Peripecitë e familjes Dobi, me dendurí të paimagjinueshme
PS-ja e Ramës s’i merr dot votat e pronarëve të ligjshëm as si pjesë e një mashtrimi
Është njëri nga rastet tepër të përhapura, ai i kësaj familjeje, për të nxjerrë në pah demagogjinë e socialistëve, si kinse dashamirë të pronësisë së ligjshme(!). Vetë Edi Rama ka thënë një gjë interesante për këtë temë therëse të shoqërisë shqiptare. Po të mos kishte autorësinë e vet, kjo thënie e tij do t’i bënte, jo vetëm socialistët, që t’i vinin gishtin kokës. Por ai, E. Rama, është gjithmonë kundërthënës, i paqëndrueshëm, i kapluar nga një sëmundje e pashërueshme. Sindroma e Haxhi pishmanit, që do të ishte i parëndësishme, një thërmijë, në krahasim me këtë ekzemplar inkoherent, që noton në iluzione të cilat e kanë vërvitur nga dështimi në dështim. Le t’i vëmë të dyja thëniet e tij,njërën përballë tjetrës. E para: “Nuk ka pronarë të paligjshëm. Ka vetëm pronarë”. Po tjetra? Duke iu drejtuar Kryetarit të Shoqatës së pronarëve, zotit Agim Toro, i ka thënë, buzëvarur: “Shkoni t’i gjeni pronat tuaja te Partia juaj e djathtë!”. Urdhri i dytë kundërshton të parin, siç e ka pas mësuar xhaxhi. Si nuk mendoi, qoftë edhe për një çast, se pronarë, të ligjshëm të vegjël, të mesëm, të mëdhenj, janë aq të shumtë, sa përbëjnë një elektorat më vete, Një bashkësi zgjedhësish, sidomos të vegjël e të mesëm, janë aq të shumtë, sa mund t’ia rëndojnë pjatën e balancës, nga e kundërta e asaj që është në anën e tij, gjithmonë në rënie, vazhdimisht në lehtësim, për shkak të mujshisë së tij të pafrenueshme, asaj prepotence inatçore që po i shkakton rrudhjen e vazhdueshme të aleancës me partitë pa zgjedhës, pa asnjë përfaqësues në parlament... Ai duket se nuk po e kupton që është bërë i pabesueshëm edhe brenda radhëve, jo vetëm prej atyre, për shkak të të cilëve kishte përdorur dhunën i kishte bërë të heshtnin, paçka se i kishte bërë një reklamë monotone vetes me atë fjalën e konsumuar “transparencë”. Por edhe ndaj kryetarëve të partive të vogla, të velur me premtimet e tij, që të kujtonin kurdoherë atë lokucionin popullor “Fjala e mirë e gurin në trastë”! Kështu doli ajo shprehja e bërë bozë “m’i vodhën votat” , e përsëritur aq dendur, sa e humbi efektin e saj. Nëse gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për demagogjinë. “Kurbani” i tij, paçka se është shitur me listë, si “Veprat” e Enverit, është bërë i palexueshëm për periudhat e pambarueshme e të gjata, kur shenja e pikësimit, pika, e gjen pikën pasardhëse, pas 34 rreshtash të librit! (shih f. 107, që të bindeni)
***
Duke folur për gafat e kreut të PS-së, abuzimi me pronat e ligjshme arriti, këto ditë, në Parlament kulmin e mungesës tërësore të të drejtave kushtetuese të njerëzve, “të të padëshiruarve”, të plaçkitur në format nga më ciniket prej diktaturës. Në rastin më të mirë, u futën në bodrumet e shtëpive e vilave të tyre të pasurit, në përgjithësi: tregtarët, paçka se kishin ndihmuar materialisht lëvizjen n.çl. Por u zbritën bodrumeve edhe pengjet mesjetare, si hakmarrje për një arratisje të xhajës... , kushëririt të afërt apo të largët, qoftë edhe të mikut të ngushtë në marrëdhëniet shoqërore; gjer në intrigat për t’ia rrëmbyer banesën tjetrit. Të futurit në bodrume, - me të privilegjuarit e kohës në katet e sipërme, - duhej të ishin, madjé, të kënaqur. Dhe gjurmoheshin që të mos ishin qejfmbetur. Sepse, përndryshe, do të bëheshin kontingjent për internim, gjithmonë në rastin më të mirë. Burgjet i prisnin një pjesë më të madhe prej tyre. Kryetarja e Parlamentit, duke folur për aktin normativ, tha se Socialistët i urrejnë pronarët. Atmosferën mbytëse të luftës së klasave dhe panoramën e kësaj gjendjeje antipronë e paraqiti, ministri Sokol Olldashi, që kishte vuajtur në vetë të parë internimet e një regjimi që e kishte ndarë popullin në “tanët” dhe në “armiqtë! Në fjalën e tij ai paraqiti 28 emra ish-persekutorësh, ish-hierarkë të privilegjuar dhe biznesmenësh të majmur socialistë, me familjet në Itali, në Greqi, në Amerikë e në Kanada, që i mbajnë shtëpitë e pronarëve të ligjshëm, me raste konkrete gjashtë dhomash, me një qira simbolike, sa për një kafe mëngjesore me uiski ...Këto shtëpi të rrëmbyera janë ose të mbyllura me tutius, ose me banim prej një familjari të vetëm, që ndihet si i vetmuar në ato vende ish-armiq dhe që duan të bëjnë gam-gam tërë ditën kafeneve shqiptare me tabela të huaja. Tymnajë ideologjike për “drejtësinë” e kallëpit enverist që do të vërë në vend Rama, që i ka thënë mbrojtësit të pronave, Agim Toros, në vitin 2007, “ik qërohu te partia jote!”. Deputeti Gerti Bogdani, duke folur për aktin normativ, tha se ky akt “vë në dukje të drejtën e mohuar të mijëra familjeve tiranase dhe shqiptare, që nuk kanë gëzuar, shfrytëzuar e zhvilluar pronën e tyre”. Foli edhe për “agallarët e sotëm që i kanë thuajse gratis shtëpitë e gëzuara prej 68 vitesh nga nomenklatura komuniste e kohës”. Na kujtohen ata që kishin zënë vend në një kafené luksi dhe dëgjoheshin kapadaillëqet e tyre nga të tjerët. Është një alegorí e Luan Myftiut: “Një aristokrací njerëzish “allahu na ruajt”, që kapardisen duke ngrënë pjatën e peshkut koran që kushton sa pensioni mujor i ish-të burgosurve politikë”. “Të gjithë duken sikur tallen me tranzicionin e demokracisë, duke bërë jetën e sheikëve të Arabisë...”. Kjo e vërtete e privilegjeve si e sheikëve të Arabisë Saudite, përkundrejt pronarëve të ligjshëm që janë ende bodrumeve, njihet prej thuajse të gjithë shqiptarëve. Njihet mirë edhe prej Saimir Tahirit, vazhduesit të luftës së klasave sipas yrnekut të ustait në krye të partisë së tij, që dikur shtirej se ishte kundër E. Hoxhës dhe luftës së tij të klasave, por tani argëtohet qafë më qafë e sup me sup me veteranët, në apoteozën në vazhdimësí të diktatorit, në Pezë, gjatë përkujtimoreve të Konferencës së Pezës, “pa dallim feje, krahine dhe ideje”! (Të shkuara, të harruara,- thotë usta Edi. Por shqiptarët janë më të zgjuar nga sa kujton Haxhi pishmani. Dhe ia kanë vath në vesh inkoherencat). E, me që e kishim fjalën te S. Tahiri, i paditur në gjyq për sajesat dhe shpifjet e tij si bukë me djathë, kërkoi të ishte i pranishëm në seancat e tij të braktisura vetë, të mbrojtjes së vet bajate, edhe ambasadori amerikan, z. Arvizu! Ka luajtur mendsh? – gajaseshin qyfyrexhinjtë. Ç’e kujton veten, ai? Mos kujton se është në kohën kur, me shallin e kuq të pionierit, përzgjidhej për të përshëndetur shokun Enver, në podiumet e festave komuniste? Helbeté, ishte i biri i propagandistit nr. 1 arsimor të rrethit të Librazhdit, kur Amerika përbaltej si xhandari i imperializmit ndërkombëtar! Dhe kujton se edhe në Parlament duhet t’i rrinë me dorë në zemër për të bërë retorikën e tij me fraza stereotipe, edhe pas rënies së gongut, me që kishte sosur koha e dërdëllitjeve. Gjersa kryetarja Jozefina Topalli, ia mbylli zërin mikrofonit të tij... Në të vërtetë, në këtë seancë parlamentare socialistët janë diskredituar si rrallëherë. Olldashi përmendi “protestën” e atyre që s’u ngopën nga bëmat në kohën e Enverit, por edhe me shtëpitë thuajse falas, ndërsa pronarët e ligjshëm rrinin endé bodrumeve. Dolën klasorët, me emër e mbiemër. Njëri sigurims, mizori që hidhte viktimat nga dritarja dhe thoshte se u vetëvra. Të tjerët: ish-ministër i kohës së diktaturës; ish-shefa të policisë; hierarki të sigurimit; kryetarë gjykatash kriminale; anëtarë të B. Politike; sekretarë të parë komitetesh të Partisë nëpër rrethet... e të tjera e të tjera. Pa na dalin edhe juristë të legjislacionit të Vishinskit, në mbrojtjen e të drejtave të lirive ç(njerëzore)! Shkrimi ynë do të mbyllet me këtë subjekt.
***
Le të shihet fotoja e vilës së dentistit Mynir Dobi, me emrin e tij në ballë të kësaj godine, sipër. Kjo ndodhet në Durrës, pranë sheshit qëndror, te kthesa e vendqëndrimeve të autobusëve për në plazh, në krahun e djathtë të rrugës që vazhdon në kahen veriore. Myniri ishte një profesionist që nuk merrej me politikë dhe s’i kishte asnjë borxh të ardhurve në fuqi, pas luftës. Përveçse familja e këtij odontojatri të shquar të Durrësit duhej të përfundonte në bodrumet. Në foto duken dritaret, rrafsh me truallin. Nuk mjafton kjo, por në 17 shkurt të vitit 1947 i këputin një akuzë për kontrabandë floriri dhe, në kohën që ishte në burg, ia marrin të gjithë pasurinë, si edhe shtëpinë dhe familjen e ia çojnë në Shkozet. Si del i pafajshëm nga burgu (22 mars 1950), e çojnë në Shijak. Duket se në atë mungesë specialistësh, mbase Shijaku kishte mbetur pa dentist. Një rrugë e dy punë: Edhe shijakësit s’kanë përse të vijnë gjer në Durrës për të kuruar dhembët, édhe rregullojmë njerëzit “tanë” me banim në Durrës, në atë kohë krize banesash. 20 vjet në Shijak, nga një bodrum në tjetrin. Edhe të birit të Mynirit, Agronit, me bashkëshorten Zana, iu desh të orvateshin në gjetjen në Shijak të këtyre bodrumeve, disa me lagështirë. Agroni mori zanatin e babait: édhe ai, dentist. E bija Frida e Agronit dhe Zanës, i kujton edhe sot ato zgavra të nëndheshme, të errëta nga mungesa e dritareve. Ishte e vogël atëherë dhe kujtesa e çon te rregullimet me perde, për sajimet e ndonjë kuzhine. Më vonë familja e Agron Dobit u bë vetë i katërt dhe i ati, pesë. Xhaxhait, Arshiut, i vëllai i Mynirit, i kishte mbetur një pjesë e bodrumit të shtëpisë që shohim në foto. Gjyshja Bedrie përvajtohej në Durrës, duke parë shtëpinë “e huaj” tashmë për të. Arshiu duhej të ishte i kënaqur, me atë rrogë të vogël që merrte si llogaritar në N.SH.N. Të dy fëmijët i sëmureshin shpesh nga lagështira, - kujton Frida, që i shihte ndonjëherë në Durrës. I kujtohet edhe Gjyshi Mynir, që shkruante letrat natën për t’u lutur për ndonjë banesë më të përshtatshme. Por letrat i griste të nesërmen! Frida, vajza e madhe e Agronit, vetëm në vitin 1991 e mori vesh se ajo shtëpia ishte e tyrja! Në shtëpi nuk flitej për muhabete me zarar! Pas ndërrimit të sistemeve – tregon Frida, - odiseja e bodrumeve vazhdonte për né, me qiraxhinj tekanjozë, me gjyqe që të shkurajonin me seanca pa mbarim dhe me gjyqtarë që na shihnin tërë mllef! Më 7.03.1994, na kthehet shtëpia me vendim të K.K.K.P-së, por endé mbetëm në bodrumet e shtëpisë së Durrësisit. Familjet e Nadire Veshit, të Magdalena Roços, të Tolo Balilit, të Hanushe Lucës, nuk shkulen nga katet e sipërme. Gjendja mbeti e pandryshuar për né, edhe kur Hekurani dhe një tjetër me emrin Jani, ikën dhe u liruan disa dhoma dhe disa bodrume. Familja Fico me një gjasme autorizim hyn; dhe sot ka 3 dhoma e një kuzhinë. Edhe kur fitonim ndonjë gjyq , qiraxhinjtë nuk luanin nga vendi se nuk i pëlqenin banesat e ofruara. Kërkonin qendrën e qendrës! Është një kalvar i gjatë mundimesh, që më detyron ta lë të nënkuptuar një pjesë të rrëfimit të Fridës , për mungesë vendi. Janë shumë emra, por po kufizohem vetëm me atë të Gjergj Kojës, që ishte deputet i Durrësit dhe ministër i Shëndetësisë dhe nuk shkulej, duke lënë aty vetëm një anëtar të familjes, që të quhej... i pastrehë! Dhe ky ish-deputet i PS-së, tani na qenka kryetar i një partize (s’iu ndanë partiçkat Edit!) me emrin PSM (Partia socialiste e moderuar)! Shembull moderimi, që ka për antonim ekstremizmin, i denjë për një manovrues të tillë ndaj pronës së ligjshme, në vend që të jepte shembullin vetjak të... moderacionit!
Një episod simptomatik që të kujton thënien, “Lé që na ngordhi gomari, po s’na lënë rehat as mizat!”. Agron Dobi është një demokrat i qetë, i komunikueshëm dhe gjithmonë gazmor. Një i njohuri i tij, provokator i anës së majtë, i thotë, kinse si mik: - Akoma me PD-në, ti, që të la endé pa shtëpinë e trashëguar? Përgjigjja e Agronit: - Unë nuk di të var buzët e të thartohem menjëherë. Di edhe të duroj. Se besoj te drejtësia. Ajo mënon, por nuk harron”. E bukura – dhe e hidhura njëherësh, - është se ky “i dhimbsur” , që ngacmon Agronin për pronën e ligjshme, ishte parë në atë “demonstratën” e atyre që të kujtojnë kokën e... (asaj gjëje që nuk dua ta përmend): Sa më tepër ta fërkosh, aq më tepër ngrihet përpjetë! Dhe tani, atë që lashë për në fund: Kur ata që qahen pa u rrahur venë e kërkojnë të drejtën e së shtrembrës, po ata që vuajtën për 68 vjet rresht, në mohim të pronës së ligjshme, a nuk qenkan në gjendje të mblidhen dhe të shfryjnë dufet e tyre kundër atyre të parëve? Përgjigjja është e thjeshtë. Këta të dytët janë fisnikë dhe kundër përçarjeve të tilla, për të cilat janë mjeshtër vetëm qylaxhinjtë e Ramës.