëria "Edil-al" e shtetasit Artan Dulaku.
Për këtë dosje, tashmë është caktuar pesëshja gjykuese që do ta shqyrtojë kërkesë padinë penale me relatore gjyqtaren Mirela Fana, e cila për rastësi është bashkëshortja e ish-mbrojtësit ligjor të kryeministrit, Sali Berisha, avokat Neshat Fana tashmë me detyrën e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Dosja 15581
Paditësit: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama
Të paditurit: zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni
Objekti: Detyrimin për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror te shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 20 milionë lekë
Gjyqtarja: Regleta Panajoti
Dosja 15582
Paditësit: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama
Të paditurit: Partia Demokratike
Objekti: Detyrimin për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 10 milionë lekë
Gjyqtarja: Fida Osmani
Dosja 15583
Paditësit: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama
Të paditurit: Partia Demokratike
Objekti: Detyrimin për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 10 milionë lekë
Gjyqtarja: Elbana Lluri
Dosja: 15482
Paditësi: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama
Të paditurit: Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha
Objekti: Detyrimi për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 20 milionë lekë
Gjyqtarja: Majlinda Doga
Dosja: 15483
Paditësi: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama
Të paditurit: Partia Demokratike
Objekti: Detyrimi për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 20 milionë lekë
Gjyqtarja: Enkela Bajo
Dosja 15323
Paditësi: Koço Kokëdhima
Të paditurit: Sali Berisha
Objekti: Detyrimi i të paditurit të publikojë përgënjeshtrimin ndaj deklaratave fyese dhe shpifëse ndaj paditësit. Detyrimi i të paditurit për të shpërblyer dëmin jo pasuror të shkaktuar ndaj paditësit në shumën 10 milionë lekë
Gjyqtarja: Teuta Hoxha
Dosja: 15232
Paditësi: Nard Ndoka
Të paditurit: Sali Berisha
Objekti: Detyrim për përgenjështrim të deklaratës dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror të shkaktuara nga cenimi i dinjitetit në shumën 1 euro
Gjyqtarja: Regleta Panajoti
Dosja: 15187
Paditësi: Koço Kokëdhima
Të paditurit: Sokol Olldashi me detyrë Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Objekti: Detyrimi i të paditurit për të shpërblyer paditësit dëmin jo pasuror në masën 10 milionë lekë
Gjyqtarja: Blerina Muça
Dosja: 15188
Paditësi: Koço Kokëdhima
Të paditurit: Jozefina Topalli
Objekti: Detyrimi i të paditurit për të shpërblyer paditësit dëmin jo pasuror në masën 10 milionë lekë
Gjyqtari: Bledar Abdullai
Dosja: 14987
Paditësi: Bashkia e Tiranës
Të paditurit: ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi
Objekti: Detyrimi për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 20 milionë lekë
Gjyqtarja: Elbana Lluri
Dosja: 14988
Paditës: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama (Njëkohësisht sipas ligjit Kryetar i KRRTT-së)
Të paditurit: Partia Demokratike
Objekti: Detyrimi për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 20 milionë lekë
Gjyqtarja: Teuta Hoxha
Dosja: 14989
Paditës: Bashkia e Tiranës
Të paditurit: Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha
Objekti: Detyrimi për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 20 milionë lekë
Gjyqtarja: Elbana Lluri
Paditës: Shoqëria "Edil-al" me pronar Artan Dulaku
Të paditur: Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha
Objekti: "Shpifje" dhe "Fyerje"
Relator: Mirela Fana
Gjykata e Lartë