Fluturon për në SHBA? Do të kontrollohesh më shumë
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se do të fillojnë që të profilizojnë pasagjerët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të vendosur më pas se cili prej tyre duhet që t’i nënshtrohet një kontrolli dytësor më të hollësishëm. Masat do të zëvendësojnë kontrollin e detyrueshëm ndaj të cilit ishin nënshtruar deri më tani të gjithë pasagjerët që hynin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 14 shtete të përcaktuara. Kjo masë u mor pas një sulmi terrorist të dështuar në dhjetorin e kaluar. Pasagjerët do të analizohen në bazë të përafrisë që mund të kenë me ndonjë të dhënë për sulme terroriste. Mënyra e re e kontrollit është pasojë e rishikimit të kësaj politike nga Presidenti Obama. Departamenti i Sigurisë së Brendshme bëri të ditur se masa e re do të përdoret bazuar në informacionet e shërbimeve sekrete dhe shtresat e ndryshme të kontrollit, ato të dukshmet dhe të padukshmet, në mënyrë që të shmanget kërcënimi terrorist. Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se protokollet e reja janë vënë në zbatim që ditën e premte. Sipas gazetës “New York Times”, strategjia e re do të përcaktojë dhe do të merret me individë për të cilët ka dyshime, sado të vogla, nga burimet inteligjente. Ndërkohë, nëpër aeroportet e ndryshme të Shteteve të Bashkuara pasagjerëve u është thënë se do të rritet kontrolli në lidhje me mundësinë e pasjes së ndonjë eksplozivi dhe kjo do të bëhet përmes pajisjeve të caktuara dhe qenve të stërvitur për të nuhatur gjëra të tilla. Kjo masë do të përdoret jo vetëm për qytetarët e huaj që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, por edhe për vetë amerikanët. Ndërkohë, qeveria amerikane ka në listën e saj aktualisht 6000 emra të personave të dyshuar për terrorizëm, të cilëve u është ndaluar fluturimi në Shtetet e Bashkuara. Kësaj liste do t’i shtohen edhe emra të tjerë në varësi të burimeve të shërbimeve sekrete dhe ndaj këtyre personave të rinj do të ushtrohet një kontroll shtesë.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë autoritet që të kontrollojnë pasagjerë në aeroportet e vendeve të tjera, por sipas ligjit të tyre, ata mund të gjobisin linjat e huaja ajrore në rast se ato nuk zbatojnë masat e sigurisë për sa i përket fluturimit. Që nga dështimi i incidentit të dhjetorit, rregullat kanë ndryshuar për ata që shkojnë në Shtetet e Bashkuara, çka do të thotë që ata u nënshtrohen rregullave më të rrepta.
#