Socialistët refuzojnë edhe seancën e posaçme parlamentare për miratimin e 3 ligjeve të integrimit
Konferenca e Kryetarëve miraton kalendarin 3-javor të punimeve. Ambasadori Sequi rinovon apelin për miratimin urgjent të 3 projekt-ligjeve të rekomanduara nga Komisioni Evropian
U mblodh sot Konferenca e Kryetarëve, e cila shqyrtoi projekt-kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 26 nëntor-14 dhjetor 2012. Konferenca e Kryetarëve ra dakord që prioritet në axhendën e Komisioneve Parlamentare të ketë shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin 2013, sapo të mbërrijë në Kuvend. Kryetarja e Kuvendit përsëriti edhe njëherë ftesën ndaj deputetëve të opozitës për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Europian për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian, duke i kërkuar të përfshijnë në kalendar seancë të posaçme, jashtë radhe për miratimin e tre ligjeve të kërkuara. Por anëtarët socialistë të Konferencës së Kryetarëve nuk e pranuan, duke konfirmuar se do të mbajnë peng integrimin, për shkak të problemeve të brendshme socialiste në Qarkun e Fierit. Tre projektligjet që kërkohen nga Brukseli do vazhdojnë gjithsesi të jenë pjesë e Kalendarit të Punimeve të Kuvendit. Në korin e apeleve për votimin e tre ligjeve vendimtare për statusin, është bashkuar dje sërish Ambasadori i BE-së në Tiranë. “Votimi i tre ligjeve të kërkuara nga KE është vendimtar për marrjen e statusit, pasi në të kundërt përgjigjia për Shqipërinë do jetë negative”. Kjo ishte deklarata më e fundit e ardhur nga Bashkimi Evropian. Ishte ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi i cili lëshoi një mesazh të tillë për klasën politike shqiptare përpara nisjes së forumit “100- vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë: Nga evolucioni infrastrukturor në revolucionin dixhital”. “Këshilli do diskutojë situatën për Shqipërinë. Është e qartë nëse këto masa do aplikohen, Shqipëria ka shansin për të marrë statusin e kandidatit. Nëse masat e rekomanduara nuk do të kalojnë, sigurisht që shanset nuk do jenë”, vuri në dukje ambasadori Sequi.
...