E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, mbi 10 mijë emigrantë gdhihen jashtë

KAPSHTICË- Rikthehet kaosi dhe radhët e gjata në Kapshticë. Mbi 10 mijë emigrantë gdhijnë natën në kufi, ndërsa nëna me fëmijë të vegjël dhe të moshuar, kanë pritur radhën për të hyrë në atdheun e tyre. Gjatë 24 orëve të fundit është mbipopulluar kufiri Shqipëri-Greqi në juglindje të vendit në pikën kufitare të Kapshticës. Mbi 5 kilometra e gjatë ka qenë radha në anën greke të kufirit, e cila ka mbetur e pandryshuar gjatë gjithë ditës së djeshme, ndërkohë që emigrantët shqiptarë janë gdhirë jashtë nën qiellin e hapur të Kapshticës.

Radha kilometrike

Orët e fundit para festës së Pashkëve kanë krijuar një dyndje të pazakontë në kufirin mes dy shteteve. Në tokën greke numri i mjeteve në pritje të procedurave ka qenë i jashtëzakonshëm, ndërsa mbi 10 mijë emigrantë janë gdhirë jashtë. Ndonëse pala greke nuk e ka ndërprerë për asnjë moment punën, ashtu si dhe kolegët e saj në anën tjetër të kufirit, nuk është bërë i mundur evitimi i këtij kaosi. Mësohet se makinat në radhën e gjatë kilometrike kanë mbërritur deri në fshatin e dytë grek, buzë kufirit me Shqipërinë. Vetë udhëtarët kanë pohuar se fluksi në tokën greke, ka qenë i paparë. Mjetet e tyre janë vënë në radhë kilometrike, ndërsa nga ana tjetër, pala greke ka shtuar numrin e efektivave. “Pala greke ka punuar me katër sportele, vetëm për daljet nga Greqia, duke mos e ndërprerë për asnjë çast punën dhe gjatë orëve të natës, kurse pala shqiptare punon me 6 sportelet për hyrjet në Shqipëri”,- thanë dje burimet zyrtare. Fakt, ky i mbështetur edhe nga vetë emigrantët që kaluan kufirin ditën e djeshme.

Emigrantët

Agim Beri, nga Elbasani tregon gati i përlotur se i është dashur të qëndrojë bashkë me fëmijën njëmuajshe duke e gdhirë natën jashtë. “Vajza m’u sëmur dhe e kam me temperaturë, megjithëse iu kërkova punonjësve grekë të më lejonin të ikja më shpejt. Kjo gjë s’ka qenë e mundur, pasi mjeti im ishte 2 kilometra larg, ndaj u detyrova të prisja radhën për të kaluar. Tani fëmijën e kam rëndë dhe do të shkoj në spitalin më të afërt për ndihmë”,- thotë ai, në nxitim e sipër për të gjetur ndihmën e nevojshme mjekësore për foshnjën. Pritja këtë herë duket se ka kaluar të gjitha kufijtë e menduar. Ashtu si edhe herë të tjera, ata betohen se nuk mund të vijnë më, me këtë lloj vështirësie në atdhe. Por, ashtu si rëndon, e shkelin premtimin dhe vijnë sërish, shtyrë nga malli. Pohimet e emigrantëve që kanë pritur në anën greke të kufirit gati janë të njëjta, ndërsa ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit përtë evituar këto situata, që iu përsëriten sa herë që vijnë në Kapshticë me raste festash.

Mbërrijnë 40 autobusë

Nga shifrat zyrtare mësohet se në 24 orët e fundit kanë hyrë nëpërmjet Kapshticës 2400 mjete, si dhe 40 autobusë nga qytete të ndryshme të Greqisë, ndërsa pritja e tyre ka kaluar të 12 orët. Situata e rënduar, ky fluksi i emigrantëve që vijnë për festën e Pashkëve ortodokse e para e këtij lloji gjatë viteve të fundit ka nxitur një takim mes autoriteteve të larta të policisë greke dhe asaj shqiptare. Kështu drejtori i Policisë së Kozanit është takuar me Drejtorin e Kufirit të qarkut të Korçës, ndërsa është garantuar se do të shtohet numri i efektivave në tokën greke për të mos u përsëritur e njëjta situatë edhe për hyrjet në Greqi pas disa ditëve. Përfaqësuesit grekë kanë garantuar se puna do të jetë me ritme të larta, dhe nuk do të ndërpritet për asnjë çast për të garantuar më pak konfuzion, ndonëse udhëtarët kanë zgjedhur të njëjtën ditë për të mbërritur në atdheun e tyre.

Xhon Baka

Fluks në Kakavijë, hyjnë 16 mijë emigrantë

KAKAVIJË- Dy ditë para festës së Pashkëve është katërfishuar numri i emigrantëve shqiptarë që kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës. Vetëm përgjatë 24 orëve të fundit, në territorin shqiptar kanë ardhur rreth 16 mijë emigrantë, me rreth 6 mijë automjete dhe 100 autobusë, një shifër kjo mjaft e konsiderueshme. Një fluks i tillë lëvizjesh ishte parashikuar dhe i pritshëm nga të dy palët, si shqiptare dhe ajo greke. Për të shmangur radhët e gjata dhe kohën e pritjes, veçanërisht gjatë orëve të natës, kur edhe lëvizjet kanë qenë shumë të mëdha, nga pala shqiptare në Kakavijë janë vënë në dispozicion të emigrantëve numri maksimal i sporteleve, gjithsej 12 vetëm në hyrje. Kjo masë e marrë ka bërë që gjendja të paraqitej ndryshe nga herët e kaluara dhe radhët e krijuara kanë qenë të kalueshme. Ndërsa përgjatë ditës,janë vënë në dispozicion 9 sportele në hyrje dhe 3 në dalje. Po kështu edhe nga pala greke janë hapur 5 sportele në dalje dhe kjo ka bërë që radhët të jenë të pranishme vetëm brenda territorit të dy doganave, në rreth 1.5 kilometër gjatësi. Por sipas drejtuesve të Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës, një kohë pritjeje e shkurtër është mjaft e justifikuar, për shkak të fluksit tepër të madh të lëvizjeve. “Një fluks i madh lëvizjesh ishte i pritshëm, por mund të themi se shifrat i kaluan parashikimet tona.Kemi marrë të gjitha masat me shtimin e numrit të sporteleve dhe të efektivëve, për ta përballuar fluksin”,- është shprehur komandanti i Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës, Elton Papa. Ndërkohë që përgjatë orëve të mesditës, radhët janë eliminuar ndjeshëm.

E.Bani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›