E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidhet shorti - Kolegji Zgjedhor shqyrton më 13 qershor dy ankesat e tjera të PS-së

08-06-2011 / Gazeta 55

Opozita apelon vendimin për njësinë nr. 5 dhe tabelat përfundimtare për bashkinë  e Tiranës

Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit përcaktoi dje me short trupën e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë kërkesën ankimore të Partisë Socialiste që kërkon rrëzimin e dy vendimeve të KQZ-së për tabelat e rezultateve për bashkinë e Tiranës. Në shortin e hedhur pasditen e djeshme, relatore e çështjes u caktua gjyqtarja Dhurata Haveri, ndërkohë që seanca do të zhvillohet më datën 13 qershor, në ora 10. Pjesë e trupës gjyqësore do të jenë Sashenka Jonuzi, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi dhe Meriban Mullai.
Përfaqësuesit ligjorë të PS-së depozituan të hënën në mbrëmje në Kolegjin Zgjedhor kërkesë padinë e tyre të tretë për rezultatin e bashkisë Tiranë. Ankesa e re e socialisteve kërkon pavlefshmëri të vendimit nr. 710 të KQZ-së, që ka të bëjë me rezultatin e njësisë bashkiake nr. 5 dhe të vendimit nr. 711, i cili shpall kandidatin e koalicionit “Aleanca per Qytetarin”, Lulzim Basha, fitues për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës me 81 vota më shumë se kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.
Me anë të kësaj ankese përfaqësuesit ligjorë të PS-së kërkojnë nga Kolegji Zgjedhor të shqyrtojë veprimet e ndërmarra nga KQZ për tabelat përmbledhëse për bashkinë e kryeqytetit.
Përfaqësuesi ligjor i PS-së në Kolegj, deputeti Damian Gjiknuri, shpjegoi detajet ku bazohet kjo kërkesë-padi, të cilat sipas tij, cenojnë edhe vendimin për miratimin e tabelës përfundimtare. “Pretendimet kryesore të këtij ankimimi kanë të bëjnë me disa elementë të rëndësishëm, si mënyra e pjesshme e hetimit administrativ nga ana e KQZ-së, gjë që prodhoi mangësi në vendim, si dhe fakti që KQZ numëroi më shumë fletë votimi se sa ishin vullnetet e shprehura”, shprehet deputeti Gjiknuri. 
Kërkesa e re ankimore e socialistëve pason vendimin e marrë më 3 qershor nga Kolegji Zgjedhor për pushimin e çështjes ankimore të depozituar nga PS, e cila kërkonte shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së për rinumërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara.
Një ditë më parë juristët e PS-së akuzuan trupën gjyqësore të Kolegjit për shkelje të ligjit për shkak të mos zbardhjes brenda afateve të vendimit të mësipërm.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›