E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Arian Miluka - një jetë kushtuar artit të cirkut

25-10-2012 / Nga Eden Babani

Gjashtëmbëdhjetë vjet përpara, pata shkruar një artikull kushtuar ditëlindjes së Besianës, vajzës së mikut tim, Arian Miluka. Ishte tetori i 1996-s, atëherë. Në Bruksel, vija për herë të parë, të kaloja pushimet te djali, Mehmeti, asokohe diplomat në Ambasadën e Shqipërisë. Besiana mbushte 12 vjeç. Çifti Miluka, Ariani dhe Shpresa, na ftuan të festonim së bashku. Për mua ishte e papritura më e këndshme e atyre pushimeve. Përveç që do të kalonim një mbrëmje të gëzuar, do të njihesha me dy bashkatdhetarë që kishin bërë emër në botën e artit. Kush nuk kishte dëgjuar për Arian Milukën, njërin ndër më të spikaturit artistë të Cirkut të Tiranës? Po për aktoren Shpresa Bërdëllima, për rolet e saj të paharrueshme, si, fjala vjen, Asimeja te “Përtej mureve të gurtë”? Kinematë, Estrada e Shtetit, Cirku i Tiranës, Teatri  Popullor, më rrallë Teatri i Operës dhe i Baletit, por më shpesh dy stadiumet, ishin vendet e pakta ku mund të kalonim disa orë argëtimi, larg streseve që na shkaktonin radhët pafund për qumësht e për gjizë, aksionet e përjavshme, mbledhjet e organizatave të masave, zhurmuesit e Dajtit, kontrollet e Frontit nëpër pullazet e shtëpive për ndonjë antenë të fshehur, e plot të tjera kësisoj. Izolimi i tejskajshëm i vendit me klone e tela me gjemba, na shtynte të kërkonim e të gjenim medoemos një dritare frymëmarrjeje. Me të drejtë Jorgji Kote ka shkruar në librin e vet, titulluar “Në vetërrethim”: “Këtu, në Bruksel, i kujtojmë ato shfaqje me Arian Milukën, njërin prej veteranëve të Cirkut Shqiptar që, bashkë me Telat Agollin, Vitore Sollakun e të tjerë, na hidhnin ashtu si pa e kuptuar në skajet e fantazisë njerëzore, por edhe na kënaqnin e na argëtonin pamasë”.
Kanë kaluar gjithë këta vjet. Besiana tashmë po mbaron Fakultetin e Fizikës në Universitetin Luvenit, njëri ndër më të vjetrit universitete të botës. S’do mend, edhe për t’u parë, shihemi shumë rrallë, ndonëse me familjen Miluka shkojmë e vijmë shpesh. Mirëpo rastësia, kjo dukuri e pandarë e jetës së përditshme, më hodhi te Milukët bash të enjten e 4 tetorit, ditën e lindjes së Besianës. Thonë se miku i paftuar, e gjen pashtruar. Ne, unë dhe ime shoqe, Bardha, e gjetëm të shtruar, madje edhe me raki Shqipërie “të bome vetë” - BMV, si thotë Ariani. Tek e ngrita gotën me BMV, që të uroja, m’ u kujtua shkrimi i para gjashtëmbëdhjetë vjetëve. Mendja më shkoi të shkruaja sërish, veçanërisht për rrugën e vajzës deri në Universitetin e famshëm të Luvenit. Nuk është pak edhe për një belge, jo më për një shqiptare, lindur e rritur në Tiranë deri në moshën e shkollës. Qofsha shëndoshë, premtova me vete, do të shkruaj pas dy vjetësh, kur të ketë marrë gradën e master-it, në Universitetin e Liezh-it, ku është pranuar paraprakisht, ende duke ndjekur vitin e fundit në Luven. Ndërkohë, sytë më shkuan tek diplomat që ka fituar Ariani si artist cirku. Radhën, pra, dashur-padashur ia zuri i ati, shqiptari që ka bërë epokë në Belgjikë, si bashkëthemelues i Shkollës së Lartë të Cirkut profesionist.
Në fillim të viteve ’90, Ariani e la vendlindjen, ndonëse, nip i familjes së njohur Delvina, nga e ëma, dhe bir i një ish oficeri të Mbretërisë, burgosur qysh në vitin 1945, mezi e priste rënien e diktaturës komuniste. Shtoj se, në valën e acarimit të luftës së klasave, Ariani, dy herë i pushuar nga puna (më 1969 dhe më 1974)  ka punuar në Fabrikën e Bukës. “Kur u largova nga vendi im, pata një krizë shpirtërore” – i ka thënë ai Eurozëri-t në një intervistë. Shkak i largimit nga vendlindja në ato vite kapërcyelli të dy sistemeve, u bënë intrigat e ca njerëzve të vegjël, smirëzinj e të paaftë. Mendoni një artist që gjithë jetën ia pati kushtuar artit të cirkut, përgatitur në shkollat më në zë të Kinës dhe të Rusisë, themelues i shkollës shqiptare të cirkut etj. të diskutohej prej ambiciozëve nëse ishte apo nuk ishte emëruar zyrtarisht si regjisor dhe se, për këtë arsye, duhej trajtuar si akrobat i zakonshëm!
Gjatë rrugës për në Angli, pas një zhvendosjeje prej Rumanie, në Austri e në vende të tjera të Europës Perëndimore, fati donte që Milukët të nguliteshin në Belgjikë. Artistit tonë të njohur, tashmë emigrant, i duhej të mbijetonte ekonomikisht. Në Bruksel, familja u shtua me një tjetër vogëlushe, Mirvjenën. Ariani kuturisi. U paraqit në shkollën e mesme të cirkut profesionist, që ekzistonte prej jo më shumë se 10 vjetësh. Drejtuesi i shkollës i nuhati aftësitë pedagogjike dhe talentin artistik të Arianit, qysh me njohjen e parë. Ai nuk nguroi ta angazhonte artistin shqiptar për të dhënë përvojën e vet në shkollën që po hidhte hapat e parë në një vend pa tradita në artin e cirkut, siç ishte Belgjika. Falë rinovimit të programeve primitive me të cilat përgatiteshin studentët deri në atë kohë, brenda tre vjetësh, shkolla fitoi famë ndërkombëtare. Studentët e Milukës filluan të pranoheshin me përparësi në shkollat e larta të cirkut në Francë, ku ekzistonin afro 500 shkolla cirku, si edhe në vende të tjera të Europës.
Asohere lindi bashkëpunimi Haeren – Miluka për një projekt të guximshëm: formimi i një shkolle të lartë të cirkut në Bruksel, e cila mori jetë më 1999. Parlamentit i Komunitetit Frankofon të Mbretërisë, në vitin 2003, e njohu shkollën zyrtarisht me emrin l’Ecole Supérieure des Arts du Cirque - ESAC (Shkolla e  Lartë të Arteve të Cirkut).
Sipas Philippe Haeren, bashkëthemelues dhe bashkëdrejtor i ESAC, merita kryesore për këtë arritje i takon kolegut të vet, Arian Milukës. Në qershor 2009, me rastin e daljes së Arianit në pension, Haenen shkruan: “Që Belgjika mund të krenohet se ka në Bruksel një ndër tre shkollat më të mira në botë të cirkut bashkëkohor, kjo, në radhë të parë, falë Arian Milukës.”
ESAC kishte ende nevojë për punën e palodhur e të frytshme të artistit shqiptar, pasi studentët e saj bënë emër e morën medalje të arta në arenat më të famshme e në festivalet më të njohura të cirkut botëror, krahas artistëve kinezë, rusë, francezë etj. Madje, me një urdhër të posaçëm të Ministrisë së Arsimit, Ariani punoi edhe tre vjet të tjerë, pasi kishte plotësuar moshën e pensionit, më 2006. Por ligjet e vendit nuk mund të lëshonin më tepër se aq, ndonëse familja Miluka prej dy-trembëdhjetë vitesh ishte shtuar me Lorenzon, djaloshin që, përveç tri gjuhëve që e lidhin me prejardhjen familjare dhe me vendlindjen - shqipes, frëngjishtes dhe flamanishtes - flet me zhdërvjelltësi të çuditshme edhe anglishten. Ndërkohë, vetë Ariani ndihej ende tepër i ri, i fortë dhe i aftë për t’u dhënë përvojën e vet artistëve të rinj, në formim e sipër.
Qysh atëherë, vlerat e pakrahasueshme të artistit shqiptar janë vënë në dispozicion të FEDEC – Féderation Européenne des Ecoles de Cirque (Federata Europiane e Shkollave të Cirkut). I ftuar për të dhënë leksione dhe përvojë artistike në shkolla të ndryshme të cirkut profesionist, Ariani ka udhëtuar nga Belgjika, në Holandë; prej andej, në Spanjë, Suedi, Austri, Itali, Kanada etj. Shtypi i këtyre vendeve e ka vlerësuar Milukën me superlativa.
Prej vitit 2009 e në vazhdim, Miluka është angazhuar në Piemont të Italisë. Shtypi i Piemontit e pati pritur me entuziazëm arritjen e artistit shqiptar në qytetin limitrof me Francën. Një gazetë e  provincës do të shkruante më 18 nëntor 2009: “Për shumëkënd, emri i Arian Milukës mund të mos thotë gjë. Profesori me prejardhje shqiptare është blerje e re e Shkollës së Cirkut Vertigo e Grurljaskos (Grugliasco), drejtuar nga Paolo  Stratta”.  Kurse një tjetër gazetë: “Miluka është një institucion dhe, për shkollën e Grualiaskos, një vlerë”. E njëjta gazetë citon  drejtorin e shkollës, Paolo Stratta, sipas të cilit “Miluka është një gur i çmuar i pedagogjisë së cirkut bashkëkohor”.
Falë aftësive të pakrahasueshme si ekulibrist, Ariani e pati nisur rrugën e artit qysh në moshën 7 – 8 vjeç, kur demonstronte me të famshmin pehlivan Ali Xhixha në rrugët e Tiranës. Më pas, që prej moshës trembëdhjetë vjeç, talentin e tij dhe të artistëve të tjerë shqiptarë, e përdori regjimi si fasadë për të mashtruar botën me “arritjet e sistemit socialist”. Vetëm pasi u bë i njohur ndërkombëtarisht në botën e cirkut, vendlindja i dha Arianit titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, në maj të 2008-s.
Duke mbyllur këto shënime për mikun tim, dëshiroj t’i uroj atij jetë sa më të gjatë në botën e cirkut, sepse, siç i ka deklaruar ai vetë një gazete italiane, “Cirku nuk është profesion, është pasion. Vetëm nëse je dashuruar me të, nuk ndien lodhje... I vogli, në cirk, rritet. I vjetri, rinohet”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›