E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota-vjedhësi i Ruzhdies në sallën e parlamentit

Share

Nga Edi Rama

Duke mbështetur kandidaturën e Ardian Vishës, avokatit të Fatmir Mediut, ne nuk ndërruam asnjë presje në qëndrimin tonë ndaj krimit shtetëror të Gërdecit.Kjo këtu nuk është një përpjekje për të justifikuar gjësend lidhur me mbështetjen që dhamë për Vishën. Eshtë vetëm shpjegimi krejt i sinqertë i një pikëpamjeje që nuk e ndaj me asnjë ndër ata opozitarë të ndershëm, të cilët e lexuan dhe e komentuan nga një këndvështrim tjetër zgjedhjen tonë. Prej atij këndvështrimi Partia Socialiste u keqgjykua në zgjedhjen e saj, me jo pak komente denigruese. E sot dua të shpjegohem në respekt të gjithë atyre qytetarëve opozitarë që na keqgjykuan dhe vetëm të tyre, sepse maskarenjve politikë, të cilët kanë fajin e llogores së pushtetit për krimin e pandëshkuar të Gërdecit apo ndjekësve të tyre që u mbajnë anën qorrazi, nuk u detyrohem asnjë shpjegim. Asnjëherë. Prifti dhe Avokati ishin dy profesione të ndaluara me ligj nga diktatura, si pasojë e asgjësimit nga njëra anë të së drejtës për të besuar apo për tu rrëfyer dhe nga ana tjetër, të së drejtës të çdo të akuzuari, edhe për krimet më monstruoze, për tu prezumuar i pafajshëm përpara gjyqit të popullit. Por a është në fakt prifti bashkëfajtor për çka mban kyçur brenda vetes prej tmerreve që i bie të dëgjojë në dhomën e rrëfimit? Po avokati a është bashkëfajtor për akuzat që rëndojnë mbi klientin, cilatdoqofshin bëmat apo gjëmat e klientit? Padyshim jo, as njëri as tjetri nuk janë të fajshëm dhe askush ska të drejtë në një shoqëri të lirë të gjykojë keq as priftin, pse nuk denoncon në prokurori rrëfimtarët e mëkateve që lidhen me shkeljen e ligjit, as avokatin, pse merr përsipër të mbrojë njerëz të akuzuar për shkeljen e ligjit nga prokuroria. Sepse nëse prifti nuk mund të bëjë detyrën e tij apo avokati të tijën, vetë shoqëria ka humbur lirinë dhe drejtësinë. Kriminelët nazistë të gjyqit të Nurembergut u mbrojtën të tërë me avokatë përballë gjykatësve të botës së lirë. Kurrëkujt si vajti mendja të pështynte avokatët po përkundrazi, avokatia e atyre monstrave të racës njerëzore në sallën e gjyqit më të madh të demokracisë kundër diktaturës ishte shprehja më e qartë dalluese, mes sistemit barbar të vrasjeve në emër të popullit dhe sistemit demokratik të dënimeve në emër të ligjit. Thënë kjo e vërtetë e thjeshtë që njerëz të mirë e të ndershëm e harruan kur u turrën ndaj një avokati prej revoltës së tyre legjitime për plagën e hapur të Gërdecit, po vazhdoj më konkretisht.Ne nuk e mbështetëm kandidaturën e Ardian Vishës për vendin në KLD as sepse ishte avokat i Fatmir Mediut, as sepse avokoi pafajësinë e ish-Ministrit të Mbrojtjes. Ky i fundit ka qenë, është dhe do të mbetet përgjithnjë i fajshëm për shpërdorim detyre me pasojë vdekjen e 26 njerëzve të pafajshëm, pavarësisht se kryefajtori është e do të mbetet kryeministri; pavarësisht se biznesin vrasës të Fabrikës së Vdekjes e hapi dhe e mbrojti deri në fund kryeministri; pavarësisht se gjykata e kapur nga pushteti i kryeministrit nxori të pafajshëm ish-ministrin për të nxjerrë të pafajshëm kryeministrin; pavarësisht se pafajësinë e Fatmir Mediut e shpiku gjykata e Saliut dhe nuk e fitoi Ardian Visha.  Edhe vetë fakti që në fund fare, Fatmir Mediu nuk e votoi avokatin e tij, tregoi se ish-ministri i mbrojtjes ishte e mbeti një çirak i ustait të Fabrikës së Vdekjes.
Po ja pse e mbështetëm ne kandidatin që në fund nuk u lejua të garonte:

Së pari, mbështetëm një kandidat të pakorruptuar, i cili i ka shërbyer shtetit e ligjit në sistemin e drejtësisë dhe as nuk rezulton të jetë përzier në punët e ndyra  të atij sistemi, as nuk është akuzuar ndonjëherë si prokuror, po edhe si avokat, për rryshfetllëqe e sekserllëqe. E mbështetëm përballë një kandidati tipik për moralin dhe sjelljen e kësaj qeverie. Një i verbër në shërbimin ndaj pushtetit, i përzier në historinë e turpshme të moskthimit e të moskompensimit të pronave tek pronarët pa taraf qeveritar, i dalluar në historinë e manipulimit të zgjedhjeve të 8 majit 2011 në Tiranë.

Së dyti, mbështetëm një kandidat me profil të spikatur profesional që as nuk ka rënë ndonjëherë në sy për mungesë profesionalizmi dhe as nuk është akuzuar, qoftë edhe nga kundërshtarët e kandidaturës së tij në tryezën e Komisionit të Ligjeve, si i paaftë për të kryer detyrën. E mbështetëm përballë një kandidati tipik për pushtetin që ka kapur shtetin, një guak intelektualisht, një i paaftë profesionalisht dhe i tejzellshëm politikisht. Shkurt një sojsëz i kompletuar për të kontribuar në qëllimin e mbrapshtë të kryeministrit për ta nënshtruar drejtësinë në çdo qelizë.

Së treti, mbështetëm një kandidat jopartiak për të synuar edhe vota përtej pakicës sonë parlamentare. Me këtë arsyetim: Të shfrytëzojmë qoftë edhe një mundësi teorike për të mos e lejuar pa bërë asgjë hiç në këtë rast, uzurpimin e pandalur të drejtësisë e të vetë KLD-së nga komandot antidrejtësi të Saliut.

Mes mospjesmarrjes në një garë e për pasojë, lejimit të vazhdimit të pushtimit pa asnjë dhimbje koke nga ana e kryeministrit të vendeve në strukturat kyçe të sistemit të drejtësisë, dhe një gare me sadopak gjasa për tu fituar ne zgjodhëm të dytën. E për këtë zgjodhëm dikë me integritet e profesionalizëm jashtë sinorit të opozitës. Zgjodhëm Ardian Vishën jo sepse ishte më i miri i mundshëm dhe assesi jo pse nuk kishim kandidatë më të mirë brenda nesh. Po sepse asnjë kandidat i perceptuar mirëfilli  si i yni sdo të kishte as edhe një shans teorik për të marrë më shumë se sa votat tona të pamjaftueshme.

Ekranet dhe gazetat e Saliut vunë menjëherë tellallin duke bërtitur se opozita po testonte numrat në parlament në prag të zgjedhjes së Presidentit. E thanë ata nuk e thamë ne. E thanë sepse edhe ata e dine, siç e dimë edhe ne, faktin se shumica qeverisëse është në fazën kur mbingopja nga përfitimet prej pushtetit dhe leqendisja skandaloze e qeverisjes, kanë hapur të çara që vetëm zgjerohen dita-ditës brenda asaj shumice, e cila rri ende bashkë po është përditë e më pak e bashkuar. Rrjedha e procesit më pas, me presione, diversione, kërcënime të hapura brenda vetë shumicës për ti shpëtuar disfatës së mundshme të votimit të fshehtë, e vërtetoi këtë pa lënë hije dyshimi. Por të vërtetën kokëfortë se Saliu nuk ka më shumicë të fshehtë në atë parlament ku votimin e fundit me kuti e ka lejuar të ndodhë në vitin 2007, na e tregoi neve dhe gjithë shqiptarëve rënia në shesh e rrobave të kryeministrit nga ku doli lakuriq, mu në mes të parlamentit, një vjedhës i rëndomtë votash. Sikur kishte zbritur vrik drejt e nga Ruzhdija famëkeqe dhe jo nga podiumi i qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

U pa qartë se ofertat korruptive për deputetët e opozitës u zmbrapsën po aq turpshëm sa në kohën kur hienat e Saliut bridhnin me para nëpër thasë e çanta të pista, për të tërhequr në sallë deputetët opozitarë të rreshtuar në frontin e rezistencës demokratike gjatë 6 muajve të bojkotit parlamentar. Por u duk edhe më qartë se as presionet e kërcënimet mbi vetë deputetë të shumicës – e këta ishin më shumë se sa ata që edhe pse në shumicë e refuzuan hapur diktatin e tij të neveritshëm- nuk i mjaftuan Saliut për të

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›