Olldashi inspekton punimet në akset Sarandë–Konispol dhe Dhërmi–Qeparo-Sarandë
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, z. Sokol Olldashi, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Rrugëve, z. Andi Toma, si dhe nga funksionarë të tjerë të MPPTT-së inspektoi 2 nga segmentet në ndërtim në jug të vendit: Sarandë – Konispol dhe Dhërmi – Qeparo – Sarandë. Aksi Sarandë – Kranjë – Konispol – Qafë-Botë ka një gjatësi 40 km dhe vlerë 29 milionë euro, është një bashkëfinancim i qeverisë greke dhe asaj shqiptare. 80% grand i qeverisë greke nëpërmjet programit Hyseim “Për Zhvillimin e Ballkanit Jugor” dhe 20% nga Buxheti i Shtetit. Puna në këtë aks ka filluar në 2 segmentet kryesore të tij dhe punimet përfundojnë në mars të vitit 2010. Në pak muaj punime realizimi i tyre ka arritur në masën 11%. Ndërtimi i këtij segmenti ka një rëndësi të veçantë pasi do të lidhë komunitetin e Sarandës dhe atë përreth si një pikë e shpejtë lidhjeje me Greqinë, duke i dhënë një zhvillim multimodal (ekonomik, kulturor etj.) kësaj zone e njëkohësisht me përfundimin e tij merr kuptim edhe pika doganore e Qafë-Botës. Gjatë inspektimit ministri Olldashi u takua me kryetarin e Bashkisë së Sarandës dhe kryetarët e komunave si dhe me përfaqësuesit e firmave kontraktore që po kryejnë punimet.
Puna në aksin Qeparo – Sarandë me gjatësi 39 km dhe vlerë 2.1 miliardë lekë, ka filluar në të gjithë gjatësinë e vet. Gjithsej janë 5 lote, 3 prej të cilave kanë përfunduar ndërsa loti 1 dhe loti 2 përfundojnë në 15 qershor 2009. Aksi nga Dhërmi në Borsh (pa Dhërmi – Vuno) me gjatësi 18 km dhe vlerë 1.8 miliardë lekë, është i përbërë nga 3 lote, 2 prej të cilave kanë përfunduar tashmë, ndërsa njëri lot ka përfunduar në masën 80%. Ndërkohë ka filluar puna edhe në 3 lote të tjera: Dhërmi – Vuno i përbërë nga 2 lote dhe Himarë – Potam 1 lot, të dy këto segmente kanë një gjatësi 15 km dhe vlerë të përgjithshme 1.5 miliardë lekë dhe ndërtimi i tyre përfundon në 15 qershor 2009.
Ndërtimi i këtij segmenti, Dhërmi – Qeparo – Sarandë do të përmirësojë dhe lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve gjatë sezonit turistik dhe sidomos do të jetë një mbështetje e fuqishme për zhvillimin e turizmit në këto zona.