Imuniteti të mos mbajë peng statusin - s’kemi kohë për të humbur

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti flet për mediat pas vizitës në Bruksel
Votimi i ligjeve ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë – statusi kandidat në BE i mundshëm në tetor
Në një deklaratë për mediat, pas vizitës së zhvilluar në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti deklaroi se çështja e imunitetit s’duhet të mbajë peng statusin kandidat në BE. Ai tha se Brukseli kërkon konsensus mes palëve, pasi nuk ka më kohë për të humbur. “Në vijim të vizitës sime në Bruksel dhe takimeve me autoritetet më të larta të Komisionit Europian, mesazhi ishte i qartë dhe i prerë. Shqipëria ka një perspektivë të qartë evropiane dhe ka bërë progres të dukshëm në avancimin me reformat integruese. Ajo që kërkohet është që konsensusi i madh, kompromisi i madh i arritur dhe që u materializua në votimin e ligjit për reformën zgjedhore, të vazhdojë me votimin me të njëjtën frymë të ligjeve të tjera që kërkojnë dy të tretat e mbështetjes, që do të thotë se, ligjet që tashmë janë futur në procedurë parlamentare pasi kanë kaluar fazën e konsultimeve, fazën e diskutimeve, interpretimin teknik të mbështetjes ligjore, duhet detyrimisht të mbështeten me konsensus të gjerë nga të dyja palët”- tha ai.
Shefi i diplomacisë shqiptare u bëri apel forcave politike në vend që votojnë ligjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjejnë konsensusin mes tyre.
“Këto, kurrsesi, nuk mund të jenë pjesë e agjendave partiake. Bëhet fjalë për ligje që kushtëzojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe ku kompromisi duhet arritur me çdo kusht.
Ky është apeli që i drejtohet politikës shqiptare edhe nga unë si Ministër i Punëve të Jashtme, si përfaqësues i një force politike që ka si lajtmotiv të saj, çështjen e integrimit të Shqipërisë, por edhe si qytetar i këtij vendi”- theksoi Panariti.
Z. Ministër. A do të votohet imuniteti si në rastin e ligjit me tre të pestat që Brukseli e ka vënë tashmë si kusht për statusin e kandidatit të vendit tone? Marrë parasysh këtë fakt që palët do ta votojnë brenda shtatorit imunitetin, a jeni optimist se do të kemi sërish një përgjigje për statusin e vendit kandidat këtë herë?
Në radhë të parë dëshiroj të theksoj që, çdo gjë tashmë është pjesë e një vullneti politik të përbashkët, arritjes së një kompromisi dhe të një konsensusi. Çështja e imunitetit nuk është pjesë e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, por është një sfidë që Shqipëria, politika shqiptare i vuri vetes dhe që ka të bëjë, në një farë mënyre, për krijimin e një bazamenti më të shëndoshë për institucionin e sistemit të drejtësisë dhe, në këtë kuptim, pa dyshim, mbetet një obligim për t’u realizuar, gjë që kërkon konsensus.
Unë nuk shikoj absolutisht asnjë lloj arsyeje pse ne të mos avancojmë për votimin e këtij ligji për sa kohë që në draft propozimin e ligjit, të dyja palët ranë në konsensus të plotë, madje u votua propozimi i opozitës dhe, padyshim, këndqasjet e ndryshme për mënyrën sesi shikohet votimi apo si kushtëzohet votimi i këtij ligji, për mua nuk duhet të bëjnë pengesë, por duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të arritur konsensus, për të arritur të gjitha hapësirat e kompromisit dhe unë jam i bindur se këto hapësira ekzistojnë, përpos alternativës që është shpalosur tashmë nga mazhoranca për eventualitetin e organizimit të një referendumi popullor, por që është një instrument edhe ky demokratik por, për të cilin, nuk kemi kohë sepse të gjitha këto kërkohen që të realizohen në një hark kohor maksimalisht tre javor në mënyrë që të kemi shpresën që të reflektohen siç duhet në progres-raportin e Komisionit Evropian, i cili është dhe baza e vendimmarrjes për dhënien e statusit të vendit kandidat.
Zoti Ministër, ndërkohë që pjesa tjetër e mazhorancës e ka cilësuar imunitetin si pengun e statusit për vendin kandidat duke akuzuar opozitën për këtë?
Nuk është një çështje që mban peng apo çliron statusin e vendit kandidat. Statusi i vendit kandidat është një çështje shumë më komplekse që ka të bëjë me avancimin në mënyrë të njëkohshme të reformave dhe të 12 prioriteteve të përcaktuara në marrëveshjen me Komisionin Evropian, kështu që një çështje e vetme nuk mund të mbajë peng një proces të tërë.
Zoti Ministër, cilat ishin sinjalet që ju keni marrë gjatë takimit me Komisionerin, z. Fyle, në lidhje me statusin. Pra, për të qenë më konkretë: Shqipëria do ta marrë statusin në muajin tetor apo edhe këtë radhë presim që statusi i vendit kandidat të shtyhet?
Po filloj aty ku e nisa. Shqipëria ka një perspektivë të qartë integrimi në Evropë dhe të gjitha shanset janë që kjo të arrihet. Kërkohet një sforco edhe më e madhe, por në një kohë të kufizuar. Ky është mesazhi që mu dha, ndaj dhe mundësitë janë.