Fokus 1/Kryeministri Britanik Kameron: Për të bashkëjetuar, nevojitet një përgjegjësi e të gjithëve!
Revolucioni konservator nis me parashtrimin e risive me të cilat synojnë ta ndryshojnë shoqërinë britanike. Ende nuk kanë mbushur javën nga zyrtarizimi i lidhjes së tyre në koalicionin e ri qeverisës të Britanisë së Madhe dhe Kameron e Clegg kanë përvijuar disa nga linjat e detajet që do të formëzojnë politikat e koalicionit të ri dhe veçanërisht idenë e së ashtuquajturës Big society (shoqëria e madhe). Në ndryshim kjo “Big Government” të laburistëve të Gordon Broun, sipas të cilës shteti duhet të kontrollojë dhe të ndihmojë shoqërinë.
Kurse për idenë e “shoqërisë së madhe” David Kameron ka angazhuar për 5 vjet me radhë Michael Howard. Ideja e këtij të fundit është se shoqëria ka nevojë për një shtytje drejt progresit me një përgjegjësi të të gjithëve, dhe jo të kontrollit e shtetit. Kryeministri i ri britanik dhe zëvendësi i tij liberal-demokrat, Nick Clegg, kanë bërë të ditur se njerëzit duhet që të kenë më shumë hapësirë për t’u shprehur në lidhje me vendimet që merren dhe që kanë një impakt mbarëkombëtar dhe se shërbimet publike mund të drejtohen edhe nga grupe vullnetarësh. Kryeministri i ri Britanik David Kameron u shpreh se shteti është shpesh shumë “i panjerëzishëm dhe i paqartë” për t’u marrë me problemet më të rënda sociale. Gjatë fushatës zgjedhore, Kameron e përshkroi idenë e tij të “shoqërisë së madhe” bazuar në inkurajimin e përgjegjësisë më të madhe personale njerëzore dhe asaj familjare, si dhe aktivizimit të komunitetit si “e vetmja ide e madhe që ofrohej nga kandidatët zgjedhorë”.
Politikat e parashtruara nga konservatorët përfshijnë shërbimin kombëtar të qytetarit për 16-vjeçarët, dhënien e njerëzve të së drejtës për vendosjen e vetos për rritjen e taksave dhe masa të tjera interesante. Big Society “Shoqëria e madhe” nuk është përmendur shkoqur në marrëveshjen fillestare të nënshkrimit të bashkëpunimit mes dy partive, por ajo fokusohet kryesisht te masat e luftës kundër krizës së deficitit dhe reformimit të sistemit politik. Por në një takim të posaçëm në zyrën e Kryeministrit, të cilin e kreu së bashku me Nick Clegg dhe para përfaqësuesve të organizatave vullnetare bamirëse, parashtruan idetë e tyre për “vendosjen e pushtetit të popullit në zemër të qeverisjes së re”. Këto ide përfshijnë dhënien e të drejtave për komunitetet që të thonë më shumë fjalën e tyre për sa u përket rregullave që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me jetën e tyre të përditshme, trajnimin e organizuesve të komuniteteve, inkurajimin e vullnetarëve, krijimin e një banke të “shoqërisë së madhe” për të financuar sipërmarrjet sociale, dhënien e njerëzve të së drejtës që të kenë një akses më të madh në të dhënat qeveritare dhe kontrollin e financave të qeverisjes lokale. Kameron tha se qeveria zotohej që t’u jepte njerëzve një kontroll më të madh për jetët e tyre. “Ne e dimë se shteti është shpesh çnjerëzor, monolit dhe i paaftë që të merret me zgjidhjen e problemeve tona më të mprehta sociale. Ne e dimë që idetë më të mira vijnë nga poshtë lart dhe jo anasjellas”, ka thënë Kameron. Ndërsa Clegg tha se për ndërtimin e një Britanie më të drejtë dhe më të ndershme, duheshin bërë “ndryshime radikale”.