E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluturimet e Rozanës...

Një këngë që nuk ka kaluar lehtë mes të tjerave. Ajo ka marrë çmimin special të Festivalit të Ohrit dhe pret të lançohet për publikun e gjerë

E kanë tradhtuar..., por ajo nuk trishtohet. Përkundrazi, i dashuri që i theu zemrën nuk është më i mirëpritur prej saj tani që iu hapën sytë. Kështu që detyrohet të krijojë një botë të vetën. Kjo është fabula e këngës më të fundit të Rozi Radit, xhirimet e së cilës janë realizuar në bregdetin e Dhërmiut. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe ka vendosur të fluturojë, jo me rrugë ajrore, por nëpërmjet muzikës. Dhe “fluturimi” i saj i parë ka pasur ndalesën e parë “skenën” e mrekullueshme të plazhit. Të paktën kështu thonë vargjet e këngës më të fundit nga Rozi, me titull “Fly”. Një kompozim i Adrian Hilës, që vjen me vargjet e Avni Qahilit. Duket e pabesueshme, por e vërteta kështu është. Këngëtarja, që tashmë njihet si autore tekstesh në shumë këngë të momentit, vargjet e saj ia ka besuar një tjetër krijuesi. Nga sa mësojmë, bëhet fjalë për një këngë krejtësisht verore, shumë alegro, siç vjen zakonisht bukuroshja. Por ndryshe nga stili i këngëve që preferon t’u mbetet besnike, luku i saj ka ndryshuar totalisht. Në videoklip nuk do të jetë më ajo vajza bionde që jemi mësuar të shohim, por një brune. Pasi hoqi flokët bionde dhe i ktheu në një gështenjë të errët përpara dy javësh, tani sërish Rozi ka vendosur të bëhet brune e theksuar. Dhe i gjithë ky ndryshim brenda një kohe shumë të shkurtër. Mesa duket, këngëtarja ka qenë në kërkim të një luku krejt rinovues, për t’u shfaqur në videoklipin e ri. Por më mirë dallimin se cila ngjyrë e flokëve i shkon më shumë, ajo do ta kuptojë në vjeshtë, ku si spektatore do ta shohë filmin me metrazh të shkurtër “Mira”, në Festivalin e Filmit me Metrazh të Shkurtër, TIFF, ku luan si protagoniste kryesore. Por ndërrimi i lukut dhe kënga e re nuk është i vetmi lajm nga kampi i këngëtares. Edhe pse kënga nuk është prezantuar ende për publikun e gjerë, ajo ka marrë vlerësimin e parë për këngën e saj të fundit. Këtë çmim e ka marrë në Maqedoni. Rozana, e cila së fundmi është një nga këngëtaret më të pëlqyera, ka qenë pjesëmarrëse në “Ohër Festival”, një festival ballkanik ku merrnin pjesë këngëtarë nga të gjithë vendet ballkanike. Kështu, brunia kthehet nga Ohri me trofe, pikërisht me një çmim special në Festivalin Ballkanik. Ndërkaq, Rozit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të merret me biznesin e saj të ri, pasi këto ditë kënga “Fly” e Radit do të shfaqet në televizionet muzikore shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›