Konventa e Demokratëve: Klinton përkrah Obamës: Sfidë ekonomia, Obama arriti të rregullojë çatinë para se ajo të shëmbej
Ish-presidenti amerikan Clinton prezanton kandidimin e Barack Obamës për një mandat të dytë presidencial
Bill Klinton, Barak Obama, dy gjenerata, dy presidentë, por një mision i vetëm, marrja e një mandati të dytë për demokratët. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë dhe shfaqjen e tij të parë në konventën e Sharlot duke iu bashkuar në skenë ish presidentit Klinton, i cili ka thënë fjalë të mira për punën e administratës Obama. “Obama ka trashëguar një situatë shumë të keqe ekonomike, ka thënë Klinton. Ka arritur të rregullojë çatinë para se ajo të shëmbej. Ka ndërmarrë rrugën e gjatë dhe të komplikuar – për të ndërtuar themelet për një ekonomi më moderne dhe më të ekuilibruar. Por ende sot nuk jemi aty ku do të dëshironim të ishim. Sigurisht që presidenti nuk është ikënaqur. Por jemi më mirë se si ishim në fillim kur ai mori në dorë drejtimin e vendit. Partia Demokratike Amerikane ka bashkuar të gjitha forcat për të mbështetur Obamën. Jo vetëm Klinton por edhe Sandra Fluk ishte e ftuar në konventë. Feministe, symbol i luftës për shpërndarjen e kontraceptivëve, tashmë të mbuluar nga shërbimi shëndetësor falë reformës së Obamës. Sipas analistëve që kanë ndjekur dhe komentuar konventën e demokratëve, këta të fundit kanë rigjetur moralin në Sharlot. Të gjithë shpresojnë për një konventë të madhe për presidentin e tyre, Por ajo që do të ndodhë varet nga shifrat e papunësisë që do të publikohen të premten. Partia Demokratike e nominoi zyrtarisht Obamën për kandidat për zgjedhjet e 6 nëntorit, në të cilat do të përballet me Mit Romnin, ish-guvernator i Masaçusetsit. Sondazhet e opinionit tregojnë se Obama mban një epërsi të lehtë ndaj Romnit. Gjatë ditës së dytë të Konventës, demokratët amendamentuan platformën e tyre politike, për të shtuar referencat për Zotin dhe për Jerusalemin si kryeqytet i Izraelit. Republikanët kanë kapur momentin për të kritikuar demokratët.
...