Vejusha adoleshente, kamikazja e sulmit të metrosë së Moskës
Një nga kamikazet që morën jetën e dhjetëra vetëve në metronë e Moskës mendohet të jetë një 17-vjeçare nga veriu i Kaukazit. Policia në jug të Rusisë konfirmoi se bëhet fjalë për një vajzë, në fakt vejushë nga Dagestani. Ky vend, si edhe çeçenia, po përpiqet që të qetësojë dhunën e militantëve. Sipas burimeve të policisë, 17-vjeçarja ishte martuar me një shef militantësh islamistë, i cili ishte vrarë së fundmi nga forcat ushtarake ruse. Edhe pse ende nuk është konfirmuar plotësisht ekzistenca e kësaj vajze të hënën e kaluar në sulmin e metrosë, një fotografi e saj me ish-bashkëshortin është botuar dje në shtypin rus dhe nga fotoja duket se ajo ngjason me mbetjet e njërës prej kamikazeve të shpërthimit. E dyshuara e dytë nuk është identifikuar ende. 17-vjeçarja vinte nga një zonë e Dagestanit në kufi me çeçeninë. Mendohet se ajo ka udhëtuar drejt Moskës me autobus, me gruan tjetër me të cilën kanë kryer aktin vetëvrasës. Në Moskë, lajmi i përhapur menjëherë se sulmet janë kryer nga të ashtuquajturat “vejushat e zeza”, ka shkaktuar alarm, pasi dihet se ato janë gra që dhimbja i ka shndërruar në qenie që kërkojnë vetëm hakmarrje dhe janë gati të hakmerren ndaj shumë njerëzve.
#