Fokus/Ende asnjë reagim publik përballë trafikantit që bën sikur flet për të drejtat e njeriut dhe në emër të të përndjekurve

“Djalli” i kamufluar si “engjëll”.
Trafikanti i femrave i veshur si ambasador i kartës themelore të të drejtave të Njeriut, dashnor i filozofëve francez, adhurues i statujës së lirisë, në fakt shfrytëzues i gjysmës së qiellit, pra femrës, siç do të thoshte Mao. Të gjitha këto sjellje hipokrite janë të shfaqura në predikimet morale të kryetarit të grevës së ashtuquajtur “të urisë”.
Nga ana patologjike, Skënder Tufa duket se është një rast interesant studimi për psikoanalistët dhe psikiatrit. Shfaq mungesë të brejtjes morale dhe tretje të ndërgjegjes në aspekte njerëzore. Tufa si tribun i asaj greve të panatyrshme “pa ujë dhe pa bukë” prej 27 ditësh në agjërim është për t’u studiuar për shkak se nuk paraqet elementë të keqardhjes për sjelljet e tij të mëparshme të dënueshme, jo vetëm nga ligji, por dhe nga morali shoqëror për keqtrajtim të femrës.
E çuditshme por e vërtetë, Skënder Tufa foli dje përpara mediave për rëndësinë e të drejtave të Njeriut, duke harruar se ai ishte një shfrytëzues tipik i trupit të femrës për qëllime prostitucioni. Ky leksion morali që na vlen nga Skënder Tufa ngjan me sjelljen e kryetarit të partisë jakobinë, avokatin Robespier që fliste për të drejtat e njeriut lart e poshtë ndërsa shtinte në gijotinë mijëra qytetarë francezë.
Megjithatë duhet thënë se Skënder Tufa është peng i skenarit të parapërgatitur gjetiu që luan me vetëdije roli e atij që përfaqëson një grup individësh vanitozë të papërgjegjshëm ndaj vetes dhe sigurisht ndaj të tjerëve.
Padyshim Gjergj Ndreca ka bërë 5 vite burg në diktaturë, edhe pse hiqet sikur ka bërë 45 vite në biruca. Sigurisht burgu është burg, por dhe dinjiteti është dinjitet. Burg kanë bërë burra më të fortë, më të mençur, më të urtë sesa Ndreca e Bejko; por kurrë nuk e kanë përdorur veten si përcjellës së një ligësie të paramenduar dy ditë përpara marrjes së statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë. Duhet të kesh një urrejtje të paparë për njerëzit që të skuqesh flakë.
Është e papranueshme të abuzosh me lirinë e demokracisë dhe me dhuratën e jetës deri në organizim të detajuar të (vetë) flijimit. Morali i grevës nuk përkon me drejtësinë e kauzës. Një shembull, kërkesa për hapjen e kutive dhe hyrjen në grevë të deputetëve të Partisë Socialiste. Për pasojë logjike edhe morali i predikimit të Tufës vjen si rrjedhojë e palumturisë personale. Është kthyer në një njeri të papranueshëm që kërkon të bëhet i pranueshëm nëpërmjet konceptit të shfrytëzimit. Nëse më parë shfrytëzonte gra dhe femra për qëllime fitimi, sot shfrytëzon kauzën e ish të përndjekurve për të rehabilituar veten.
Afërmendsh tendenca e Tufës për të shtyrë shokët drejt sakrifikimit me benzinë dëften një anë totalitariste dominuese të karakterit të tij. Një anë e amplifikuar prej mjerimit moral të përjetësuar edhe në vepra të dënueshme penale. Në mënyrë hipotetike mund të thuhet se nëse ky njeri do të kishte sadopak pushtet në një mënyrë anë një tjetër liria për të bërë keq do të kish qenë e pakufizuar.
Sidoqoftë keqpërdorimi i kauzës së ish të përndjekurve për motive të dobëta është një nga atentatet më të mëdha publike që i është bërë konceptit të moralit publik. Paturpësia për të folur për të drejtat e njeriut kur është një shkelës i po këtyre të drejtave më parë sinjalizon për amoralitetin e dukshëm të precedentit Tufa.