E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushner: Serbia dhe Kosova të harrojnë të shkuarën

“Pjesëmarrja e përbashkët e dy shteteve në Sarajevë, një sinjal pozitiv”

Shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kushner, ka deklaruar që Serbia dhe Kosova duhet të harrojnë të kaluarën e dhimbshme dhe të kthehen nga e ardhmja. Duke folur për Samitin e djeshëm në Sarajevë, Kushner tha se dëshiron që "ky takim i jashtëzakonshëm" të jetë "demonstrim i unitetit të komunitetit ndërkombëtar, por edhe i tërë Ballkanit". Në këtë kuptim ai tha se përshëndet pjesëmarrjen e përbashkët të Serbisë dhe Kosovës, duke shprehur dëshirën që këto dy vende t'u bashkohen aksioneve apo takimeve të bashkëpunimit rajonal në të ardhmen dhe që përfundimisht të mos ketë vështirësi. Për vetë takimin e Sarajevës, Kushner tha për një të përditshme të Beogradit, se ky samit do të tregojë angazhimin e vendeve anëtare të BE-së në dobi të zgjerimit, duke i rikujtuar tërë opinionit publik se vendet e Ballkanit e kanë vendin e tyre brenda BE-së. I pyetur rreth takimit Francë-Afrikë në Nicë dhe nëse atje Franca ka përgatitur njohje të reja për Kosovën, Kushner tha: "Franca, si shumica e vendeve anëtare të BE-së, e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ajo konsideron se njohja e realitetit është element i stabilitetit. E kam ftuar, pra, ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, që të vijë në Nicë e të mund të takohet me ministrat afrikanë, të cilët duan të kenë takime me të. Thjesht bëhet fjalë vetëm për këtë dhe nuk ka qëllime të fshehta. Kjo nuk na pengon që të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me miqtë tanë serbë", tha Kushner në një intervistë për gazetën "Veçernje novosti". Ndërkaq, shefi i diplomacisë së Kosovës, Skënder Gyseni, ka deklaruar dje në Sarajevë se “nuk ekziston ndonjë mundësi që të ulemi në tryezë dhe të bisedojmë rreth statusit tonë me Serbinë”. “Pavarësia e Kosovës nuk mund dhe nuk do të jetë subjekt i debateve”, ka thënë Hyseni, për të shtuar se Kosova është e gatshme të bisedojë me Serbinë në lidhje me çështjet praktike, që janë të interesit të përbashkët. Ai theksoi se edhe këto bisedime mund të zhvillohen “vetëm si palë të barabarta, që do të thotë si dy shtete të pavarura dhe sovrane”.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se pjesëmarrja dhe përfaqësimi i barabartë i Kosovës me shtetet e tjera në Samitin e Sarajevës është njohje unanime ndërkombëtare për vendin. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Thaçi tha se në Samitin e Sarajevës, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, do të prezantojë të gjitha të arriturat e shtetit të Kosovës, si në sferën politike, ekonomike dhe reformat demokratike për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. “Në Samitin e Sarajevës janë prezantuar të gjitha të arriturat e shtetit të Kosovës, edhe në sferën politike të afirmimit e të drejtave të minoritarëve, të arriturat ekonomike, reformat demokratike dhe vizioni për të ardhmen dhe ndërtimi i raporteve të shkëlqyeshme me të gjithë fqinjët”, ka thënë Kryeministri Thaçi. Serisë së deklaratave në lidhje me integrimin e Kosovës i është shtuar edhe ajo e ish-ministrit britanik për Europën, Denis MacShane, i cili i ka bërë thirrje Këshillit të Europës që të ftojë parlamentarët kosovarë në mbledhjet e Këshillit të Europës. Duke folur në Komitetin për çështje Politike të Këshillit të Europës në Paris, MacShane tha se anëtarët e Parlamentit të Kosovës, duke përfshirë edhe serbët, duhet të ftohen në Strasburg për të parë se si diskutojnë kolegët e tyre parlamentarë europianë dhe se si vendosin për çështje të diskutueshme. "69 vende anëtare të OKB-së e kanë njohur deri tani Kosovën, duke përshirë të gjitha demokracitë madhore të botës; po ashtu edhe 33 vende anëtare të Këshillit të Europës e kanë njohur Kosovën", u ka MacShane anëtarëve të Këshillit të Europës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›