Fokus/ Rama, ëndërr për një karrige

Zbatimi i marrëveshjes së nëntorit të 2011, ku palët politike binin parimisht dakord se do të votimin të gjitha ligjet dhe reformat e kërkuara nga Bashkimin Europian për marrjen e Statusit të vendit kandidat për në BE, po minohet në aktin e fundit prej “zgjimit” kokëfortë të natyrës bllokuese të Edi Ramës, i cili sheh në marrjen e Statusit të vendit Kandidat të vendit mos marrjen e tij të statusit Kryeministër të Shqipërisë.
Ëndrra e Edi Ramës e shprehur disa herë prej tij për t’u bërë kryeministër, edhe pa votë popullore, po “dënon” një popull të përfitojë kapitale europiane rrjedhojë e marrjes së Statusit të vendit kandidat dhe çeljes së negociatave për anëtarësim në BE. Sigurisht, çështja e qarkut të Fierit dhe karrigia e Vangjel Ndrekos është alibia që fsheh pasigurinë e Ramës për të ardhur në pushtet në zgjedhjet parlamentare të 2013.
Sipas shefit të opozitës marrja e statusit të vendit kandidat dhe çlirimi i fondeve IPA për zhvillimin infrastrukturor e bujqësor të Shqipërisë, në një moment krize ndërkombëtare dhe rajonale, do të çonte patjetër ujë në mullirin e kryeministrit Berisha, i cili me këtë bonus do të fitonte mandatin e 3-të. Kjo llogari e Ramës nënkupton së pari paaftësinë e opozitës për të prodhuar një alternativë dhe suksesi i saj mbështet në filozofinë “mors tua, vita mea”, pra, “vdekja jote, jeta ime”. Dhe e përkthyer në politikë, filozofia e Ramës është dështim i Berishës me mosmarrjen e statusit dhe jo bindja e qytetarëve për një projekt më të mirë për të zhvilluar vendin.
Mungesa e alternativës politike, ndërsa rikthehen “mamuthët e korrupsionit” dhe ngjitja në krye të forumeve të partisë të grupit të ish-organizatës “Mjaft”, jep panoramën dritëshkurtër të lidershipit socialist.
Ëndrra e Ramës për karrigen e kryeministrit është e hershme, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2009 bëri gjithçka për të ardhur në pushtet, qoftë dhe pa votë të qytetarëve. Bojkotoi parlamentin për 6 muaj, protesta në çdo qytet dhe fshat për dy vite, bllokim aksesh rruge dhe me djegie gomash, sikurse greva urie me çadra përballë kryeministrisë dhe demonstrata të dhunshme si ajo e organizuar në 21 janar të 2011, me atentatin jo politik ndaj rendin kushtetues. Përgjigjen për këto investime të gabuara u reflektuan në falimentin politik të zgjedhjeve lokale të 2011, ku koalicioni i shumicës pati një avantazh me 142 mijë votë në rang kombëtar. Dhe ndërsa zgjedhjet parlamentare të 2013 po afrojnë hendeku mes opozitës dhe shumicës qeverisëse, në vend të ngushtohet po zgjerohet më tej, prej politikës destruktive të kreut të opozitës.
Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: përgjegjësia në rast të mosmarrjes së statusit të vendit kandidat do të jetë e qartë në dritë të diellit. Edi Rama do të mbajë përgjegjësi përpara qytetarëve sepse po u mohon Europën për motive të dobëta personale. Edi Rama do të zgjohet nga ëndrra për t’u bërë kryeministër me shuplakën e pritshme elektorale. Një zgjim që do të jetë dëshpërues për të gjithë mohuesit e integrimit europian.