Për presidentin
Nga Luan Rama
Eshtë një rastësi e bukur që zgjedhja e Kryetarit të Shtetit përkon në njëqindvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (dhe jo të njëqindvjetorit të shtetit të parë shqiptar siç shprehen rëndom disa dijetarë që duan të flasin e shkruajnë për gjithçka, por që nuk e dine se të dhënat e historisë për shtetin e parë shqiptar na çojnë shumë më herët se 1912-ta), ashtu siç njëherësh është koinçidencë për tu konsideruar gjithashtu e veçantë që zgjedhja e Presidentit të Republikës do të bëhet përpara vlerësimit të BE-së, nëse do ta meritojë apo jo Shqipëria ftesën për të qenë vend kandidat për në Bashkimin Europian.
Natyrisht, Shqipëria do të ketë një president siç ka aktualisht dhe siç ka patur edhe më parë. Por duke sjellë në vëmendje dy rastësitë e mesipërme, të cilat nuk do të mund të përsëriten më si në këtë vit, gjykoj se qasja jonë si shoqëri e më së pari si klasë politike ndaj gjithë procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, duhet të jetë e kushtëzuar edhe prej horizontit europian ku duhet të mbërrijmë, që është po aq edhe horizonti i interesave tona kombëtare që duhet të përmbushim.
Padyshim duhet respektuar Kushtetuta dhe askush nuk thotë e nuk mund ta thotë të kundërtën. Sepse nuk mund të zgjidhet një President në kundërshtim me Kushtetutën. Por në kësi rastesh është shumë e rëndësishme edhe se si respektohet dhe zbatohet Kushtetuta që Presidentin të mos e bëjnë, por të bëhet. Të bëhet prej vlerave që përfaqëson, prej vlerave që mbart, për vizionin dhe peshën e fjalës dhe të veprimit si figura ku mishërohet uniteti i popullit, dhe që të imponojnë dakordësi mes palëve në Kuvend, por dakordësi edhe në opinionin publik, të cilat të harmonizuara apo të mbështetura në frymën kushtetuese, ti japin vendit Kryetarin e Shtetit.
Personalisht mendoj se funksioni i Presidentit të Republikës nuk mund të trajtohet si funksion eksperimental, për të cilin të mund të konsiderohen edhe emra që nuk e mbartin peshën e të qenit kandidat për president, siç ka ndodhur përshembull në procesin përzgjedhës të kandidaturave në vitin 2002. Serioziteti dhe solemniteti i procesit na parathotë shumë në lidhje me besimin dhe respektin për presidentin e nesërm, i cili duke qënë Kryetari i Shtetit i zgjedhur në njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duhet ta reflektojë këtë dimension, ashtu sikundër, duke u zgjedhur ne vigjilje të gjykimit se sa Shqipëria i përmbush kriteret për të merituar statusin e vendit kandidat për në BE, të mund të jetë një arsye më shumë, një argument më shumë që të mund të besojmë se Europa do të na ftojë.