E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE për vizat: Mangësi në kriteret e Udhërrëfyesit

Autori i Lajmit: Redaksia
Në raportin e fundit për vizat të Komisionit Evropian theksohet se Shqipëria edhe këtë herë është vonuar me plotësimin e blloqeve të Udhërrëfyesit. Sipas këtij raporti të hartuar në 44 faqe, Shqipëria ka përmbushur me sukses 1 nga 4 blloqet e udhërrëfyesit, ndërsa 3 të tjerët pjesërisht. Vonesa vërehet në një pjesë të mirë të kuadrit ligjor, i cili është miratuar vetëm në 3 mujorin e parë të 2010-ës, megjithëse kriteret përcaktoheshin qartë që në 4 qershor 2008, kur u dorëzua udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Në raport citohet se të martën, KE do të diskutojë për Shqipërinë. Si ligje që duhet të ishin miratuar që në qershor të 2008 përmenden, “Ligji për mbrojtjen ndaj diskriminimit i miratuar në shkurt 2010. Plani i aksionit ndaj korrupsionit i miratuar në mars 2010. Ligji anti-mafia i miratuar në dhjetor 2009. Plani i ri i aksionit kundër drogës i miratuar në mars 2010. Ligji i ri për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja për çështje kriminale u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në shkurt 2010. Në fushën e azilit, rregullat për apel u qartësuan me udhezim ministror në mes të shkurtit 2010” – citohet në raport. Në raport thuhet gjithashtu se përparim ka pasur për menaxhimin e kufijve por policët kufitarë duhet të jenë të trajnuar për çështje specifike, ndërsa shtohet se një nga objektivat e plotësuara është pajisja me letërnjoftime dhe pasaporta biometrike. E blinduar tashmë me ligje dhe strategji, sipas Komisionit, Shqipërisë i duhet ende të dëshmojë zbatimin efikas të një pjese të mirë të tyre. “Nevojitet zbatim i strategjisë dhe planit të aksionit kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar. Për emigracionin, duhet monitorim dhe koordinim i mëtejshëm për Strategjinë Kombëtarë. Duhet të garantohet dhe zbatohet e drejta e refugjatëve për të pasur dokumente identifikues. Duhet parë zbatimi i ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit. Në krahasim me të gjitha raportet e tjera paraardhëse, në vlerësimin e prillit ndihet gjithsesi tendenca e një formulimi pozitiv për Shqipërinë nga ana e Komisionit Evropian. Për shembull, ndër të tjera, trafiku i qenieve njerëzore cilësohej shqetësim i veçantë në raportin e dhjetorit 2009 për vizat, ndërsa ky formulim nuk figuron më në vlerësimin e fundit të prillit.

Më 27 prill përgjigja për vizat

Këtë javë pritet që Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina të marrin përgjigje nga institucionet e Brukselit lidhur me aplikimin për liberalizimin e vizave. Media ndërkombëtare ka njoftuar duke iu referuar burimeve nga Brukseli, se në datën 27 prill 2010, Komisioni për të Drejtat Civile dhe Çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian do të zhvillojë një mbledhje në të cilën do të merret rekomandimi bazik që do të paraprijë më tej procesin e liberalizimit të vizave. Pasi të marrë në shqyrtim raportin e Komisionit për Çështjet e Brendshme Parlamenti pritet që më pas të vazhdojë më tej procedurën me propozimin për heqjen e vizave. Nëse propozimi i Komisionit do të jetë pozitiv, kjo konsiderohet si një shtysë e madhe në procesin e hyrjes së Shqipërisë dhe Bosnjës në hapësirën shengen. Raporti i fundit i ekspertëve është depozituar tashmë në Komisionin e drejtuar nga Cecilia Malmstrom e cila pritet të analizojë përparimin e bërë nga të dy vendet. Pak kohë më parë, gjatë një vizite në Tiranë, Ministri i Jashtëm Italian, Franco Frattini tha se shpallja e vendimit për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën do të ndodhë në qershor 2010.

Raporti

1. Ligji për mbrojtjen ndaj diskriminimit u miratua në shkurt 2010.

2. Plani i aksionit ndaj korrupsionit u miratua në mars 2010.

3. Ligji anti-mafia u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në janar 2010.

4. Plani i ri i aksionit kundër drogës u miratua në mars 2010.

5. Ligji i ri për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja për çështje kriminale u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në shkurt 2010.

6. Në fushën e azilit, rregullat për apel u qartësuan me udhëzim ministror në mes të shkurtit 2010.

7. Periudha e plotësimit të këtyre kritereve, dëshmon se prania e opozitës në parlament nuk ka qënë e domosdoshme, duke nxjerrë pikëpyetje përse ky kuadër ligjor nuk u miratua menjëherë pas zgjedhjeve, apo madje dhe gjatë 12 muajve përpara tyre, që nga momenti i marrjes së udhërrëfyesit.

8. E blinduar tashmë me ligje dhe strategji, sipas Komisionit, Shqipërisë i duhet ende të dëshmojë zbatimin efikas të një pjese të mirë të tyre.

9. Nevojitet zbatim i strategjisë dhe planit të aksionit kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar.

10. Për luftën ndaj krimit të organizuar e terrorizmit, kërkohen më shumë përpjekje për rezultate konkrete dhe zbatim efikas të kuadrit ligjor.

11. Për emigracionin, duhet monitorim dhe koordinim i mëtejshëm për Strategjinë Kombëtare.

12. Duhet të garantohet dhe zbatohet e drejta e refugjatëve për të pasur dokumente identifikues.

13. Sistemi MEMEX është operacional, por duhet të eksplorohet potenciali i plotë i tij.

14. Për trafikun e qenieve njerëzore, vlerësohet se shumë pak çështje i kaluan gjykatës gjatë vitit 2009. Kërkohet zbatim i mëtejshëm i Konventës së Këshillit të Evropës ndaj këtij fenomeni.

15. Duhet parë zbatimi i ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit.

16. Pajisja me teknologji të reja në fushën e rendit dhe menaxhimit të kufijve, por dhe miratimi i disa ligjeve dhe ngritja e strukturave të reja nxjerr në pah mospërgatitjen e duhur të personelit në polici, prokurori dhe agjenci të ndryshme. Për këtë arsye në raport “Nevoja për trajnim” është togfjalëshi mbizotërues.

17. Policët kufitar duhet të trajnohen për çështje specifike për të rritur aftësitë e tyre.

18. Kërkohet forcim i kapacitetit investigues për policët dhe prokurorët që mbulojnë çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

19. Operacionet e njësisë së krijuar në Policinë e Shtetit, falë ligjit anti-mafia, duhet të koordinohen me ato të hetuesisë, dhe stafi duhet trajnuar siç duhet.

20. Nevojiten më shumë trajnime të specializuara në Policinë e Shtetit dhe ndërrimet e shpeshta të personelit të trajnuar duhet të reduktohen.

21. Duhet trajnuar policia dhe prokuroria në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor, për të rritur vetëdijen e sistemit të përbashkët operues për çështje të trafikut ilegal.

22. Kërkohet forcim i kapaciteteve të agjencive që merren me trafikun e qënieve njerëzore.

23. Në pasqyrën e prillit të Komisionit Evropian renditen sigurisht edhe kriteret që mbeten ende për tu plotësuar.

24. Për trafikun e drogës, vlerësohet se duhet të krijohen programe të kultivimit të bimëve alternative, për të luftuar kultivimin e bimëve narkotike, dhe duhen zhvilluar më tej metodat investiguese që çojnë në hetime me komplekse.

25. Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimeve terroriste kërkohet që të përmirësohet në disa fusha, sidomos përsa i përket zbatimit në praktike të akteve nënligjore.

26. Duhet miratuar një strategji me masa konkrete për të lehtësuar kthimin dhe integrimin e personave të riatdhesuar.

27. Në menaxhimin e kufijve, aksesi në të dhënat e Interpol-it, është i mundur, por nuk është i automatizuar.

28. Nuk është miratuar ende ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Administrimin e Aseteve të Konfiskuara.

29. Numri për raportimin e transaksioneve të dyshimta është rritur lehte, por në tërësi vlerësohet i ulët. Kërkohet që të rritet raportimi elektronik dhe vërehet nevoja për staf analizues.

30. Për të garantuar zbatimin e duhur të ligjit mbi Bashkëpunimin Gjyqësor me Autoritetet e Huaja për Çështje Kriminale, nevojiten dispozita për burime të mjaftueshme njerëzore për zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke përfshirë këtu dhe përkthyes, si dhe dispozita për trajnimin e përshtatshëm të tyre.

31. Bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet të rritet, veçanërisht për luftën ndaj krimit të organizuar. Amendimet në ligjin për policinë gjyqësore duhet të garantojnë autonominë e oficerëve të kësaj policie brenda kuadrit të Prokurorisë.

32. Duhen përcaktuar qartë kompetencat dhe të diferencohen çështjet që i takojnë Policisë së Shtetit nga struktura e 6 njësive të hetimit të përbashkët rajonal kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

33. Për të zbatuar planin e aksionit për romët duhen të jepen burime të mjaftueshme financiare e njerëzore.

34. Niveli i besimit për çështjet e korrupsionit mbetet i ulët dhe gjykimi i rasteve mund të përshpejtohet. Së fundi, pati rritje në zbulimin e rasteve që përfshinin zyrtare të lartë dhe vetëm në pak raste është lënë imuniteti i të gjykuarave për tu hetuar ndaj akuzave për korrupsion.

35. Shqipëria duhet të plotësojë dhe dy rekomandimet e bëra nga GRECO, struktura e Këshillit të Evropës për luftën ndaj korrupsionit.

36. Duhet zgjedhur pa vonesë komisari sipas ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit.

Ky lajm është publikuar: 26/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›