Greva mashtruese mbyllet me mashtrimet për fitore
Në këto ditë të bukura maji me diell, shi dhe erë, në pyllin Eden, të Evës e Adamit me mollë të ndaluara, me çadra të bardha, jastekë dhe dyshekë ngjyra-ngyra, po shihnim tek hynin e dilnin pareshtur me turne, burra e djem të shëndoshë e të dobët, besnikë si Erion Veliaj i G. 99, siç thuhet në popull “Erion 99-çi”, ose “Erioni i të 99-tave”, grabitësi i fondeve të Mjaftit”, apo nëpunësit e urdhëruar nga kryetari Edvin të cilët kanë braktisur punën shtetërore në zyra. Krahas tyre shihnim tek shkonin si në dasëm apo në opera, gra e vajza elegante, veshur e ngjeshur për bukuri, mbi taka të larta, me orë dore të mëdha e gurë diamanti, me unaza të rënda në gishta, byzylykë floriri ndër duar, ruaza flakë të kuqe, madje të zeza rreth qafës dhe çanta lëkure pantere varur në supe. Njerëzit e tyre të afërt ia merrnin me gjumë në shtëpi dhe shihnin ëndrra me kolltukë e para. Në shtëpi fëmijët ndër lot, pyesnin: “Ku është mami?” Nëna plakë ankohej:” ç’bëhet kështu? çupat na ikën e vanë të flenë në mes të bulvardit për një të shkalur.” I shkaluri hynte si ujku në pyllin e thellë Eden e dilte jashtë si çakall mbi tribunë, me ulurima përpara nëpunësve të bashkisë, që muaj të tëra kanë dëgjuar të njëjtat fjalë, të njejtin avaz me pak dredhime, sipas mësimeve leniniste “një hap para, dy hapa prapa.” Ndrikulla e zbardhur, avokati multipartiak Tak Ngjela, si Polloni i Shekspirit, dridhej e përdridhej me shpresë për kolltukun ministror të drejtësisë. Nuk u shqitën si rrodhe për poste as hunmbësit Gjinushkë trimi, ramizist i vazhdimësisë dhe enveristi Milo, “dhiplomati” i djegur i Palasës. Fshehur prapa tyre shfaqej dhelpra plakë N.Dokle me shokë, me maska dhe pa maska.
Heronjtë e ngujuar në pyllin Eden, të gjithë vetëflijues me humbje të rehatisë familjare, të gjithë për një, të gjithë për kryetarin Edvin, piktor plehra kazanës që kërkonte me vendosmëri revolucionare të jetë kryeministër i shkatërrimit të vendit.
Këto ditë qarkullonte edhe një këngë malsie: “O edvin, more edvin/Shqipnin s’mundesh me na e nxi,/ kush kupton dhe ka pak mend/ ti aspak nuk ndryshon, je nji bllokmen/ të kan lan ty nji amanet/me na kthye ne identitet /popullit xhepat me ia shkund/ me dajak m’e vue përfund/me ia mbyll sytë e me i mbyll gojën/ me e çmend fare e me i qit bojën/ mjer Shqipnia e vaj Tirana/na ka ardh enveri prap/ edvini sllobodani satrap”.
Një lajm befasues: kamera e fshehtë pas shpërndarjes së parave me zarfa nëpër shkurre, paska kapur në flagrancë një lëvizje të re dhe energjike nozullimi, transport ushqimesh me thasë e torba brenda në çadrat e pyllit Eden. Me gjasa nuk do të mungonte as Coca Cola, as birra, as rakia e Përmetit. Sipas porosisë së doktorit të mençur Zabit, ushqimet duhet të ishin të cilësisë së mirë. Flitej se doktor Zabiti kish kërkuar urgjent, furnela me gaz a korent për gatimin e qumështit e supës së ngrohtë. Thonë se do të funksiononin frigoriferë për mishin, pulat, qumshtin, gjalpin e djathin dhe kondicionerët e ajrit se pylli u qelb. Atëhere në grevë mund të hynin të gjithë hamësit dhe pijanecët duke filluar nga Edi e Taku. Aty mund të këndohej edhe poezia romantike “Në pyll kur hyna”, duke ndrequr pak tekstin nga “poeti” M. Velo, sepse në poezinë e njohur prej të tërëve thuhet: “Në pyll, kur hyna s’kërkojshe gja...”.
Por, një lajm i papritur dëshpëroi pa masë brejtësit e zinj të Lanës, sternipa të “Ritës” akademike, mysafirë rreth torbave me ushqime të grevës mashtruese të urisë: Në pyll ra një shi i furishëm dhe era shembi çadrat e mbrapshta. çarçafët e jastekët fluturuan për hava. Të ashtuquajturit grevistë u arratisën me bishtë në shalë. Pastaj qielli mori ngjyrën blu. Në ditët e ardhshme nëpër autostradën e Kombit do të vërshojnë vëllezërit e motrat tona nga Kosova e Pavarur në Shqipërinë Demokratike të lirisë.