E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flurans Ilia, profil i “figurinave” postkomuniste



Liqeni i Pogradecit duket se ka destinin metafizik për ata njerëz që shkruajnë, të lindur atje. Një filozofi ujore ku qëndron e kaluara si një zonë realiteti, prej nga kthehet koka për të kuptuar magjinë e ndjeshmërisë. E sotmja e atij liqeni, ashtu si gjithçka tjetër, nuk të thotë gjë.

Ekzistenca duket se nuk shqetëson sot ndokënd për aq kohë sa çlirimi kuptohet vetëm, pasi e ke kryer rrugën. Ky lexim vjen nga botimi i parë me tregime i Flurans Ilias. Është nga Pogradeci. “Thembra e kujtesës”, botimet “Ideart”, rreh si konotacion i dëgjuar për veshin, si një pikë e dobët, si dorëzim, si vdekje që na ndodh. Por në tregimet e Ilias ndodh krejt e kundërta, është ardhje e çuditshme nga pika e vdekjes. Kjo pikë që na rikthen në gjallje, në një realitet që tashmë është kaluar dhe që duhet vjelë.

Në tregimet e pas ’90-s vështirë është të gjejmë gjurmë të kësaj metafizike, ku koha bëhet e frikshme dhe e rreptë. E sidomos kur memoria ngjall kuriozitetin të zbulojë çka ngjarë në zonat e saj më të errëta. Kjo është situata njerëzore, prej nga qenia në tregimet e Fluransit tregon se si mbahen këmbët në një tokë që nuk pushon së rrotulluari. E gjithë kjo e shndërruar në një përvojë ikjesh që përjeton prozatori në tregimet e tij, por si duket nuk i ka lënë gjë mangët edhe jeta reale.

Tregimet lexohen si autobiografike, ku ruhet fjala e i kushtohet shumë kujdes. Fluransi shprehet si një pinjoll i denjë i liqenit, duke e shkruar atë gjuhë në një gramatikë ringjallje. Një lexim që nuk është hasur qysh në librat e Kutelit, a Poradecit.

Duke i takuar një brezi që rinia e tij po shoqëron tranzicionin shqiptar prej 18 vitesh, tregimet padyshim shikohen me një shqisë të gjashtë, për të ndjerë dhe nuhatur më tepër lirinë. Ndërsa vetëdija ndjek ekzistencën e tij, si përfaqësues i fateve njerëzore.

Mënyra se si e përdor imagjinatën dhe ndjeshmërinë kanë bërë që në këtë vëllim me tregime të tërheqin vëmendjen disa prej tyre, por do të veçonim “Figurinat”.

Është ese filozofike, ndër të rralla të shkruar me aq mjeshtëri në këto 18 vite, prozë e shkurtër shqiptare.

Një tregim me filozofi orelluane. Alegori dhe ironi. Në një punishte të vogël të kukullave, prej ku luhet dhe teatri si i tillë, nënkuptojmë një sistem pervers politik. Nuk ka kohë, por aty detajet arrijnë të na tregojnë një frymëzim pushteti. Siç mund të hamendësojmë menjëherë sistemin e diktaturës. I gjithë përshkrimi alegorik kalon në mendjen e paformuar, në karakterin e pangjizur të një adoleshenti.

Se si ky djalosh përjeton sistemin e kukullave të Humbabasë dhe trashëgiminë e tij, tregon jo vetëm një botë të brendshme shpirtërore që është gati të shpërthejë, dhe të përmbushë kënaqësitë e tij dhe egon mbi “qenie” jo të gjalla. Por është një rast tipik se çfarë është i zoti njeriu të arrijë dhe të shfytyrojë identitetin e tij, përballë tjetrit, kur ky “tjetri” nuk është veçse alegorikisht një kukull. Ne shqiptarët kemi qenë të tillë për 50 vjet. Po ta përfytyrojmë këtë ese si një paralelizëm politik do të ishim plotësisht të saktë të mendonim se sa në mënyrë ordinere, perverse, është përdorur dhe ngritur pushteti diktatorial. Dëshmia alegorike që na sjell Ilia përmes “Figurinave” është aq e dhimbshme, por njëkohësisht mban me vete dritën e një ndërgjegje të fortë. Është gati një autopsi plot sarkazëm i diktaturës.

Një pohim ku ironia ther fort në kokat e gjithsekujt që ka jetuar në atë kohë, dhe e ka mbarsur rininë jo si ekzistencë, por si qenie jashtë çdo kuptimi dhe trajtese si e tillë. Ky tregim është i njohur për lexuesit në një numër të gazetës “standard” para se Ilia të botonte këtë vëllim.

Me leximin e “Figurinave” hyhet tamam në “thembër të kujtesës”, si kulminacion i këtij libri. Shenjat e një filozofie të pastër të ekzistencës e sfidojnë lexuesin në këto tregime. Fluransi është papritur një udhëtar, emigrant që duket dhe kjo si histori e gjatë shqiptarësh, që nuk merr fund. Tregimet e kësaj natyre janë të thjeshta, prekin dhe ironizojnë. Natyra e tyre është krejt e sinqertë, duke siguruar jo vetëm çlirimin shpirtëror, por edhe rikthimin e ndjesive, nga kanonet e ngurta dhe klishet e trashëguara të soc-realizmit. Lënda artistike e tregimeve është një lloj universi ku takohen lexuesit me realin shpirtëror, si përjetime dhe përvoja jo vetëm personale.

Erosi dhe dashuria duken si një gjë e dyshimtë tek tregimet e Fluransit, si një pamundësi për të ndjerë me gjithë shpirt. Por provokimi zbehet në momentet kur kjo ndjeshmëri kalon provën e magjisë, duke krijuar biblikisht shëmbëlltyrën e njeriut që kërkon të bukurën në mënyrën se si jeton.

Ilia nuk fsheh dhe nuk zbukuron asgjë nga realiteti, duke rrëfyer pa melo, çfarë e bën angështi jetën, si një individ që i ka qëlluar të jetojë kudo dhe t’i vuajë me dinjitet të zezat e tranzicionit.

Mbi këtë ai kërkon edhe mbinjeriun, që thjeshtësisht në portretin e prozatorit ai është i kudondodhur- emigrant, filozof, dijetar, latonjës gjuhe, një njeri që vetëm ecën, eksploron, një mendje që nuk i pëlqen të meditojë por të kujtojë, dhe t’i largohet harrimit. Kjo është natyra më tërheqëse në tregimet e Fluransit, është një kalim kafkian që vjen herë si postmoderne, dhe herë si metafizikë ku realiteti është një ngjarje e largët, diku nga kaluara, me të cilën jeton sot. Të tilla vijnë tregimet si “Xhungla”, “Rruga e qumështit”, surealizmi tek “Njëbrirëshi” etj.

Ilia bëhet dhe social. E prek çdo gjë e qytetit të tij. Jo thjesht konteksti tashmë i njohur romantik për liqenin. Por për një mbinatyrë që merr dhe anën tjetër mistike, ndjeshmërinë, dhe koprracinë që jeta i ka dhënë asaj zone në vitet e tranzicionit. Duke shfaqur haptas shqetësimin mbi gjëra që shkojnë sa drejt absurdit, aq dhe një realiteti përsosës të zymtësisë. Ky lloj tregimi është krejtësisht angazhim shpirtëror që ironia i mbetet si rebelim. Ndërsa tregimet ngjishen më fort pas detajeve dhe episodeve që ngjallin një lloj loje fëminore, sa sinqeritet, naivitet dhe natyrshmëri për t’i parë gjërat me inat, ashtu siç janë.

“Rekuiem për kthimin e shpirtit”, e kthen rrëfimtarin në ditët e sotme, tamam në zhgjëndrrën e vendit të tij, që me koshiencë e kupton pse ky vend pjell sindroma të tilla mistike, siç ishte zhvendosja e kodrës së varreve, pse nga aty u shkul një pemë.

Ashpërsia e tij bëhet e mprehtë në trajtat e një burri. Vëmendja e procesit në përshkrimin te “Brisku i berberit” e bën edhe më inatçor, në një kontekst asgjësimi të vetvetes, duke hiperbolizuar imagjinatën në një lirizëm të egër. Ky është tregimi i fundit që mbyll “thembrën e kujtesës”, si një cikël jete duke thirrur gjithë personazhet e tij për të kuptuar hapësirën që zë ky prozator në hapësirën e sotme, një jetë rrethore, si të thuash ishullore, apo rrjedhë lumi. Nga këtu ky vëllim është vetëm pika e nisjes për Flurans Ilian.

Njëbrirëshi

Magjepsja ndaj misterit të mungesës, e bënte të vështronte akoma më me ngulm, natyrën për-rreth. Djathtas, barriera baritore bregdetare, me pisha të larta belkëputura, dhe bredha të shkurtër barkfryrë.

Majtas, deti i dyndur në nuanca ngjyrimi bluerrët, që shpesh ç'ngjyrosej kur dita rendte drejt muzgut, dhe mbretëria e shikimit, i nënshtrohet skotomas, pikës së errët të vështrimit.

E sotmja veçanti e këtij segmenti kohor, paraperëndues, ishte përndezja e veshur në të kuqërremtë, e krejt qiellores masë në horizont. Ose ndoshta, ishte syri i tij i skuqur që e përflakte pamjen që vinte nëpër det. Pasqyrimi i diellit perëndues perandorak, gjer tek këmbët e zbathura, që preknin të parën valë, që rivinte dalë-kadalë, valë-valë ...

Natyra e kuqërremtëheshtur e peizazhit dhe mendimet bluerrësuara të djaloshit, dukej sikur kishin lidhur një pakt pritjeje të fshehtë midis, që erëmonin aromë lëmyshqesh ndanë shiut që lagte muret e qytetit. Ndjesi e kapur pre, në një vend të caktuar, në rrethana të caktuara. Në varësi të së cilave ai ende nuk kuptonte asgjë nga e gjithë kjo masë pa formë. Por, që e shtynte akoma më fortë ta sodiste i qetë, si një pikturë moderne, ku ndjesia e mesazhit ndijohet pa linja të qarta përftimi ndërtimor. Ndaj edhe i pëlqente të ndodhej aty, në bregdetin e shkatërruar të Currilave ...

Nga vendi ku kodra puthej me vijën bregdetare, rrokte krejt hapësirën që i lejonte shikimi. I ulur këmbëkryq, mbi një masë leshterikësh të tharë, nga mirazhi i orëve të zhuritjes nën diell.

Prej vendtakimit purgatorin, ndijonte aromën e kripës që vinte nga fuqia posedoniane e detit; bashkuar me ajrin që zbriste nga lartësia olimpike e kodrës; që bëheshin njësh, për së brendshmi, në frymën e tij.

Firoma, si një kraharuar i praruar, kurbantherrur, duke gulçuar, mbi vet krijimin e frymuar, karramohej fjalëtuar!

Për të ardhur gjer tek ti: Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë. Në fillim, (kur Perëndia krijoi gjithçka), tashmë ishte Ai që quhet “Fjala”. Ky kishte qenë gjithmonë me Perëndinë dhe ishte vet Perëndi.

“Fjala” për Grekët e lashtë është “λογοσ”, dhe “Logos” përfshinë çdo lloj komunikimi. Mund të shqipërohet edhe “Mesazh”.

Ja pra ç'qe në krye të herës pranë Zotit, dhe detyra (ime) është të përsërisë dita-ditës si një psalm plot përvujtni, të vetmen ndodhi, për të cilën mund të thuhet e vërteta e pakthyeshme.

Koha ishte ngujuar, vragë, mbi ballin e tij nga rrahjet barbare me rrip nga Ati i dehur prej papunësisë. Pergamenë e fshirë ëndrrash, mbi sy, nga netët e bijve të heroinës, ndër vagonët e braktisura të stacionit, të trenave të tranzicionit. Në tërheqjet për leshrash të edukatorëve të shkollës. Nga mashtrimi i radhës. Nga bishti i pirunit të mprehur si thikë, ngulur përfund barkut të ballëgjerit, që i kishte thyer dy dhëmbët e sipërm ballorë, me ballin e vet shkëmborë, dhe e kishte shëmtuar aq mizorisht për të dytën herë (pas vragës së rripit të Atit).

Koha përthyhej, përplasshëm si vala, drejt bregut. Ajri që vinte nga kodra i ledhatonte cullufet mbi ballë. Ai nuk ishte fllad. Ishte thithka e gjirit ushqyes, që prodhonte jetë, duke ushqyer dashurinë foshnjore. Ishte dora e humbur ndër shtegtime, që luante mbi harpën e valëve. Ishte këngë pështjelluese, që po përpiqej të shtjellonte. Ndaj dhe e lëshoi veten muzikalisht, si fëmija i uritur në gji të nënës.

Gjithçka fillonte nga poshtë dhe ngjitej lartë. Që nga thellësia, vetthellësia, e ftohtë, misterioze, e padepërtueshmja, funddetësi. Ku miliona vjet më parë kishte lindur e para qelizë trunore; që prej miliona vjetësh ishte përpjekur me aq stërmundim t'i avitej bregut. Bregut të vakët llapaçitës. Bregut të njohur ku deti villte leshterikë të pafundmë. Vendit të së parës puthje që jeta i kish' dhënë tokës, kur qelizat miliona vjeçare u shndërruan në peshq mira vjeçar, dhe Ripidistët u shndërruar në zvarranikë, në përpjekjen dinosaurjane për të pushtuar sterenë.

Pikërisht aty, emocioni vibrant transmetohej mbi ballin e djaloshit të përndezur nga e kuqërremta e diellit në perëndim. Ose ndoshta, ishte syri i tij i skuqur që e përflakte pamjen që vinte nëpër det, pasqyrime të diellta perënduese perandorake, gjer tek këmbët e zbathura miturake, që preknin të parën valë, që rivinte dalë-kadalë, valë-valë ...

Si fragment i dikurshëm i pasqyrës, poshtë bankës së a-b-cësë, që pozicionohej fshehurazi aq sa për të përftuar përballë, pamjen poshtë katedrës ku shfaqej orana e kofshëve dhe brekëve të kuqërremta që fshihnin misterin përthithës bermudian të mësueses që e priste me një shuplakë mbi vetull. Një shuplakë që e detyroi të shikonte nga të katra anët me sy të xixëlluar imazhin e përftuar në pasqyrë, të përthyer në mijëra imazhe kaleidoskopike të veckël breçkash të kuqe. Përballë së cilave, jo për fajin e tij, farëzimi zemërak i yjeve e kishte shtënë nën fatin e shenjës së Demit. I cili, nuk dihej asnjëherë, përse vërsulej me aq tërbim vetëm mbi përzgjedhjen e kuqe, në larminë e gjithë atyre ngjyrave që mund të zgjidhte pa mundim.

Dhe demi dikur, ndërsa dheut harbohej, kishte qenë Njëbrirësh. Nuk dihet kur?, përse?, qysh?, iu shtua briri i dytë?. Prej këtu kuptohej qashtër se djalli dybrirësh ishte veçse një mutacion pa origjinalitet. Njëbrirëshi origjinal nuhaste veç me bri. Askush nuk e kishte parë. Megjithëse legjendat thoshin se ekzistonte. Anipse për 'të nuk kishte dëshmi. Ndaj dhe trunorët e steresë morën një vashëz të virgjër gjer në shajni, dhe në trungun e më së madhes pemë e lidhën në pyllishtë. E i thanë:

“Hapi pak këmbët, se Njëbrirëshi do të vij, e dimë se e ndjell veç flladi dalldisët i virgjërisë!”

Dhe ashtu vajza ndenji, në pritje...

Përmes pështjellimit përndezës përrallor piskama pikasi paudhësinë përbindëshe përballë përbindëshit!

Njëbrirëshi nuhati nyjën ndërlidhëse me botën, dhe ballin mbështeti përfund barkut të saj.

Kjo ishte dëshmia e vetme që trunorët patën mbi pamjen e Njëbrirëshit mitik. I vetmi çast pas të cilit u tret në mjegullt mitologjikisht...

...rrugëve të një atdheu, ku vagonët e ndryshkur të tranzicionit prisnin lokomotivën që t'i lëvizë.

Mjegulluar mbështolli masën mishtore veshur me nevralgji djaloshi. Lëshuar symbyllur mbi leshterikë, si një degëz bredhi barkfryrë, mbytur nën pushtetin e pëllëmbës së vet. Ndërsa qiellin pranë e përshkoi një zog vetmitar në kërkim të anijes së humbur, këngës së humbur, fëmijërisë së humbur, qyshkur nëna e tij kishte humbur. Humbur, qyshkur të gjithë e thërrisnin: ‹‹Bir kurve!››, dhe i vetmuar nëpër vagonë xhamathyer të derteve heroike të heroinës, kryqëzonte papunësinë e Atit të vet, ish-makinist. Atij që i takonte të shtynte vagonët, dhe jo ta ndëshkonte si përherë.

Me sy të skuqur u drejtua drejt lartësisë olimpike të kodrës prej së cilës ai fllad ringjallje vinte mbi ballin e tij të shënjuar me rrip. Prej aty ku ish mbreti kishte ndërtuar vilën e tij, me sy të lirë dukej i gjithë qyteti, me portin ku anijet niseshin nëpër botë, me stacionin e vagonëve të braktisur, me bulevardin e mbrëmjeve verore, ku Bukuroshet e Durrësit shëtisnin sikur t'i ishin vjedhur mozaikëve, sikur të kishin shpëtuar fshehurazi nga rrethinat e amfiteatrit të jetëve antike, sikurse ai sot, që vjedhurazi, kishte mundur të arratisej, prej mureve të shkollës së riedukimit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›