Fokus/Mitrovica, një qytet që po e mbysim vetë
Sa herë më pyesin prej nga vij (dhe unë përmend Mitrovicën) njerëzit më shohin me dhimbje. Është trend të jetosh në zonat ku ka konflikte etnike dhe probleme politike. Gjithmonë do të jesh në qendër të vëmendjes. Por, kur fillon e rrëfen për anën tjetër të medaljes, nuk beson askush. Që kur mbaj mend veten, mbaj mend dhe zhurmën e helikopterëve. S’është çudi, as e padëgjuar. Të jetosh në Mitrovicë është pak a shumë si të jetosh në pyll, ku veli i misterit të ndjek nga pas. Në qytet ka më shumë rrethrrotullime sesa trotuare për këmbësorë. Kudo ndjen mllefin e barkthatëve. Sheh pleq që i afrohen urës dhe mallkojnë të gjallët. Burrat me kollare; drejtorë drejtorish-biznesmenë të fuqishëm paratë i fitojnë duke i detyruar të tjerët të bëjnë vetëvrasje. Pra, këta janë gjithçka për mjerimin, dhe asgjë për njerëzimin. Në Mitrovicë, kur të shëtisësh, do të gjesh trupa njerëzish që hidhen nga ndërtesat shumëkatëshe. Sheh djem të rinj që luajnë me thika. Muzgu i mbledh drogashitësit. Natën, me episode e bën gjumin. Ndodh që në mes të territ futen fqinjët e të plaçkitin. Jo që nuk e sheh grabitësin, por s’arrin ta shohësh as hundën tënde, meqë s’ka rrymë. Terri i privilegjon kriminelët për të maksimizuar fitimin. Pa harruar kapakët e kanaleve, që ikin sa hap e mbyll sytë. Gjithsesi, nuk këshillohet të ngresh krye! Edhe sikur vdes në spital se s’ka ilaçe, apo kur mjekët të thonë se ke kancer ndërkohë që ti je ftohur pak.
Në Mitrovicë, mërzia më e madhe shkaktohet nga pamundësia për të dalluar njëmendësisht kufirin në mes të mundshmes dhe të pamundshmes. Ndërmjet reales dhe irreales, e vetmja ndarje që mund të shihet qartë është ura. Pastaj, aty-këtu ka kafe-bare ku të rinjtë kalojnë gjithë ditën duke rrotulluar lugën kineze prej plastike (kancerogjene), sepse vetëm kështu mposhtin idenë ironike, që u fal ndjesinë e vetëdijes për realitetin e shpifur, ku jetojnë. Mllefi i padrejtësive s’ka kandar. Nga ana tjetër, ndërkombëtarët pa asnjë lidhje me realitetin vijnë, e shesin mend. Gëlojnë lloj-lloj diskutimesh, e gajasin për do projekte. Iu tregojnë fëmijëve çka është HIV-i, si konsumohen drogat, e sa të pacivilizuar kemi qenë deri sa erdhën “shpëtimtarët” për të na modernizuar. Këto organizata, përveç fondeve të majme që marrin kinse për të emancipuar rininë, në dritë zor se qesin diçka. Sot rinia s’flet më për shpresën apo për shkollën. Shpresa është ndrydhur prej kolltukëve të dalë mode e boje, që burokratët i kanë privatizuar. E shkolla ka veç mure të akullta, ku çohet dashuri mes nxënësve, dhe larg të qoftë zhvillimi i mësimit aty, sa të jenë gjallë partitë politike që fusin hundët edhe nëpër mësonjëtore. Shumëkush, që nuk e ka parë Mitrovicën në verë, kur viheshin barrikadat dhe të shurdhonin të shtënat e armëve, më ka thënë se problemi i veriut është i thjeshtë: zgjidhet brenda dy orësh (Në fakt, as në Google Maps nuk e gjen Kosovën për dy orë, e lëre më ta bashkosh Mitrovicën, po nejse!). Këta pseudopatriotë fishkëllejnë pa u ndalur, se s’ia kanë idenë ndryshimit, as vuajtjes së qytetarëve. Përditë turpërohem kur në mend më kalojnë kujtimet e luftës, amaneti i të rënëve e gjaku i dëshmorëve. Pavarësia e shkurtit s’ishte ajo për të cilën vdiqën mijëra shpirtra! Më zihet fryma kur kujtoj verën dhe politikologët, filozofët e psikopatët që jepnin “opinione” për problemin e veriut, ndërkohë qytetarët matanë urës, s’kishin bukë për të ngrënë. Ky është një nga ato momentet kur ti kupton se përveç tenderëve, korrupsionit dhe kriminalitetit, ne s’dimë të bëjmë asnjë gjë tjetër. Aso kohe cicëronin të gjitha partitë në Kuvend. Në krahasim me kryeneçësinë ultra-nacionaliste serbe, vallja pseudo-patriotike e qeverisë dështoi.
Kush kujt ia bëri gropën!?
Në esenë e tij për “Refuzimin e shantazheve të dyfishta të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”, Slavoj Zhizhek vë në pah fondamentalizmin etnik të regjimit profashist serb. Zhizheku shkruan për paradoksin e thellë të përfshirë mbi ideologjinë e viktimizimit, ku aspekti kryesor është privilegji që NATO i bëri fraksionit të “moderuar” kosovar të Ibrahim Rugovës kundër “radikalëve” të UÇK-ës. Kështu që, kur NATO-o ndërhyri për t’i mbrojtur viktimat kosovare, mori gjithë sigurinë e nevojshme që ATA DO TË MBETESHIN VIKTIMA të paafta për ta mbrojtur veten, dhe jo forcë aktive politiko-ushtarake. Zhizhek mendonte se edhe nëse NATO okupon Kosovën, ajo do të mbetet një vend i shkatërruar, me popullin e vet të viktimizuar, dhe aspak subjekt i fuqishëm politik. Tashmë ka kaluar më shumë se një dekadë nga mbarimi i luftës, e pothuajse katër vjet që nga shpallja e pavarësisë, e cila vazhdon të jetë e pakonsoliduar jo vetëm për problemet e veriut, por edhe për aspektin ndërkombëtar të mosnjohjes nga OKB-ja. Sado që vendimi i GJND-së abrogoi në një mënyrë Rezolutën 1244, zbutja e qëndrimit të lidershipit kosovar i dha mundësi avancimi Serbisë për kandidaturën në BE dhe vazhdimësi “kërcënimit”, që me futjen në përdorimit të fusnotës. Nga pozita e “të viktimizuarve”, udhëheqësit e sotëm (por edhe ata paraprakë) vuajnë nga “modernizimi” i tepërt në krahasim me supernacionalistët serbë. Futja e fusnotës është shoqëruar me mjegull e paqartësi në lidhje me avantazhet dhe humbjet që ka pësuar Kosova*.
Paaftësia për të parë projektet ndërkombëtare përmbajtësisht, leximi simbolik i tyre ka diskredituar kredibilitetin e lidershipit aktual. Paradoksalisht, Kosova si rast SUI GENERIS, me qeveri të korruptuar, opozitë të heshtur, krim të organizuar, imazh të keq ndërkombëtar, si vend i varfër dhe pa perspektivë, shihet larg proceseve progresive. “Përkrahja” e rrejshme e qeverisë nga faktori ndërkombëtar radikalizon nevojën për vënien e marrëdhënieve bilaterale me vendet mbështetëse dhe progresin e brendshëm politiko-ekonomik. Sot, Kosova* mbetet e shkatërruar, me popullin dhe liderët e viktimizuar dhe aspak subjekt i fuqishëm politik. Në pritje të “mrekullisë” kemi hequr dorë nga këmbëngulësia për ruajtjen e “kredibilitetit” të pavarësisë së gjymtuar! Kësisoj, qeveria përveç që ia futi vetes fusnotën, shkeli vullnetin e qytetarëve dhe e fali-mbyti me duart e veta një qytet.
Fjollshëm, fusnotshëm, me zemër të plastë prej Kosove.*