E Diel, 1 Nëntor 2026

Flutura mbretërore, përfytyrim i bukurisë hyjnore në pikturë

Piktorja Ardiana Shasivari-Kika çeli dje në Galerinë Ibrahim Kodra të Ministrisë së Kulturës një ekspozitë të përbërë përgjithësisht me vepra, të cilat kanë për bazë motive figurale. Kështu ajo trajton kësaj here nga njëra anë fluturat si motive dhe nga ana tjetër femrat që i paraqet në akt. Piktorja Shasivari-Kika i quan fluturat flutura mbretërore duke u bazuar në llojin e fluturave në fjalë të njohura në gjuhën angleze si monarch butterfly(danaus plexippus). Duke parë paraqitjen e motivit të fluturës nga ana e historisë së artit, mund të vështrojmë se paraqitja e fluturave në kultura të ndryshme u bë në përgjithësi për të trajtuar tema të ndryshme. P.sh. në kulturën kineze paraqitja e fluturës, ndër tjerash, do të thotë gëzim, apo inspirim. Duke e pas parasysh që fluturat dalin prej larvave, ato nëpër shumë paraqitje të kulturave të tjera marrin domethënien e ringjalljes apo reinkarnimit. Në kulturën e krishterë, paraqitja e fluturës kishte domethënien e ringjalljes. Shkallët e zhvillimit të saj krahasoheshin me atë të jetës, vdekjes dhe ringjalljes. Fluturat janë statike duke qenë në formë të larvës, mirëpo çlirohen pastaj nga ky mbështjellës dhe mund ti shfrytëzojnë krahët për të fluturuar. Në kulturën greke paraqitja e fluturës, ndër tjerash, do të thotë pavdekshmëri, si dhe paraqitje e psikikës dhe e shpirtit simbolizohet me këtë motiv. Edhe kultura e maorëve, kulturë kjo nga e cila artistja Shasivari-Kika u inspiruar gjatë vizitës së saj në Zelande të Re, e sheh fluturën si paraqitje të shpirtit. Në veprat e piktores Shasivari-Kika, përtej asaj që njihet në literaturë të historisë së artit për paraqitjen e fluturave, theksohet edhe fakti që ajo përmes këtij motivi paraqet gjallërinë, paraqet jetën. Kjo sidomos vërehet në veprën e saj Flutura mbretërore (100x150), ku fluturat janë paraqitur pothuajse duke u munduar ta gjejnë vendin e tyre sikur të ishin të gjalla mbi pëlhurë. Sipas piktores, paraqitja e fluturave në veprat e saj paraqet edhe vet natyrën e femrës. Vepra në fjalë paraqet një grumbull fluturash në një sipërfaqe të rrethuar me një kornizë relativisht të theksuar, e cila është e pikturuar. Figurat e femrës nudo në pikturën në fjalë dhe fluturat që e shoqërojnë nuk e paraqesin femrën si viktimë, por paraqitet si parafytyrim i bukurisë hyjnore-femrës lakuriqe me trup të zbërthyer në mënyrë gjeometrike. Femrën dhe fluturën e paraqes si imazh të figurës statike e njëkohësisht të robëruar në këmbë duke synuar të fluturojë dhe të shijoj kënaqësinë e të qenit i liruar, pra përdori mjetin stilistik , metaforën, shprehjen etj,tregon piktorja. Në ekspozitë të binte në sy dhe piktura Oaza e fluturave, e cila ishte me dimensione (150x200cm). Në pikturën në fjalë është paraqitur druri me të cilin mund të personifikohet vetë njeriu. Përmbajtja e pikturës në fjalë është trajtuar në kontrast dhe harmoni me ritmin  e vijave dhe trajtës konkrete.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›