Fluksi i emigrantëve dobëson euron
Zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare kanë bërë që euro të pësojë rënie në tregun vendas. Sot euro, sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, ka rënë në nivelin 122.31, rreth 0.18% më pak se ditën e djeshme. Në fillim të këtij muaji euro është këmbyer për 123.37, në nivel mesatar, ndërkohë që sot ajo këmbehej për 122.31.
Euro e dobët është një lajm i mirë për të gjithë ata persona që kanë marrë një kredi në euro, por gjithashtu edhe për të gjitha ata tregtarë që blejnë mallra në Eurozonë për ti shitur më pas në tregun vendas. Kështu tregtarëve do tu duhen më pak lekë në dispozicion për të blerë mallra me monedhën euro.
Por kjo rënie e menjëhershme e euros në tregun vendas, sipas specialistëve mendohet të ketë ardhur edhe për shkak të emigrantëve që kthehen në Shqipëri për festën e Pashkëve. Shumica e emigrantëve vijnë nga vendet e Eurozonës dhe kërkojnë të thyejnë paratë në euro. Kjo ofertë e madhe për euro bën që ajo të pësojë rënie në tregun vendas.
Nga ana tjetër dollari amerikan ka njohur rritje, duke u këmbyer për 78.31 dollarë, ose 0.59 pikë më shumë se dje. Janë të paktë shqiptarët që bëjnë tregti në dollarë, por janë të shumtë ata që ndikohen nga ai. Kjo pasi dollari ka një lidhje të drejtpërdrejtë më çmimin e naftës, i cili është me shumë ndikim edhe te konsumatorët shqiptarë. Kështu me rritjen e dollarit, çmimi i naftës pëson rënie. Sipas agjencisë së lajmeve Bloomberg, specialistët parashikojnë një rënie të çmimit të naftës javën që vjen pas rritjes së dollarit.
Euro- Dollar
Dollari është këmbyer sot në nivelin më të lartë të dy ditëve ndaj euros. Të gjithë investitorët mendojnë se FED (Banka Qendrore Amerikane), nuk do të vazhdojë uljen e normës bazë të interesit ndërkohë që Ekonomia Europiane tregon shenja rënieje.
Euro ka rënë në nivelin më të ulët të tre javëve kundrejt dollarit pasi një raport i Bankës Qendrore Europiane tregoi se rritja ekonomike në Europë po ngadalësohet.
“Kemi dalë nga një situatë ku tregtarët ishin pesimistë lidhur me ecurinë e ekonomisë amerikane, dhe prandaj dollari ka rifituar pikë” – tha Robert Sinche, shef i këmbimit në Bankën e Amerikës në New York. “Në të njëjtën kohë, po shohim që të dhënat në Europë janë gjithmonë në rënie”.
Dollari është rritur me 0.3% deri në nivelin 1.5634 ndaj euros nga 1.5682 që këmbehej ditën e djeshme. Ai arriti madje nivelin 1.5555, më i larti që prej datës 3 prill.
Monedha amerikane është rritur me 1.6% ndaj euros në dy ditët e fundit, rritja më e lartë javore që prej muajit Mars.
Oferta monetare M3 në Euro-zonë, e cila përdoret nga ECB (Banka Qendrore Europiane) si barometër i inflacionit, është rritur me një normë vjetore 10.3% për muajin mars, krahasuar me 11.3 % një muaj më parë. Ngadalësimi i rritjes së ofertës monetare mund të detyrojë ECB-në të ulë normën bazë të interesit nga niveli 4% që është aktualisht.
“FED nga ana tjetën nuk do ta ulë normën bazë të interesit dhe kjo vendos një taban për dollarin”- tha Jeremy Stretch, shef këmbimi në Radobank International, banka e tretë më e madhe në Gjermani. “Ka gjithashtu shenja për zbehje të ekonomisë në eurozonë dhe kjo do të ndikojë që dollari të forcohet deri në nivelin 1.5550 javën e ardhshme- parashikon Stretch.Orjeta Zhupa