E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokusi në Fier

Fotografia e mbështetur në traditën shqiptare, por edhe në përvojën ndërkombëtare, është objektiv i ekspozitës garuese ndërkombëtare - Fokus, që mbahet në Fier. Në edicionin e gjashtë të Fokus’it do të marrin pjesë 93 fotografë nga shumë shtete të botës.

Sipas synimit të organizatorëve, Fieri synon të bëhet qendër e përhershme e këtij konkursi fotografik.

“Me punën e viteve të kaluara më në fund realizuam një nga veprimtaritë më të rëndësishme të zhvillimit të artit fotografik në rang kombëtar dhe më gjerë. Pjesëmarrja e këtij viti do të jetë përsëri mjaft e gjerë. Ajo do të përfshijë jo vetëm shtetet e kontinentit tonë, por edhe të kontinenteve të tjera, të cilat nuk kanë munguar edhe në edicionet e tjera”, thuhet, mes tjerash, në njoftimin e organizatorëve.

Edicioni i gjashtë i Fokus’it mbahet më 5 nëntor, në Galerinë e Arteve në Fier. Pas ekspozitës do të ndahen tre çmime. Anëtarët e Jurisë së këtij edicioni të Fokus’it janë Jutta Benzenberg (Gjermani), Suzana Varvarica (Shqipëri) dhe Afrim Spahiu (Kosovë).

Ndryshe, në ekspozitën e sivjetme nga gjithsejtë 170 fotografë shqiptarë dhe botërorë, për pjesëmarrje janë përzgjedhur 93 fotografë, të cilët vijnë nga shtetet si Belgjika, Bullgaria, Anglia, Franca, Gjermania, Greqia, Holanda, India, Italia, Maqedonia, Mali i Zi, Pakistani, Serbia, Turqia, SHBA, Shqipëria, dhe Kosova.

Nga Kosova do të marrin pjesë këta 24 fotografë: Fahredin Spahija, Burim Myftiu, Visar Sherifi, Admir Idrizi,Agim Kajtazi, Arben Elshani, Arben Shala, Arbies Komoni, Arsim Gjinovci, Arton Humolli, Bleron Çaka, Denis Sllovinja, Emine Krasniqi, Fleta Baraku, Lulëzim Makolli, Leonid Palushaj, Merita Jaha, Naim Spahiu, Nita Zeqiri, Petrit Ukehajdaraj, Refki Gallopeni, Rezart Galica, Shkelzen Rexha, Visar Sherifi dhe Yll Hoxha.

Tema e fotografive pjesëmarrëse është e lirë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›