E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat ndaj meje vijnë nga zyra e Edi Ramës, por shqiptohen si sulme nga një prokurori politike

I nderuar zoti kryetar i seancës, të nderuar kolegë nuk kisha ndërmend të konsumoja njëorëshin e këtij Parlamenti me një diskutim timin, pasi rastet janë dhe do të jenë të shumta, mirëpo deklarata e sapo bërë nga një nga deputetet parafolëse më bën që të reagoj mbi çështjet kryesore të ngritura nga ajo. Duket qartë se kemi të bëjmë me përshkallëzim të një skenari, synimi i të cilit është padyshim politik, por kemi dy precedentë. Precedenti i parë dhe i rrezikshëm është se kjo opozitë, segmente të caktuara të saj, nuk kursejnë asgjë në drejtim të objektivave të tyre të ngushta politike duke goditur në mënyrë antikombëtare dhe kundra interesave shtetërore të Shqipërisë aktivitetin diplomatik dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Padyshim që aktiviteti diplomatik i Shqipërisë ndodhet në kulmin e tij, javën e kaluar Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Ministerialin e Punëve të Jashtme të NATO-s dhe mori vlerësimet maksimale jo vetëm për reformat e bëra por edhe për shembullin që ka dhënë, në rajonin e Evropës Juglindore si një vend që di të luftojë korrupsioni , që di të luftojë krimin e organizuar që di të shkëputet nga një traditë shumë vjeçare e bashkëpunimit me këto dy fenomene dhe këto konsiderata i janë shprehur Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë nga partnerët e tij dhe janë shprehur publikisht dhe me transparencë të plotë përpara mediave. Sigurisht që kjo nuk i shkon për shtat strategjisë shpifëse dhe luftës politike që Edi Rama i ka shpallur midis të tjerave edhe qëllimeve e objektivave të politikës së jashtme shqiptare, duke përfshirë këtu anëtarësimin në NATO, duke përfshirë këtu përfaqësimin gjeostrategjik të shqiptarëve që përfaqëson rruga Durrës-Kukës. Sigurisht ka dhe një element tjetër një precedent tjetër të turpshëm, është rikthyer Prokuroria politike, dhe kjo është e qartë për partnerët tanë ndërkombëtarë, është e qartë se kur lexoj në faqen e internetit se çfarë akuzash ngre kjo prokurori kundër një deputeti, kundër një ish-ministri, kundër një Ministri të Jashtëm, pabarazi në tendera, shkelje e barazisë në tendera. A e morët ndonjëherë mundimin të nderuar deputetë të opozitës që hidhni këto akuza të lexoni dokumentet përkatëse, ta shikoni se përzgjedhja e konsulentit nuk është bëtë me tender, si mund të shkelet barazia në tendera kur vetë përzgjedhja nuk është bërë me tender, cili është qëllimi i këtij mashtrimi? Shpërdorim detyre! Si mund të shpërdorohet detyra kur vetë Këshilli i Ministrave vendim pas vendimi ka sanksionuar veprimtarinë e agjencive përkatëse?! Është e qartë që kemi të bëjmë me një absurd, absurd të stisur në zyrat e Edi Ramës dhe fatkeqësisht të ndërmarrë si sulm nga një prokurori, segmente të së cilës kanë kthyer Prokurorinë “Politike” në Shqipëri. Më lejoni t’ju them këtu se kjo nuk më impresionon aspak personalisht dhe se as nuk ndikon në detyrën time në detyrën si Ministër i Jashtëm, po është e vërtetë që unë jam betuar përpara Kushtetutës t`i shërbej vendit republikës dhe ligjeve dhe këtë do ta bëj pavarësisht nga presionet lufta politike dhe sulmet që organizohen nga zyrat e Edi Ramës dhe nga segmente të tij në Prokurorinë shqiptare, do ta bëj këtë me vendosmëri dhe asgjë nuk do të më ndal që të mbroj betimin përpara Kushtetutës, prandaj ndodhem sot këtu dhe do vazhdoj të jem këtu për sa kohë do të kem besimin e kolegëve të mi dhe shumicës së qytetarëve shqiptarë.


Fjala e Ministrit të Punëve të Jashtme Lulzim Basha, mbajtur dje në Kuvend

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›