Mirësevini në shtetin e dështuar të botës
Iraku që lamë pas
9 vjet pasi trupat amerikane përmbysën Sadam Hyseinin dhe fare pak muaj pasi ushtari i fundit amerikan u largua nga Iraku, vendi u shndërrua në një shtet të dështuar. Kryeministri Nouri al-Maliki drejtoi një sistem korrupsioni dhe brutaliteti, nën të cilin liderët politikanë përdorën forcat e sigurisë dhe të ushtrisë për të shtypur armiqtë dhe për të frikësuar popullin. Ligji ekziston si një armë që duhet përdorur kundër armiqve dhe rivalëve dhe të fshehë prapësitë e aleatëve. Ëndrra për një Irak të qeverisur nga liderët e zgjedhur që mbajnë përgjegjësi për popullin po venitet me shpejtësi.
Shteti irakian nuk siguron dot shërbimet bazë, duke përfshirë elektricitetin gjatë verës, ujin e pastër dhe kujdesin e duhur shëndetësor; ndërkaq, papunësia mes të rinjve ka shkuar deri në 30%, duke bërë kështu që ata të shndërrohen në kriminelë. Edhe pse niveli i dhunës është ulur duke e krahasuar me ditët më të këqija të luftës civile të vitit 2006 dhe 2007, ritmi i tanishëm i bombardimeve dhe batareve është më shumë se i mjaftueshëm për t’i lënë irakenët në paqartësi të thella lidhur me të ardhmen e tyre. Ata i kanë humbur shpresat se gjakderdhja do të ndalet një ditë dhe jetojnë në tmerr. Ashpërsia në fushën politike dhe dhuna nëpër qytet krijojnë një lak destabilizues, përmes së cilës gjakderdhja mbillet nëpër muret e pushtetit. Si Maliki, edhe rivalët e tij janë të përgjegjshëm për shkarjen e ngadaltë drejt kaosit, të burgosur të historisë së tyre nën pushtetin e Sadamit. Iraku është i ndarë midis partive fetare Shiite, siç është partia e Malikit Dawa, ende i uritur për hakmarrje dhe partitë laike sunite që kërkojnë një version me sa më pak gjakderdhje që është partia Baath, me ideologjinë e saj kombëtare dhe me mungesën e tolerancës për fenë dhe politikën etnike. Ndërkaq, kurdët manovrojnë me shumë maturi lidhur me mosmarrëveshjet në Bagdad.
Prioriteti i tyre është të ruajnë autonominë në Irakun verior dhe të shmangin rilindjen e një qeverie të fuqishme, që një ditë do të rrethojë qytetet e tyre dhe do të bombardojë fshatrat, gjë që Bagdadi e ka bërë gjatë gjithë shekullit 21.
Përktheu Rudina Dahri