E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Ulje çmimi për dekoratat në muajt para-pensionalë të Bamir Topit

09-03-2012 / Gazeta 55

Në çdo vend serioz dhënia e dekoratës nga institucioni më i lartë i shtetit, Presidenti i Republikës, është një gjest sa simbolik aq edhe vlerësues për merita dhe kontribute të veçanta. Mirëpo ajo që po ndodh tre muajt e fundit me dhënien e titujve dhe dekorimeve nga presidenca jo serioze shqiptare ka sjellë jo pak reagime në personalitete të ndryshme të artit dhe kulturës, por edhe më gjerë. Fundi i mandatit të Presidentit Bamir Topi po “prodhon” dhjetëra dekorata dhe medalje, me motivacione të ndryshme dhe të improvizuara, me një intensitet të frikshëm tre muajt e fundit, po habit tejmase opinionit publik.
Sidozot që java e parë e marsit ka parë plot 22 dekorime të Presidenti Topi. Dekorimet që janë dhënë sigurisht që ka nga ata që e meritojnë por ka dhe shumë raste që nuk e meritojnë siç ishte rasti i dekorimit në të kaluarën të ish-prokurorit apo një gjykatësi të sistemit komunist, si dhe dekorimi i pavend  i komunës së Barit në Itali. Kujtojmë se dekorata është mirënjohje, medalje, urdhër etj., që i jepet dikujt nga ndonjë institucion si shenjë nderimi për arritje të larta ose për merita të veçanta. A di dikush të thotë se cilat janë arritjet e larta apo meritat e veçanta të prokurorit Skënder Breca që çoi në ekzekutim tre intelektualë shqiptare, Xhelal Koprenckën, Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon? Po ashtu dekorimin e Njazi Jahos dhe Fatmira Laskajt që ishin shkaktarët e pushkatimit të Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit në të ashtuquajturën revoltë të kampit të Qafës së Barit në vitin 1984. Nuk e dimë nëse kjo është vepër e zotit President apo e këshilltarëve të tij, sidoqoftë është një vepër e dënueshme, sidomos tani kur Këshilli i Europës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë dënimin e krimeve të regjimit komunist.
Sakaq kjo që po ndodh tre muajt e fundit është qesharake, si në kohën e monizmit, që çdo gjë që jepej në atë kohë ishte vetëm një “medalje”, pa asnjë vlerë monetare, për të larë gojën. Prandaj në vende serioze oksidentale këto tituj i ka me një vlerë të caktuar monetare. Dekorimi ishte stimuli më i lartë moral gjatë kohës së komunizmit. Me qindra e qindra dekrete të Presidiumit të Kuvendit Popullor iknin e vinin mbi xhaketat e personave të profesioneve e moshave të ndryshme me raste e pa raste. Komunizmi na la një trashëgimi antivlerash me të cilën përfaqësohemi akoma. Ky “sukses” i së kaluarës është ringritur në këmbë si një ekonomi e dekoratave, me të njëjtat kritere si përzgjedhja e administratës së presidencës apo e njerëzve që vendosin se kujt do t’i jepen pallaskat (dekoratat).
Megjithatë inflacioni i titujve dhe dekoratave, e ul vlerën e tyre. Ndonëse të gjitha gjasat janë që këto dekorime në masë shërbejnë për të “fituar” simpati tek ato personalitete, që nesër mund të jenë votues të mundshëm të një projekti politik. Sepse shqiptarët janë njerëz me sedër po i respektove të respektojnë, qoftë edhe kur i kërkon votën. Sjellja e Presidentit ende në detyrë po zhvlerëson institucionin e meritokracisë duke shpërndarë tituj nderi e medalje sa majtas dhe djathtas, pa dalluar seç është vlerë dhe c’është antivlerë.  
Lavdrim Lita

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›