Fokus/Rruzhdija s’po e toçit sa duhet Edi Ramën
Fatmirësisht në media nuk jemi aq toç sa mendon politika. Por politika tashmë ka brenda Fatmir Toçin si eksponent të estradës më të madhe të opozitës shqiptare, e cila po toçit me të gjitha bulshitë, një kauzë të sajuar që shpejt do t’i rikthehet si bumerang, krejt si “Dushku”, ku në një zonë elektorale, me mashtrime u prodhuan 10 deputetë socialistë.
Mirëpo, I dashur Z. Toçi, na vjen keq që Edi Rama u ka qethur toç, por sot Ju nuk keni besueshmëri si deputet i këtij kuvendi të nderuar, pasi gjënë e parë që bëtë si deputet, hodhët poshtë mikun dhe shkrimtarin e shtëpisë tuaj botuese, politikanin Ben Blushi - sapo ai tha se u kishte bërë me lekë, prej shitjes së mijërave kopje romanesh... Por Ju, në rastin më të parë, treguat se i paguheni prurësit më të parë (Afërmendsh se s’jeni hiç aq i ndershëm sa leku, jo!). Dhe prurësi i parë brenda organizmit poli-toksik ku bëni pjesë është Edi Rama, prandaj çdo gjë që shprehni mbetet një hartim bajat e pa fantazi, që maksimumi u çon deri tek teferiçi i hajatit. Afërmendsh kur deklaroni: “Nëse në atë kuti nuk del ajo që ne themi për shumë kuti të tjera, atëherë ne tërhiqemi, por nëse nga Ruzhdia del dora që ka vjedhur zgjedhjet në 28 qershor, atëherë ose do hapen Ruzhdiet e tjera ose apeli ynë për popullin do të jetë largimi i qeverisë së votave të vjedhura”. Nuk e kuptoni se në cilin shteg jeni futur pa ditur topografinë e të vërtetës. Gjithsesi fort-lumturia e PS, Toçi duhet të kuptojë se nuk mund të bëjë supozime apo hamendësime të tipit “nëse në atë kuti ka vjedhje, të ikë qeveria”. Kjo nuk është politikë, kjo është tallje me të vërtetën. Sot për sot PS nuk ka prova për manipulime votimesh, por supozime të paqena të gjasme “krimit elektoral”, një tjetër totem veç për të trembur fëmijët.
Mirëpo, sikurse jeni i papërgjegjshëm në miqësi nuk mund t’u kërkojmë koherencë në politikë, pasi ndoshta nuk e dini se PS-ja në fshatin Rruzhdie të Fierit ka 33 vota; kurse PD ka 479 vota: në kuti kishte 512 vota nga rreth 600 votues që kishte ky fshat. Në Ruzhdie, Partia Demokratike ka qenë gjithmonë partia e parë, dhe ka fituar thellë jo vetëm në zgjedhjet e 28 qershorit, por në të gjitha zgjedhjet që nga viti 2003. Po ashtu fshati i Fierit “Rruzhdije” nëpërmjet prokurorisë politike dhe mediatike po kërkohet të jetë një levë Arkimedi për të hedhur në erë zgjedhjet parlamentare më të mirat që ka mbajtur ndonjëherë Shqipëria. Nëse ka pretendime faktike, prokuroria ka të gjithë të drejtën ligjore, pastaj të hapë, te hetojë dhe zhbirilojë kutitë dhe çdo gjë. Kallëzimi i prokurorisë është janë braktisja e detyrës dhe parregullsitë në procesin e votimit.
Mirëpo, Ruzhdija është një rast i veçuar në zgjedhjet e 28 qershorit, që kanë qenë me standardet të mirat që ka mbajtur ndonjëherë Shqipëria pas pluralizmit; pasi aty janë komisionerët e PS, me urdhër politik (siç ka njoftuar edhe policia në shoqërimet e saj, nipi i Gramoz Ruçit, Gjolekë Malaj vërtitej si lubi anëtarëve të komisionit), duke qenë se ajo qendër votimi gjithmonë ka qenë një bastion i PD, ata kanë braktisur detyrën, pasi kishin votuar 84 bashkëfshatarët e tyre dhe morën me vete një vulë me qëllim bllokimin e votimit. Duke parë situatën e amullisë, komisionerët e djathtë vunë në dijeni KZAZ-në dhe KQZ-në për ngjarjen dhe vijuan votimin, pasi nuk dëshironin që bashkëfshatarët e tyre të mos votonin. Kur erdhi radha e numërimit të votave të kësaj qendre, PS kërkoi që ato të mos merreshin në konsiderate (pasi Kodi Zgjedhor kërkonte që çdo fletë të kishte patjetër 2 vula) dhe Kolegji Zgjedhor e mbështeti duke rrëzuar mbi 400 vota në këtë fshat, 90 përqind e të cilave i përkisnin PD-së. Koalicionit të djathtë i duheshin vetëm 157 vota për mandatin e 7-të.
Fakti - Sherri i KPD-së të d.t 24 shkurt 2010, aty ku zbulohet personaliteti real i Fatmir Toçit/Fatmir Toçi (I drejtohet Blushit): Je i përkëdhelur. Pse fyen? Blushi: Unë të kam mbështetur për të qenë ti deputet. Fatmir Toçi: Përkundrazi, ti je i pari që më ke dëmtuar... Blushi: Unë mendoj që duhet të rrimë në Parlament, nëse do të hyjmë. Kjo që po bëjmë nuk ka kuptim, se çfarë fituam gjatë gjithë kësaj kohe. S’kemi fituar praktikisht asgjë, ndërkohë që na kanë bojkotuar edhe ndërkombëtarët duke na thënë hyni në Parlament. Protesta s’kemi bërë më. Kutitë nuk janë hapur. Pra, s’kemi fituar asgjë. I vetmi ndryshim tani do jetë që protestat do i bëni me rroga, jo siç i keni bërë deri tani, pa rroga. çfarë ndryshimi ka tani? Këtë gjë e bëtë vetëm për rrogat. Fatmir Toçi: Po boll fole mor maniak mediatik. Ti mund të shkatërrosh çdo gjë. Do të tregoj sa vlen dhe pastaj nuk do të zënë këmbët. Je një i sëmurë, nëse doje të hyje në Kuvend të kishe hyrë, por nuk e bëre. Na ofendove të gjithë me këto që the. Kemi gjashtë muaj që ju durojmë. Blushi: Po rri o Fatmir rri, mos fol kështu, se po të mbaj me lekë. Toçi: Mos më bëj të nxjerr sms-të që i kam ruajtur e ku më kërkon lekë nga libri. Sharlatan! Si guxon të fyesh vazhdimisht deputetët? çfarë e di veten?