E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrjet raciste në Greqi, shfaqje idioteske

Kreu i PS

Partia Socialiste ka dhënë dje prononcimin e parë publik dhe zyrtar rreth thirrjeve raciste të ushtarëve grekë në Athinë me rastin e festës kombëtare të Greqisë. “Janë shfaqje idioteske grupesh që nuk përfaqësojnë në asnjë mënyrë as Greqinë, as qeverinë greke dhe as popullin grek. Për këtë arsye mbeten në rrethin e ngushtë të idiotësisë së tyre”, deklaroi lidhur me këtë ngjarje kryetari i selisë rozë, Edi Rama. Ai ka shmangur komentet e mëtejshme rreth incidentit që provokoi një valë reagimi me karakter nacionalist në Shqipëri. Po kështu duhet thënë se opozita ka shmangur edhe marrjen e një qëndrimi zyrtar duke anashkaluar një incident që gjithsesi kësaj radhe dha shenjat e një përdorimi politik nga subjekte të ndryshme në Tiranë. Duhet nënvizuar toni minimizues i komentit të Ramës, i cili është ndoshta politikani i parë në Shqipëri që e ka vendosur ngjarjen në një plan të izoluar jo vetëm brenda uniformës së disa forcave profesioniste të vendit fqinj, por edhe brenda kufizimeve të një mentaliteti apo kapaciteti mendor që sipas tij qëndron larg vlerës reale për përgjithësime politike. Nga ana tjetër, neglizhimi dhe shmangia e opozitës nga retorika nacionaliste kësaj radhe ka kursyer edhe një kritikë ndaj qeverisë që në të tilla raste është tabela e parë e qitjes.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›