Përvjetori i pushkatimeve për ambasadën sovjetike, një moment për të kërkuar falje
Në përvjetorin e pushkatimit të 22 intelektualëve prej diktaturës komuniste, pas ngjarjes së 26 shkurtit të 1951-it, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kujton se s’kemi të bëjmë vetëm me një ditë kujtese, por edhe me një rast për t’u bërë një ftesë të sinqertë, të gjithë atyre që janë pjesë e trashëgimisë së kësaj dhune, që të kërkojnë të falur
“26 shkurti i vitit 1951 është një ditë e zezë në historinë tonë, ku u ekzekutuan 22 intelektualë mes të cilëve dhe një grua. Kjo është një nder aktet më makabër në historinë e diktaturës së komunizmit por edhe e të gjithë vendit”. Një qëndrim i tillë erdhi nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila reagoi dje në përkujtim të ngjarjes tragjike të 26 shkurti i vitit 1951. Në vlerësimin e kryeparlamentares Topalli kjo ditë duhet të jetë një ditë kujtese dhe reflektimi për shoqërinë, politikën, median, për të gjithë, pasi është edhe një ditë akuze, por edhe një ditë ftese për të kërkuar të falur. “Ishte një ditë e dhimbshme për familjarët dhe shoqërinë, ditë në të cilën u pushkatuan dhe pastaj u thirrën gjykatës për të nënshkruar vendimin. Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë si shoqëri kemi detyrë të përkujtojmë ata që deshën këtë vend dhe që dashurinë e tyre e paguan me plumba. Çdo vit 26 shkurti përveçse është një ditë kujtese është momenti që gjithkush të gjejë kurajën për të kërkuar të falur”- tha Topalli. Ashtu si dhe vitin e kaluar, gjatë kësaj jave Kuvendi do të organizojë një seancë të posaçme për të përkujtuar këtë akt kriminal të pushkatimit të 22 intelektualëve
Zonja Kryetare ju doni të kujtoni sot të pushkatuarit gjatë regjimit komunist, për shkak të ngjarjes së bombës së Ambasadës Sovjetike. Pse? Sigurisht, ju e keni bërë këtë edhe në vitet e shkuara, përse e keni kaq për zemër kujtimin e kësaj ngjarjeje?
Kjo një është detyrë, që duhet ta bëjë çdo shqiptar. Kuvendi i Shqipërisë, këtë ngjarje e ka kujtuar edhe vite të tjera. Masakra e 26 shkurtit 1951 është një ditë që kërkon reflektim. Është një ditë kujtese, është një akuzë por është edhe një ditë ftese, për të kërkuar të falur. Është një ditë e dhimbshme, jo vetëm për familjarët e atyre që u pushkatuan pa ditur përse-në, pa avokat, pa prokuror, pa gjyq, pa vendim, thjeshtë sepse byroja politike kishte vendosur dhe se i duheshin disa të ekzekutuar. Në 100-vjetorin e Pavarësisë, të cilin unë e shikoj edhe si një përvjetor të një reflektimi të madh të shoqërisë shqiptare për të gjithë historinë tonë, kjo merr një vlerë reflektimi edhe më të lartë. Jo vetëm sepse u pushkatuan 22 intelektualë, kur Shqipëria ishte një ndër vendet më analfabete të Europës, jo vetëm se mes tyre u ekzekutua edhe një grua intelektuale, në moshë fare të re, thjeshtë sepse nuk pranonte komunizmin, sistemin e diktaturës, nuk pranonte që vendi jonë të drejtohej nga bandë kriminelësh. Por edhe për faktin se, përsa kohë në vendin tonë nuk do të ketë ndjesë, kërkesë për falje, nuk do të ketë reflektim, 26 shkurti, do të mbetet thellë, një ngjarje e dhimbshme për shoqërinë, politikën, për median, për drejtësinë. Edhe në javën e ardhshme, e kemi për detyrë që në seancën plenare të përkujtojmë këtë ditë, të një krimi makabër, që shqiptari e bëri kundër shqiptarëve, thjeshtë dhe vetëm sepse nuk pranonin sistemin, nuk pranonin dhunën, donin lirinë dhe ishin të drejtuar drejt perëndimit.
Pse pikërisht Kryetarja e Kuvendit përkujton këtë ngjarje, ndërkohë që nga komunizmi ka plotë ngjarje që meritojnë reflektimin shoqëror. Pse pikërisht kjo ngjarje dhe pse ju?
Kjo ngjarje duhet të jetë një ditë kujtese për çdo shqiptar, kjo s’ka lidhje me pozicionin tim si Kryetare e Parlamentit, deputete apo qytetare e thjeshtë. Përsa kohë dhe përsa mundësi të kem për ngritur zërin, natyrisht këtë ditë do t’a kujtoj dhe kjo duhet të jetë ditë kujtimi për çdo shqiptar. Natyrisht, nuk është vetëm kjo ngjarje, ne do kujtojmë edhe përvjetorin e pushkatimit të grupit të deputetëve të vitit ’46. Ishin burra që e donin vendin, donin lirinë, donin vlerat e perëndimit. Në këtë 100-vjetor, sigurisht që reflektimi merr një vlerë më të madhe, për këtë ngjarje dhe për shumë ngjarje të tjera. Këtë reflektim, e bëj unë, e bëjnë kolegët e mi, besoj do e bëjë dhe media, dhe të gjithë ata që e duan në thellësi të shpirtit, lirinë dhe vlerat e perëndimit. Shfrytëzoj rastin, për të bërë një ftesë të sinqertë, për të gjithë ata që janë pjesë e trashëgimisë së kësaj dhune, të kërkojnë të falur. Si shoqëri ne duhet të kërkojmë të falur. Të gjithë ne duhet të kërkojmë të falur. Vetëm kur të kërkojmë të falur dhe të kemi një reflektim të thellë, ndoshta, do të jetë pak më i lehtë kujtimi i kësaj dite.