E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e besimit tek Evropa

20-03-2012 / Nga Barry Eichengreen

Kriza e euros i ofron Evropës një mundësi që të rikthejë besimin. Shtetet anëtare të BE-së duhet ta rikthejnë besimin tek njëri-tjetri, përmes reformave strukturore

Kohët e fundit nuk mungojnë bisedat rreth deficiteve të Evropës dhe domosdoshmërisë për t’i rregulluar ato. Kritikët flasin për deficitet buxhetore të qeverive. Ata u referohen deficiteve kronike të jashtme të shteteve të Evropës Jugore. Ata po ashtu përmendin deficitet e eurozonës në aspektin institucional – një valutë e vetme dhe një bankë qendrore, mirëpo asnjë element tjetër të një unioni funksional monetar. Natyrisht se në të gjitha këto aspekte, kritikët kanë të drejtë. Mirëpo, asnjë prej këtyre deficiteve nuk ka rëndësi të njëmendtë. Deficiti që po e pengon Evropën të dalë nga kriza është deficiti i besueshmërisë. Së pari ka besim të mangët midis liderëve shtetërorë dhe qytetarëve të tyre. Këtë më së miri e kemi parë në rastin e ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconit, i cili fatmirësisht është lënë anash skenës politike. Megjithatë, madje edhe liderët më me ndikim evropian e kanë humbur besimin e përkrahësve të tyre, duke e thënë një gjë sot, e diçka tjetër nesër. Nga fundi i shkurtit, për shembull, kancelarja gjermane, Angela Merkel insistoi se nuk kishte nevojë për një barrierë më të madhe financiare për të mbrojtur shtetet e tjera të eurozonës nga një falimentim i Greqisë. Ajo u zotua se as edhe një euro shtesë i tatimpaguesve gjermanë nuk do të jepej për këtë qëllim. Megjithatë, të gjithë e dinin se posa që Bundestagu do të votonte për shpëtimin e Greqisë dhe të kalonte kohë për ta pranuar realitetin, Merkel do të ndërronte kahe dhe do të argumentonte se duhet një barrierë më e madhe. Në të vërtetë, këtu nuk ka asgjë të hijshme. Të gjithë e dinë se kur politikanët e thonë një gjë, atëherë kur të gjithë e dinë se së shpejti do ta thonë të kundërtën, besimi mbi liderët evropianë humb. Së dyti, ekziston mungesë besimi midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Arsyeja e vërtetë përse evropianoveriorët nuk kanë qenë të gatshëm të japin më shumë ndihma financiare për Evropën Jugore, është se ata nuk besojnë që këto shtete do të jenë në gjendje t’i shfrytëzojnë me mençuri. Ata druajnë, për shembull, se blerjet e reja të letrave me vlerë nga Banka Qendrore Evropiane, me qëllim të uljes së kostos së huamarrjes në Spanjë, vetëm do të bëjnë që Qeveria spanjolle të mos e marrë aq seriozisht përpjekjen për reforma. Si rezultat i kësaj, Gjermania dhe aleatët e saj janë të gatshëm të ofrojnë vetëm aq ndihma saqë anija të mos fundoset, mirëpo jo edhe të sigurohet se do të mbërrijë në destinacion. Së treti, ekziston mungesë besimi midis grupeve shoqërore, të cilave po u kërkohet të bëjnë sakrifica. Taksistët italianë do të ishin të gatshëm të lejonin më shumë konkurrencë, vetëm nëse janë të sigurt se edhe farmacistët italianë do ta bëjnë të njëjtën. Mirëpo, po qe se rritja e numrit të taksistëve ul fitimet e tyre, derisa farmacistët kundërshtojnë masat e shtimit të konkurrencës, atëherë taksistët do ta kenë më keq dhe farmacistët vetëm do të pasurohen, gjë që duket e padrejtë. Më fjalë të tjera, mungesa e besimit social bllokon reformat strukturore. Versioni grek i kësaj dileme, në të cilën askush nuk paguan taksa , është posaçërisht i ashpër. Sondazhet kanë zbuluar se shoqëritë dallojnë në masë të madhe për nga niveli i tyre i besimit. Ekonomistët, nga ana tjetër, kanë treguar se këto qëndrime të ndryshme kanë rrënjë të thella historike. Në rajonet evropiane ku grupet minoritare persekutoheshin rreth 500 vjet më parë, konfliktet etnike dhe fetare kanë qenë më të pranishme kohët e fundit. Në pjesët e Ballkanit, që për një kohë të gjatë kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane, besimi në qeveri është më i ulët sesa në rajonet e tjera, të cilat kanë qenë të sunduara nga Habsburgët më efikasë. Në rajonet ku banorët e hershëm merreshin më shumë me punë bujqësie sesa blegtorie, gjë që i obligonte të bashkëpunojnë më ngushtë, pasardhësit e tyre kanë më shumë mundësi të formojnë lidhje besimi sot. Shihet se qëndrimet e tyre po përcillen nga gjenerata në gjeneratë. Ato mishërohen në shoqëri në formën e kulturës. Thënë thjesht, kur është në pyetje besimi, historia ka një hije të gjatë. Historianët shpesh kanë theksuar se ngjarjet në të kaluarën e largët vazhdojnë të formësojnë rezultatet në të tanishmen. Megjithatë, ata po ashtu flasin për përjashtimet, kur është e mundur që shoqëritë të ndërrojnë shtegun e tyre të trasuar nga e kaluara. Një krizë vihet në pikëpyetje funksionaliteti i rregullimeve të deritanishme, paraqet një përjashtim të tillë. Kështu kriza e euros i ofron Evropës një mundësi që ta rikthejë besimin. Liderët e saj shtetërorë duhet ta kthejnë besimin e qytetarëve të tyre, duke qenë të sinqertë me ta. Shtetet anëtare të BE-së duhet ta rikthejnë besimin tek njëri-tjetri. Po ashtu, shtetet evropiane që kanë nevojë për reforma strukturore duhet ta kthejnë besimin e tyre të brendshëm. Po qe se shkon huq kjo mundësi për kthimin e besimit, atëherë do të jetë e vështirë, nëse jo edhe e pamundur, që Evropa të merret me deficitet e veta fiskale, ekonomike dhe institucionale.

Autori është profesor i ekonomisë dhe shkencave politike në Universitetin “Berkeley”. Marrë nga “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›