Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker viziton sot Tiranën
Zëvendës/ndihmës sekretari amerikan, gjatë qëndrimit në Tiranë do të zhvillojë takime me kryeministrin Sali Berisha, presidentin Bujar Nishani dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti
Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Azinë, Filip Riker mbërin sot në Shqipëri në kuadër të një vizite zyrtare. Vizita e diplomatit amerikan parashikon takime me zyrtarë të lartë të vendit, presidentin e Republikës Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha. Po ashtu, zyrtari i lartë amerikan do të zhvillojë një takim edhe me ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti. Vizita e Riker vjen në një klimë debati në vendin tonë, për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe në prag të dorëzimit të progres raportit të KE-së, për marrjen e statusit kandidat në BE. Nga njëra anë Partia Socialiste vazhdon të kushtëzojë heqjen e imunitetit me paketën e saj të ndryshimeve kushtetuese, ndonëse nuk është koha e përshtatshme për diskutime të kësaj natyre. Më shumë se njëherë Brukseli zyrtar, por edhe Uashingtoni janë shprehur në sintoni të plotë për domosdoshmërinë e zhveshjes së zyrtarëve të lartë nga imuniteti, si tregues i luftës me tolerancë zero kundër korrupsionit.
Gjithsesi, zëvendësndihmësi i Sekretares amerikane të shtetit për Europën dhe Euroazinë, pritet të diskutojë dhe të përcjellë mesazhin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi zhvillimet e rëndësishme politike në vend. Përpjekjet e qeverisë shqiptare në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, por edhe zhvillime të tjera politike, parashikohet të jenë temë e bisedimeve mes zyrtarit amerikan dhe krerëve të shtetit dhe politikës.