Fundi i botës në një koherencë mujore
Nga Marin Nikolli
Ka nisur të jetë trend që për çdo fillim muaji, pasi fiksohet mirë mbarimi i temave që shkruhen shpesh nëpër gazeta, apo kur nuk ka më modele fillesash nga ku mund të marrësh vrull të shkruash, e që nuk ndryshojnë dhe aq prej njëra-tjetrës, aq më tepër dhe titujt që përdoren, vjen momenti që shumë i rikthehen çështjes së fundit të botës. Si do të jetë fundi i botës? Ku është ky fund bote ? A është Stiven Seagel mbrojtësi ynë nga fundi i botës, apo ai do të ruhet bashkë me Cuk Norris për të shtuar racën e të fortëve përsëri?. Ka pastaj dhe pyetje akoma dhe më të mërzitshme si si do te jetë fundi i historisë, apo si do përmbyset bota, a do ketë fishekzjarrë? A është e sigurt kjo e fundit, çfarë ka raporti ka i gjithë ky proces me ne dhe jetët tona. Do reflektojë tek ne, a ka ndonje shans të jem unë i fundit që mund të mbijetoj apo do të vazhdojë para duke lënë mbrapa impaktin tek ne më vonë? Të gjitha këto pyetje bashkë pra. Dhe kjo derisa fillon prapë procesi i bumeve të lajmeve nga çdo anë e botës me budallallëqe të shumta njerëzore që gjejnë emancipim nga frymëzimi dhe prapë transmetohen si budallallëqe në media (jo në mënyrë të drejtpërdrejtë të paktën). Procesi shoqërohet përsëri me nota më të forta emocionale për secilën ngjarje, duke lidhur gjithsecilën prej tyre pashmangshmërisht me fundin e botës; dhe kur e gjithë kjo mbaron, kujtohen më vonë si një kushtëzim i yni fatlum, me të cilin kohët e vështira tani kujtohen me mall, po aq dhe budallallëqet. Tani ka hyrë prapë, dhe fiks siç dhe kërkon zakoni, tek gazeta New York Times, në titull kryesor u shkrua prapë për fundin e botës, kalendarin maja, dhe iu mëshua edhe një herë, duke përcjellë hap pas hapi, nëpër rreshta, ekspeditën e justifikimit njerëzor për të vdekur. Ata gjithashtu, thanë dhe një herë, falë statusit të tyre që u jep mundësinë të budallallepsin njerëzinë me mendime, se bota nuk do përmbyset (!), edhe një herë tjetër thanë çfarë duhet të bëjnë me këtë peripeci (…). Dhe siç ndodh kur këta që shkruajnë kanë dëgjuar më parë entuziazmin e atyre që kuptojnë vërtet kuptimin e diçkaje, kanë shkruar, duke u bazuar në pëlqimin apo jo të njeriut që e ka komunikuar të gjithë lajmin (atë pa ngjyrimet e ndryshme të atij që më pas ka interpretuar sipas qejfit të vet një diçka që është mirë mos të bësh interpretime), dhe se ka menduar se ky lajm është një syresh, që ka një konsum, dhe si gjithçka tjetër mediatikisht e konsumueshme, kësaj çështjeje në një kohë të caktuar i duhet vënë kapaku dhe kështu të largohemi nga trajtimi i vërtetë për ti dhënë prapë zhurmë situatës së panikut. Në radhët e gazetarëve, të gjithë janë koshientë për kapacitetin e tyre amatoresk për të logjikuar, për këtë arsye çfarë bëjnë, një vlerë 5000 apo më shumëvjeçare e trajtojnë sikur janë duke folur për qenin e komshiut (që me siguri nuk lidhet me faktin që ti nuk e blen dot, por kjo nuk është shqetësimi ynë), dhe kështu situata shformohet dhe, po aq mund të kesh shansin që të besosh dhe vetë se çfarë ke shkruar. Por edhe sikur kjo mos të ishte e konsumueshme, dhe të mos duhej aq më tepër ti vihej kapak kësaj çështjeje, sidoqoftë, nuk i është kushtuar ndonjë vëmendje e madhe, sepse e gjithë situata do duhej më në fund të pritej deri sa ti vinte dita. Dhe meqë jemi këtu, paraprakisht nuk mund të gjykoj nëse datat e mëparshme (që kanë parashtruar po ashtu fundin e botës sipas të dhënave të ndryshme nga ajo e kalendarit maja) kane reflektuar një histeri të njerëzimit për ti dhënë fund vetes, paçka se këto data nuk bënë gjë tjetër veçse treguan vetëm këtë fakt. New York Times shkruante se më 21 dhjetor të këtij viti do mbaronte një cikël dhe do fillonte një tjetër, dhe kjo nuk nënkupton se nuk do presë botën të rregullohet, pra të rregullohen çështje që as nuk përbëjnë vullnetin minimal për tu ndryshuar, apo që kriza financiare të kalojë, apo që ky brez të ripërtërihet dhe një herë, ose që të përplasemi diku ku historia vërtet të ketë fund. Nëse kjo ndodh, do të ndodhë sepse majat jo se nuk dinin të numëronin deri në një numër më të madh se ky që arritëm ne (sepse në do ti japësh vazhdueshmëri një cikli, për këtë nuk ke nevojë për numra), por këtë herë, mbase duhet të besojmë se ata numëruan deri në një pikë të caktuar për një qëllim, dhe kështu pas këtij, asisoj ndaluan. Kështu, unë me këtë logjikë, si njeri i përgjegjshëm, nuk mund ti them kurrkujt që e gjithë kjo nuk është asgjë dhe se vetëm do të mbarojë një cikël për të nisur një i ri, e pastaj kaq. Nëse vërtet do të mbarojë ky i ashtuquajturi cikël, për ne kjo nënkupton ngjarjen më të rëndësishme të vetëdijes njerëzore. Dhe jo një artikull që ka kushtuar disa dollarë për xhepin e dikujt.