Evropa kërkon heqje vizash, socialistët e Ramës luten që kjo të mos ndodhë

Publiku shqiptar po vendoset në një situatë absurde, ku të gjithë faktorët evropianë konfirmojnë se janë përmbushur parakushtet për heqjen e vizave, por socialistët e Edvinit ripërsërisin se janë të gatshëm të destabilizojnë vendin, mjaft që kjo e mirë mos t’u ndodhë bashkëkombasve të tyre. Dje Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon ka përsëritur apelin e fundit, duke deklaruar se “qëndrimet anarkiste të opozitës shqiptare po pengojnë liberalizimin e vizave”
Raportuesja për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor në Parlamentin Europian, eurodeputetja Tanja Fajon në një koment të saj për Institutin Ndërkombëtar për Studime në Ballkan dhe Lindjen e Mesme, ngreh shqetësimin se, “situata politike në Shqipëri dhe thirrja e opozitës për protesta në fund të këtij muaji, mund të pengojnë procesin e heqjes së vizave për shqiptarët”.
Duke thënë që Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në përmbushjen e kushteve teknike për vizat, eurodeputetja ngre pyetjen nëse “Shqipëria është vërtetë e pjekur për këtë proces, apo ajo duhet t’i mbyllë vetë dyert e saj për në Europë për shkak të situatës politike dhe thirrjeve të opozitës për protesta antiqeveritare”.
“Unë pres që komisioni të bëjë rekomandimin për liberalizimin e vizave për dy vendet, por kjo varet nga çështjet e mbetura pezull dhe se u takon autoriteteve vendase që të finalizojnë punën që kanë për të bërë”, deklaroi Fajon.
Teksa bën një rezyme të zhvillimeve dhe progresit të Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, Fajon thotë se “vendimi i qershorit për vizat duket gjithnjë e më pak real”, duke shpjeguar edhe arsyet.
Sipas saj, “disa nga vendet anëtare të BE u përfshinë nga një valë azilkërkuesish nga Maqedonia dhe Serbia, sidomos Belgjika dhe Zvicra në fillim të vitit”. “Të tjerë janë ndikuar ndoshta nga eksperienca të hidhura të së shkuarës. BE është goditur nga kriza ekonomike dhe në axhendën e saj ka çështje më të rëndësishme se liberalizimi i vizave me vendet e Ballkanit perëndimor, e dikush ndoshta do të dëshironte që vendimi për heqjen e vizave me këto vende të shtyhej derisa edhe të tjerë shtete si Ukraina, Rusia, apo edhe Turqia të bëheshin gati”, thotë ajo.
E këtë Fajon e quan “absurditet”. Ajo sqaron se “vlerësimi i ekspertëve, do të bëhet i ditur në fund të prillit dhe nëse gjithçka shkon mirë, propozimi për Shqipërinë dhe Bosnje- Hercegovinën mund të diskutohet në fund të majit”.
Sipas saj “është shumë e rëndësishme që autoritetet të vazhdojnë të punojnë fort, sepse kemi përpara muaj vendimtarë dhe duhet ruajtur përgjegjshmëria”.
Megjithatë, Fajon shpreson se Brukseli do të çojë përpara propozimin legjislativ për liberalizimin e regjimit të vizave dhe do të kërkojë përmbushjen e kushteve shtesë përpara se të jetë përmbyllur procesi i plotë i liberalizimit.