E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondacioni Fëmijët Shqiptarë dhuron 3 mijë euro për Mejsin e vogël

TIRANË- Fondacioni Fëmijët Shqiptarë dhuron 3 mijë euro për Mejsin, duke iu bashkuar nismës së nisur nga News24 dhe BalkanWeb.
Ditë më parë familja Xhaxha i ishte drejtuar për ndihmë Fondacionit Fëmijët Shqiptarë.

Fondacioni me Presidente znj.Liri Berisha i është përgjigjur apelit, duke i ardhur në ndihmë vogëlushes që vuan nga një tumor i rrallë në kokë. Kjo shumë parash më pas do ti dorëzohet familjes, për të ndihmuar sadopak në plotësimin e shumës prej më shumë se 40 mijë euro për operimin e Mejsit.

Deri më tani apelit të prindërve të Mejsit për ndihmë i janë bashkuar dhjetëra qytetarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, të cilët kanë derdhur të holla në llogarinë bankare të hapur me këtë rast në Credins Bank, ku shuma e mbledhur arrin në 4 milionë lekë të vjetra. Gjithashtu, nismës së ndërmarrë nga kompania Focus Media Group i janë bashkuar edhe Bashkia Fier, forumi rinor Kristian Demokrat, gjimnazi “Petro Nini Luarasi” Tiranë, ndërkohë që sinjale pozitive vijnë edhe nga kreu i ministrisë së Shëndetësisë, Halim Kosova.

Mejsi është e prekur nga një tumor i rrallë që rrezikon ti marrë shikimin dhe më pas edhe jetën. Historia e dhimbshme nisi para 1 viti kur pas ekzaminimeve prindërit mësuan për fatin e keq të vajzës. Familja Xhaxhaj thotë se shpëtimi i vajzës së tyre është i mundur vetëm nga një operacion i specializuar në Gjermani.

Familja jep këtë numër kontakti për ndihmë për këdo që ka mundësi të kontribuojë. Nr. kontakti 0693737533. Ndërsa në Credins Bank është hapur ky numër llogarie për të kontribuar 000000460931.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›