E Diel, 1 Nëntor 2026

Objektivi i ri i Berishës: Shqipërinë ta vizitojnë 7 milionë turistë

Kryeministri Berisha inauguron segmentin e parë të rrugës që lidh fshatin Pilur me bregdetin. Në këto 5 vite, vetëm në territorin e bashkisë së Himarës kemi investuar 5 miliard lekë, kemi ndërtuar 40 kilometra rrugë të fshatrave dhe 22 kilometra rrugën Palasë-Borsh. Me infrastrukturën që ndërtojmë, në qoftë se në 5 vite arritëm në 3 milion turistë, në vitet që vijnë, Shqipërinë do ta vizitojnë jo më pak se 7 milion turistë nga mbarë bota


Kryeministri Berisha vizitoi dje fshatin Pilur, në Himarë, gjatë së cilës përuroi përfundimin e lotit të parë, prej 4 kilometrash, të rrugës që lidh fshatin Pilur me bregdetin. Rruga e re, investim i buxhetit të shtetit prej rreth 45 milion lekë, u mundëson banorëve të Pilurit të dalin më lehtë dhe më shpejt në breg. Kryeministri Berisha u prit ngrohtësisht nga banorët e Pilurit, të cilët i shprehën Kryeministrit kënaqësinë e kësaj vizite, e para që një kryeministër u bën atyre. Duke i falënderuar për mikpritjen shumë të përzemërt, Kryeministri u shpreh se vinte me kënaqësi në Pilur, në këtë fshat të njohur në mbarë vendin për këngën e tij dhe pozicionin e mahitës, i konsideruar si ballkoni i detit Jon. Njëkohësisht, Kryeministri shprehu kënaqësinë e këtij investimi të ri, duke u premtuar se sapo të përfundojë projekti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të rindërtojë edhe pjesën tjetër të rrugës deri në bregdet. Në përfundim të ceremonisë së përurimit, Kryeministri Berisha pranoi me kënaqësi ftesën e banorëve për një bashkëbisedim të lirë mes tyre. Në përshëndetjen e tij, në ceremoninë e inaugurimit, Kryeministri Berisha u shpreh: “Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe ju falënderoj për pritjen shumë të ngrohtë e miqësore. Shpreh kënaqësinë time që ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të segmentit të parë të rrugës që lidh fshatin tuaj të mrekullueshëm, të njohur anembanë trojeve shqiptare për këngën e tij që buron nga shpirti dhe zemra juaj e që ka pushtuar zemrat e mbarë shqiptarëve dhe për pozicionin e mrekullueshëm, ballkon mahnitës i Jonit. Faik Konica do shkruante dikur Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore. Ndërsa unë ju them Piluri, kopshti shkëmbor i bregut të Jonit. Unë, gjithashtu, jam sot, këtu, për t’i premtuar selit prej jush, kryeplakut të fshatit dhe kryetarit të bashkisë se në këtë fshat do të investojmë në rindërtimin e plotë të infrastrukturës. Menjëherë, sapo të përfundoj projekti, Fondi shqiptar i Zhvillimit do të ndërtojë të gjithë trajektoren e rrugës së fshatit tuaj deri në bregdet. Qendra e Pilurit, njëlloj si qendra e fshatrave të tjera të bregut, Dhërmiut, Vunoi, Jalit e të tjerave, do të rindërtohet dhe do të jetë një nga qendrat më të bukura. Kisha e Shën Kollit do të rindërtohet tërësisht. Ndaj jam këtu për t’u dhënë fjalën se do të investojmë në të gjithë infrastrukturën e këtij fshati mahnitës për pamjen, zemrën dhe shpirtin e banorëve të tij. Këto ditë jam me pushime, por kënaqësia ime madhe është se kësaj here pushimet e mia kombinohen çdo ditë, me inaugurime rrugësh e investimesh të reja. Në këto 5 vite, vetëm në territorin e bashkisë së Himarës kemi investuar 5 miliard lekë, kemi ndërtuar 40 kilometra rrugë të fshatrave dhe 22 kilometra rrugën Palasë-Borsh. Gjatë këtyre 5 vite, ne kemi rindërtuar dhe po rindërtojmë një seri rrugësh, të cilat lidhin të gjitha fshatrat e bregut me detin. Siç e përmenda më lart, janë 40 kilometra rrugë që zbresin drejt detit që kanë përfunduar, apo janë në përfundim e sipër. Kam kënaqësi gjithashtu se këtë vit, bregu i detit dhe Shqipëria në tërësi kanë pritur turistë nga mbarë bota, më shumë se kurrë në historinë e vet. Vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga 3 milion turistë. Këtë vit, numri i qytetarëve me shtetësi joshqiptare që vizitojë Shqipërinë është rritur me 26 përqind dhe këto të dhëna janë deri në fund të muajit korrik. Brenda një harku të shkurtër kohor, vetëm 5 vjeçar, nga viti 2004, kur Shqipërinë e vizituan vetëm 300 mijë vizitorë, vitin e kaluar pritëm 3 milion. Kjo përbën një zhvillim shumë ogurbardhë për ne dhe një mbështetje të fuqishme. Asnjë degë e ekonomisë shqiptare nuk ndikon në portofolin dhe kontot e familjeve shqiptare, sesa turizmi. Nga turizmi përfitojnë mijëra e mijëra familje shqiptare që presin turistë, sheshin prodhimet e tyre në zonat turistike dhe investimet që bëhen me radhë në këto zona. Por në rast se turizmi u dhjetëfishua, unë dua t’ju garantoj se investimet në zonat turistike u 30-fishuan. Ne jemi përpjekur dhe kemi mobilizuar të gjitha potencialet tona që me shpejtësi të ndërtojmë një infrastrukturë moderne, natyrisht, me përparësi në ultësirën bregdetare, në zonën turistike nga Velipoja në Ksamil. Ndonëse motoja jonë, kombi sytë nga deti, është e drejtë dhe ndershme, ne nuk po i lëmë malet në harresë, por po investojmë në rrugë dhe infrastrukturë drejt çajupit dhe Tomorrit, drejt Stërblevës dhe Korabit, drejt Bjeshkëve të Namuna, Razmës dhe Thethit, Voskopojës e Prespës dhe të gjitha zonave. Shqipëria është vendi me potencialin turistik më të madh, se çdo vend tjetër. Me infrastrukturën që ndërtojmë, në qoftë se në 5 vite arritëm në 3 milion turistë, në vitet që vijnë, Shqipërinë do ta vizitojnë jo më pak se 7 milion turistë nga mbarë bota. Secili nga ju dhe çdo qytetar i bregut duhet të shtrojë pyetjen, kur ka ndryshuar kaq shumë dhe kaq shpejt për mirë kjo zonë, më shumë se në këto 5 vite. Më lejoni të ndalem në këto ndryshime dhe t’ju them se ku u gjetën fondet për to. Të gjitha fondet u morën së pari dhe para së gjithash, duke ju dalë zot parave, taksave dhe kontributeve tuaja. Vij me kënaqësi të madhe këtu se Shqipëria këtë vit u rendit e dyta në botë për transparencën e prokurimeve publike dhe ju jap fjalën se betejën kundër korrupsionit, përsa kohë të më votoni, do ta kem betejën e parë për jetë a vdekje. Unë ju deklarova se në këtë hark të shkurtër kohor, në bashkinë e Himarës kemi ndërtuar dhe janë në përfundim e sipër 62 kilometra rrugë, por ju garantoj se po kaq kilometra janë të ndërtuara në bashkinë e Shijakut, Fushë Krujës, të Devollit dhe në dhjetëra e dhjetëra bashki të tjera. Gjatë 4 viteve që shkuan, ne ndërtuam në infrastrukturë dhjetëra herë më shumë, se qeveritë pararendëse. Por krahas ndërtimit të infrastrukturës, ne nuk ju harruam kurrë juve, nuk harruam kurrë të punësuarit tanë që u shkrinë në një sistem barbar dhe skllavërues dhe ne jemi i vetmi vend në Europë dhe botë që në një hark kohor 4 vjeçar, kemi mbidyfishuar fondin e pensioneve. Unë e kuptoj dhe jam i vetëdijshëm që për pensionistët, ato që marrin janë pak, por kërkoj mirëkuptimin e tyre. Në vitin 2005, i gjithë fondi i pensioneve ishte 50 miliard lekë, çfarë ishte vendosur në të nga viteve ’50 deri në vitin 2005, por sot, fondi i pensioneve është 109 miliard lekë, pra, është mbidyfishuar. Fondi i ndihmës ekonomie nga 14 miliard, sot është 33 miliard lekë. Paga mesatare e administratës ishte 230 mijë lekë, sot, ajo është 46 mijë lekë.


Ju i dëgjoni si bërtasin e si përpiqen të mbjellin trillim e mashtrim përditë, si derdhin lot krokodili për borxhin. Jo, ju dhe asnjë shqiptar nuk i keni borxh askujt. Ta mbani ballin lart, sepse ne asnjë herë nuk kemi marrë borxh asnjë qindarkë, për rrogat dhe pensionet tuaja. E kundërta ka ndodhur. Ne kemi gjetur një borxh prej 72 përqind të prodhimit të vendas dhe sot, ai është 59 përqind. Por sot kemi një Shqipëri tjetër. Një Shqipëri që pret mbi 3 milion turistë në vit. Një Shqipëri që sot ka 3 herë më shumë studentë, se në vitin 2005. Një Shqipëri që sot ka një fond pensionesh 2 herë më të madh, se në vitin 2005, një fond pagash 2 hyrë më të madh dhe fond ndihme ekonomike 2 herë më të madh. Një Shqipëri, anëtare të NATO-s. Një Shqipëri, qytetarët e së cilës brenda muajve të fundit të këtij viti do të lëvizin të lirë në mbarë Europën. Kjo është vepra jonë e përbashkët. Në fjalën e fundit në parlament, unë e ftova opozitën të vijë dhe sëbashku me mua të inaugurojmë të gjitha veprat, që të bëhen pjesë e këtij zhvillimi. Nuk u them të mos e qortojnë dhe kritikojnë qeverinë, le ta kritikojnë, por të mos mohojnë asgjë, se ato që ne kemi arritur, i kemi arritur me djersë, mund e ndershmëri, i kemi arritur në kohën më të vështirë për Europën dhe botën dhe ekonomia jonë qëndron, sepse është ekonomi e lumenjve të djersës. Askush nuk e nxjerr kafshatën dhe ndërton jetën e tij më me vështirësi sesa ju, të cilët keni hapur shkëmbin dhe keni ndërtuar kopshtet. Dhe po kështu është e mbarë Shqipëria. Ndaj dhe ne rrisim rrogat, pensionet, ndërtojmë shkolla të reja, rrugë, ujësjellës, kanalizime”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›