E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flori Mumajesi, ironia e radhës quhet “Tallava”

SHKRUAN: Ilda Lumani 09-04-2011 14:50

Tashmë enigma është zbuluar. Dje në ditën e fundit të prezantimit të këngëve të edicionit të tetë të Festivalit “Top Fest”, ka konkurruar për herë të parë në këtë kompeticion kantautori Flori Mumajesi. I veshur si një polic (gardist më shumë), me antiplumb e një skafando, para të cilit në një ekran shfaqej fytyra e tij, ishte gjetja më e fundit nga Mumajesi. Në fakt ka qenë një lloj thyerje tabuje, një rrugë e re dhe një emocion i ri. Por për më tepër, kënga që ka sjellë këtë herë Mumajesi, me titullin “Tallava”, ka pasur një reagim të menjëhershëm. E që sigurisht pritet të vazhdojë edhe në vijim… Por Mumajesi kompozitori më i suksesshëm i viteve të fundit, i ka kaluar prej kohësh dimensionet e vendit tonë. Muzika e tij kërkohet nga këngëtarë që nga Ballkani e deri në Izrael. Për më tepër këtë fillim qershori, Flori konkurron në edicionin e dytë të Festivalit “Balkan Music Awards” (vjet u klasifikua i dyti) me tre këngë të kompozuara prej tij, si edhe për dy çmime “Best Song” dhe “Best Ballkan Project”.

Flori, për herë të parë merrni pjesë në ‘Top Fest’. Arsyeja që u motivuat për të qenë pjesë e këtij kompeticioni?

Nuk më duhej të kisha ndonjë arsye specifike, duhej një këngë e bukur (qesh). Dhe pasi e kisha këngën, po e dëgjoja dhe më erdhi ideja të merrja pjesë edhe unë në ‘Top Fest’.

Përsa i përket këngës, mund të na tregoni konkretisht diçka rreth fabulës, realizimit?

Fabula është shumë e thjeshtë dhe aktuale, fenomeni TALLAVA (qesh). Kam shkruar një tekst, i cili tregon se si rinia moderne sot e pëlqen tallavanë dhe e kërcen në 7 ditët e javës, por në të njëjtën kohë e mohojnë, duke prishur fytyrën ‘pffffffff tallava’... Në fakt, kjo ndodh më shumë tek ata që merren me muzikë, ose që janë marrë dikur me muzikë… ca pleq dhe plaka, që kur mbajnë ligjërata për muzikën flasin aq keq për të rinjtë dhe muzikën tallava, sa që kur i dëgjoj duket si kur tallavaja është një mashkull që ju ka marrë gruan, apo edhe e kundërta! Sidoqoftë, për të mos u bërë edhe unë si ata, bëra këtë zgjedhje, të cilën ma pëlqen shpirti im JASHAAA! (qesh).

Në këtë ‘Top Fest’ janë në konkurrim edhe këngë të tjera tuajat. Mes të cilave, kënga e Elvana Gjatës, e cila konkurron me një baladë. Keni zgjedhur baladë sepse aty e gjen më mirë veten Elvana, apo sepse në balada, Elvana ka qenë më e suksesshme... ?

Për këngën e Elvanës kam punuar më shumë se kurrë ndonjëherë. E dua shumë atë këngë. Kur të vjen ky emocion, nuk ka më rëndësi asgjë tjetër. Ky emocion erdhi me një material që unë do ta quaja POP BALAD.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë kompeticion?

Kënga ’TALLAVA’ do të doja të dëgjohej shumë, sidomos nga ajo pjesë që ndoshta e ka pasur të vështirë ta pranojë se një këngë, mjafton të jetë e bukur për ta dëgjuar. Pa marr parasysh çfarë rryme është! Të njëjtën gjë edhe për këngën e Elvanës.

Fakti që Elvana (ashtu si dhe ju) merr pjesë për herë të parë, është shoqëruar edhe me komente që e shohin atë si fituese. Ju si i shihni këto komente dhe duke qenë se jeni njohur edhe me këngët e tjera, pretendoni fitoren e Elvanës?

Mendoj se kjo ndodh kur një artist gëzon respektin dhe dashurinë e publikut. Ndërsa për rrethet “artistike” nuk ja vlen të mendosh se i bëjnë komentet me sinqeritet apo me qëllim të mirë (qesh). Sidoqoftë, falenderoj ata që vërtet e mendojnë kështu!

Përsa i përket kompeticionit të ”Top Fest”, ekziston një lloj perceptimi, që kush kompozitor merr pjesë në këtë Festival nuk merr pjesë te "Kënga Magjike". Ju vetë e shihni këtë problem? A ekziston vërtet? Dhe a do t'ju shohim sërish në skenën e "Këngës Magjike"?

Është e vërtetë që ekziston ky perceptim, por jo nga publiku. Fakti që unë po marr pjesë në “Top Fest”, nuk do të thotë se nuk do të marr pjesë asnjëherë në Festivalin “Kënga Magjike”. Pse nuk më pyesni edhe për Festivalin e madh? Kaq i parëndësishëm është?

Aspak, por ai nuk përbën konkurrencë mes dy festivaleve që përmendëm! Flori, gjithashtu edhe këtë vit konkurroni në Festivalin Ballkanik, si këngëtar dhe kompozitor. Kë sheh nga këngët konkurrente (shqiptare) deri tani si favorite? Personalisht, për kë bën tifo?

“Ma Mani Nejen”, “Origjinale”, “Making OF”, për të 3-ija, sa i përket këngëve nga Shqipëria, por meqë konkurroj për “Best Song dhe “Best Ballkan Project me Alisian do të bëj tifo edhe për Alisian!

Për hir të së vërtetës, ky Festival ju ka hapur edhe dyert si kompozitor, në Ballkan e më tej, fillimisht në Bullgari dhe madje deri në Izrael. Sa ju lumturon ky fakt dhe ku shkojnë tashmë ambiciet tuaja?

Më lumturon shumë, por nuk më mjafton (qesh), kam dhe më shumë etje!

Këngët tuaja janë kthyer në hite të padiskutueshme, sidomos verës së kaluar. Këtë prag vere, sa këngëtarë kanë mbërritur në studion tuaj me këtë kërkesë? Mund të na tregoni ndonjë emër këngëtari dhe cilat janë këngët që pritet të dalin së shpejti?

Emra nuk po ju them, por mund t'ju them se nuk janë shumë, por janë të përzgjedhur.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›