E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Samiti i Çikagos dhe Shqipëria

14-05-2012 / Gazeta 55

NATO do të mbajë samitin e saj të 25-të në vendlindjen e Presidentit Obama, në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 20-21 maj 2012. Në të do të përcillen vendime që janë marrë në Samitin e Lisbonës në nëntor të vitit 2010, duke çuar përpara politikat kryesore të Aleancës dhe duke ju referuar lidhjes transatlantike. Samiti do të fokusohet kryesisht në tre tema kryesore: rritja e  aftësive mbrojtëse të Aleancës sipas  konceptit të mbrojtjes së zgjuar (smart defense), zhvillimi i partneriteteve të Aleancës së Atlantikut të Veriut me vendet e tjerë jo-anëtarë dhe organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, si dhe e  ardhmja e misionit ISAF në  Afganistan.
Kuptohet vetiu që në këtë takim të Çikagos do të diskutohen dhe çështje të tjera të rëndësishme si marrëdhëniet NATO-Rusi, mbrojtja raketore e kibernetike, ngjarjet në Siri, etj. Por me siguri në këtë samit nuk do të këtë anëtarësime të reja në Aleancë, megjithëse, parashikohet të jepen sinjale të forta inkurajuese për vende që aspirojnë një gjë të tillë. Tre vende fqinje të Shqipërisë (të cilat kërkojnë përvojën e vendi tonë) janë në proces e sipër të përmbushjes së kritereve dhe standardeve të nevojshme për anëtarësim, edhe pse kriteri i stabilitetit të gjithanshëm është parësor.
Gjithashtu në një kohë të vështirë, Aleanca po kërkon t’i japë një vlerësim më të mirë parave të shpenzuara për sigurinë e saj. Me krizën financiare në Europë, masave të ashpra për reduktimin e deficitit në Shtete e Bashkuara dhe presionit në rritje ndaj buxhetit të mbrojtjes, vlera e veçantë e NATO është të ndihmojë vendet të punojnë së bashku. Aleanca ka fuqinë të bashkojë forcat dhe administrojë projekte shumëkombëshe.  Kjo është një nga pikat e forta të saj. Në Çikago, “mbrojtja zgjuar”, që përkthehet shqip në përparësi, specializim dhe bashkëpunim. Shumica e vendeve anëtare të NATO, po bëjnë reforma të thella bazuar në këto principe dhe këtu mund të përmendin Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë, por sigurisht edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj dhe Shqipëria po hyn në fazën e implementimit të një reforme strukturore.
Sigurisht një ndër elementët më të rëndësishëm të Mbrojtjes së zgjuar është specializimi, domethënë reduktimin e planifikuar dhe të konsultuar të shpenzimeve dhe kapaciteteve. Kjo mund të bëhej nëpërmjet kooperimit ndërmjet grupeve të vogla të vendeve anëtare apo nëpërmjet bashkëpunimit strategjik ndërmjet vendeve që janë afër në të gjitha dimensionet. Një shembull i mirë i vendeve të vogla që bashkëpunojnë është shembulli i vendeve baltike. Marrëveshja ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Francës për ndarjen e aseteve strategjike. Nuk përjashtohet që përveç përpjekjeve të kooperimit në kuadrin e “smart defence’ midis vendeve të rajonit të jenë të mundura dhe të bëhen përpjekje për blerje të përbashkëta, për zhvillime kapacitetesh të përbashkëta të vendeve të rajonit, apo të një vendi të rajonit me një nga vendet e mëdha të Aleancës së Atlantikut të Veriut.  Vendi ynë ka inkurajuar vendet fqinje gjetjen e marrëveshjeve, sidozot sipas frymëzimeve të konceptit “smart defense”, për institucione e kapacitete të përbashkëta për emergjencat civile, ku çdo vend fqinj të specializohet në përballimin e një emergjence civile, në mënyrë që, në ditë të vështira të bashkëpunojnë për të menaxhuar situata të fatkeqësive natyrore.
Sidoqoftë kjo tregon se Shqipëria është e interesuar për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e saj në sipërmarrje të përbashkëta që synojnë sinkronizimin e kapaciteteve për zgjidhje të situatave të vështira e të papritura. Në Samitin e Çikagos do ta ketë fjalën e saj, prandaj është e interesuar ta njohë Aleancën me propozimet e saj rajonale dhe Afganistanin. Shqipëria ka rritur cilësinë e pjesëmarrjes së saj në misionet ndërkombëtarë të  NATO-s, ku spikat misioni në Afganistan. Çdo vit vendi ynë shpenzon rreth 15 milion dollarë për paqen në botë. Përveç pjesëmarrjes me mision  mbështetës, Shqipëria merr pjesë edhe në operacionet luftarake (misionet Eagle) të NATO-s  në Afganistan. Sigurisht në  përputhje me politikën e Aleancës  për t’ua kaluar afganasve peshën  kryesore të qëndrueshmërisë dhe  sigurisë së vendit të tyre, Shqipëria  po rrit pjesëmarrjen e saj me misione  stërvitës për forca e sigurisë së Afganistanit. Samiti i Çikagos do të jetë një pikë kthese për transformim në “smart defense” të Aleancës.
Lavdrim Lita

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›