Shuplakë evropiane
Dr. Kesiana Lekbello
Jo më larg se të dielën e kaluar, lajmi i mirë erdhi nga Franca: francezët zgjodhën për president François Hollande. Koha është e shkurtër dhe presidentit të ri francez i duhet të zgjedhë qeverinë e re dhe më pas duhet të takohet me kancelaren gjermane Merkel. Së dyti, sipas premtiveve, duhet të ulë me 30 % kompensimin e ministrave sikurse edhe të vetin si presidenti. Pra hapi i parë fillon direkt nga vetvetja si shtet, ulen shtesat e tepruara. Gjithashtu Hollande ka premtuar në fushatën elektorale që do të rrisë me 25 % ndihmat në favor të familjeve që kanë shpenzime për shkollat (nga cikli i ulët e deri në gjimnazë), së treti, duhet të bllokojë për 3 muaj, të paktën afati minimal, rritjen e çmimit të karburantit dhe duhet të mbajë premtimet edhe në lidhje me uljen e çmimeve për studentët që paguajnë konviktet në Francë e kështu me radhë, pra duhet të plotësojë premtimet e bëra dhe të justifikojë besimin që populli i dha duke e votuar. Francezët ndjejnë dhe shprehin me entuziazëm që Presidenti i tyre i sapo zgjedhur nuk është vetëm presidenti i Republikës së Pestë, por është mbi të gjitha Administratori i një province të Evropës ku roli i tij mbetet vendimtar. Ky është problemi kryesor; ish presidenti Sarkozy bështeste linjën e Merkelit mbi një Europë që kërkon disiplinën nëpërmjet austerity (shtrëngim rripi) në lidhje me krizën dhe me masat që qeverit e vendeve të eurozonës duhet ti përmbahen kushteve të egra që kërkonte linja Francë-Gjermani.
Hollande ka premtuar dhe është kundër linjës së egër që Gjermania i kushtëzon Europës, pra nga Franca aleate e Gjermanisë terreni ndryshon në favor të kampit shoqëror progresist: Presidenti i ri francez kërkon me çdo kusht të rishikojë dhe të rishqyrtojë traktatin e Europës në lidhjen me Paktin e Stabilitetit Ekonomik. Ky lajm mbështetet edhe nga populli grek. Po ashtu edhe Greqia nga ana e saj zgjodhi; grekët i thanë Jo sakrificave që Europa i ka detyruar ata si popull për të larë borxhet dhe për të dalë nga kriza. Grekët përgjigjen nëpërmjet votimeve; nuk fitoi as Partia e Demokracisë së Re dhe as Partia socialiste PASOK, por fituan dy partitë ekstremiste, pra ultranazionalistët dhe ultrakomunistët. Slogani i popullit grek është i qartë: Më mirë të dalim nga Europa sesa të paguajmë borxhet e Greqisë për fajin e politikanëve që na çuan në këtë katastrofë duke na mashtruar. E saktë, Europa mori një shuplakë të fortë! Sesi do të zhvillohen skenaret e politikës europiane përgjatë këtyre muajve akoma nuk është fort e qartë. Vetë presidenti amerikan Obama ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ecurinë e krizës në Europë, kjo krizë nëse do të vazhdojë gjatë mund të prekë merkatat financiare amerikane me përmasa shumë preokupuese. Pa u zgjatur, ajo që shikohet qartë është tuneli i errët i Eurozonës; votimi në Francë dhe në Greqi duhet lexuar si një formë proteste e popujve në fjalë.
Po ashtu nuk duhet harruar edhe Serbia; nëse në turnin e parë të dielën e kaluar presidenti pro-Europë, Boris Tadiç, mori sërisht një numër të konsideruar votash 26, 8% (ky është mandati i tretë për Tadiçin) kandidati tjetër populisti, Tomislav Nikoliç është shumë afër tij me 25, 6%, ndërkohë që pritet balotazhi i 20 majit. Megjithatë, problemi kryesor mbetet tek vantazhi i nacionalistave në zgjedhjet e së dielës pasi ata kanë numrin e shumicës në Parlament. Sigurisht ky aspekt evropian nuk duhet injoruar, përkundrazi nga këtu Europa duhet të niset për të kuptuar që shtrëngimi i rriipit nuk është vetëm solucioni i saktë për të dalë nga kriza, por është një politikë e tërë e komplikuar, një klimë paqartësia që nuk lehtëson aspakë punën e politikanëve të çdo vendi anëtar i BE. Mungesa e një koordinimi midis forcave politike në gjirin e Europës duhet të bllokojë sektorin financiar të droguar që me spekulime dhe borxhe po shton gjithmonë e më tepër edhe pasigurinë dhe po rrezikon ekonominë e atyre vendeve në Europë që kriza i ka goditur më tepër. Të jemi të qartë, nëse BE nuk ndryshon paradigmat e saj në politikat ekonomike-sociale, BE nuk e ka të gjatë nga vetë europianët. Historia na mëson.