Fokus/Dështimi i qeverisë “Rama” nisi me rrëzimin e premtimeve
Edi Rama dhe ministrat e tij, pa hyrë ende në zyra dhe pa bërë 1 ditë punë, kanë konfirmuar zyrtarisht se premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale ishin mashtrime për vota, pasi ato s’do jenë në axhendën e punëve të qeverisë. Si fillim, tre nga premtimet kryesore të Ramës, shërbimi shëndetësor falas, aplikimi i taksës progresive dhe heqja e taksës për biznesin e vogël nuk do të realizohen. Ndërkohë që në diskutim janë edhe pikat e tjera të programit të PS siç janë legalizimet, të cilat pritet të kenë të njëjtin fat. Kësisoj, në programin e 300 ditëve të para të qeverisë, asnjë prej premtimeve elektorale, s’ka vend dhe pritshmëritë janë që edhe gjatë gjithë mandatit ato të mbeten në sirtarë. Kështu, premtimi se brenda mandatit të parë me Edi Ramën kryeministër shqiptarët do të kenë falas kujdesin shëndetësor, falas legalizimin e shtëpive, asnjë taksë bizneset e vogla, asnjë taksë pesë ushqimet bazë, është shtyrë për një afat të pacaktuar, s’dihet se kur.
Kur qytetarët prisnin ngritjen e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, që do të ishte blerësi i shërbimit të kujdesit shëndetësor dhe do ta ofronte pa pagesë për të gjithë, hartuesit e programit qeverisës theksojnë se kjo reformë nuk mund të vihet në zbatim para vitit 2017. Ndërsa premtimi i Ramës se shqiptarët do të kenë falas një sistem të përvitshëm kontrolli mjekësor bazë për çdo qytetar mbi 40 vjeç as nuk përmendet. Në tërësi, premtimet elektorale rezultuan mashtrime flagrante të paparashikueshme – ndërsa janë shqiptarët ata që do ta pësojnë në kurriz keqqeverisjen e Edi Ramës dhe kabinetit të tij të rremë.