E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” krijon lidhje të ngushta me qytetin e Bulqizës

Fondacioni i drejtuar nga zonja Liri Berisha ka akorduar këto ditë edhe 13 bursa për fëmijët jetimë të minatorëve të vrarë dhe familjeve në nevojë, duke premtuar se edhe në të ardhmen, aktiviteti i fondacionit do t’u ishte shumë pranë banorëve të qytetit të Bulqizës


Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, ka dhënë 13 bursa studimi për fëmijët jetimë të minatorëve të vrarë gjatë punës në minierën e kromit dhe familjet në nevojë. Tashmë duket qartë se ky fondacion ka krijuar lidhje të forta me qytetin verilindor të minatorëve, duke iu rikthyer atij për ta ndihmuar në zgjidhjen e halleve dhe problemeve të shumta me të cilat ai përballet aktualisht. Kështu vetëm para pak muajsh, nën drejtimin e zonjës Liri Berisha, u dhanë ndihma ushqimore e në veshmbathje për këta fëmijë, si dhe materiale shkollore me rastin e fillimit të vitit shkollor 2008-2009. Gjithashtu po ky fondacion ka dhënë dhuratë për spitalin e qytetit të Bulqizës, një aparaturë-eko në ndihmë të banorëve, si dhe ka mundësuar kualifikimin në Tiranë të një mjeku të këtij spitali për përdorimin e ekos. Ndërsa këto ditë është përsëri ky Fondacion, që nën kujdesin e Presidentes së tij, zonjës Berisha, i rikthehet përsëri qytetit të minatorëve, duke mundësuar dhënien e 13 bursave për fëmijët jetimë e familjet në nevojë, prej të cilave 11 për djem dhe vajza që kanë mbaruar shkollën e mesme, për t’u kualifikuar në profesione të kohës dhe 2 bursa studimi të larta në Universitetin privat “Kristal”. Të gjitha shpenzimet, si ata të mësimit dhe akomodimit në konvikte e mensa, do të përballohen nga ky fondacion për të gjithë këta nxënës dhe studentë. Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, ka falenderuar në emër të komunitetit, Fondacionin “Fëmijët Shqiptarë” dhe drejtuesen e tij, zonjën Liri Berisha, për ndihmën konkrete të dhënë në rritjen e nivelit të arsimimit, në qytetin e Bulqizës. “Ju them siqerisht, shprehet ai në një letër falenderimi drejtuar zonjës Berisha me këtë rast, se së bashku me urimin e 13 nxënësve dhe studentëve, keni marrë edhe urimin e 13 mijë banorëve të qytetit tonë të Bulqizës”. Gjithsesi, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, aktualisht i familiarizuar me qytetin e Bulqizës, mbetet rast unikal për ndihmën e dhënë në zgjidhjen e problemeve ekonomike me të cilat përballen familjet në nevojë e veçanërisht ata të minatorëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›